Piktori Sani Bajrami: Artistët në RMV nuk kanë mundësinë për të shfaqur të bukurën e artit (VIDEO)

Të mbizotërojnë e bukura, puna dhe buzëqeshja, sepse janë elementet më të fuqishme që një periudhë kohore e bënë ta quajmë jetë, ky ishte mesazhi i Sani Bajramit, piktor nga Tetova, shkruan Portalb.mk.

Të vizatuarit është një talent i tij të cilin ai e ka zbuluar kur pas çdo momenti emocional apo kohe të lirë ka marrë një laps në dorë për të vizatuar forma të ndryshme ose për të shprehur gjendjen e tij momentale. Me shumë përkushtim ndaj artit ka arritur t’i ndjek dhe t’i kryej studimet e tija në po këtë drejtim. E tani të krijojë dhe dy ekspozita personale që sipas tij ato kanë vlera të veçanta. Por, sipas tij në RMV arti dhe artistët nuk vlerësohen sa duhet.

Sani Bajrami

Si filloi rrugëtimi juaj në sferën e artit, kur e kuptuat që ju keni talent të vizatuarit dhe duhet të jeni një piktor?
Nuk e di nëse plotësisht kam të drejtë në këtë që e mendoj, por them se arti, talenti, ajo që ne e quajmë artistike, është në brendinë e çdonjërit, që nga fillimi i ekzistencës ,mirëpo zhvillohet me kalimin e kohës gradualisht, në mënyrë spontane dhe normalisht me punë. Ndërsa, sa i përket faktit se si unë e kam gjetur veten në këtë lëmi, them se ka qenë një periudhë kohore në jetën time, kur pas çdo momenti emocional, apo kohe të lirë instinktivisht unë shtrëngoja një laps në dorë dhe një flet të bardh ku bëja forma, ose hidhja në letër ndoshta dhe atë gjendjen time shpirtërore momentale.! E më pas vendosa ta gjeja veten në këtë drejtim, duke iu përkushtuar studimeve dhe të gjeja veten brenda çdo pikture qoftë dhe në një pikë ngjyre në skaj të pëlhurës!

“Kali si kult inspirimi figurativ”- ekspozita e parë

 

Ju keni pasur dy ekspozita personale tuajat, cila nga këto ishte më e vlerësuara dhe e pëlqyera prej njerëzve?
Ekspozita e parë, normalisht që ka pasur një emocion të fortë, si për mua ashtu edhe rrethin tim. Kam marr urime të shumta dhe mbi të gjitha kam arritur të shoh, se si njerëzve iu shkëlqenin sytë përballë punës sime, duke më vlerësuar. Ne e dimë që hapi parë në jetë, gjithmonë nuk ka të zëvendësuar! Ndërsa, ekspozita e dytë ka pasur një vlerë të madhe në vete, si profesionalisht ,ashtu edhe emocionalisht unë jam ndjerë më i kompletuar ,ngase kam arritur të shkrijë çdo ditë realitetin dhe imagjinatën time në kohën e izolimit. Mendoj se tek e dyta shumë njerëz kanë arritur të më njohin, në shumë aspekte, sa i përket punës që jam përkushtuar dhe jam i lumtur që vazhdojnë ende të më përgëzojnë për vlerën, e çdo vizatimi dhe pikture të ekspozuar, si në ekspozitën e parë ashtu edhe në të dytën.

” Një shkëndijë në kohë izolimi” – ekspozita e dytë

Cili ka qenë mesazhi dhe tema e secilës prej ekspozitave?
“Kali si kult inspirimi figurativ”
, ka qenë tema e ekspozitës së parë, thënë më thjeshtë, shkrirja e ndjenjave më të forta ,shoqëruar me ngjyrat, kundrejt kësaj kafshe, që më ka shoqëruar gjithmonë në jetë. Unë kuajt i quajë si simbol i forcës, besnikërisë dhe sakrificës, jam rritur me ta dhe e njohë botën e kuajve si qenie. Por, inspirimi im riparohet sa herë që shohë një lloj të kalit të veçantë që kemi pasur ne si familje. Babai im e solli që kur ishte shumë i vogël dhe u kujdes për gjithçka të tijën. Ishte i aftë dhe shumë i mprehtë. Ai magjepste çdo kënd me bukurin e tij, andaj unë shumë më shumë e gjejë veten si artist kur për qëllim kam pikturimin e një kali. Ndërsa, ” Një shkëndijë në kohë izolimi” ka qenë tema e ekspozitës së dytë. Janë punuar gjitha pikturat me laps dhe qëllimi ka qenë fakti i periudhës së rënd të njerëzimit në kohën e kësaj pandemie që e kemi në mesin tonë edhe sot e kësaj dite. Në atë periudhë unë kam qenë në Itali dhe dita ditës mundohesha të gjeja veten dhe fëmijërinë time si një shpresë e vogël, ose një shkëndijë në atë kaos botëror. Një lloj dhimbjeje të errët shpirtërore për gjithë këtë dukuri që po ndodh rreth e përqark botës !

Sani Bajrami

A vlerësohet arti në Maqedoninë e Veriut dhe a mund një piktor të ketë të ardhura të larta në këtë vend?

Të them se arti, ose artistët vlerësohen siç duhet në shtetin tonë ,do ishte “një gënjeshtër” që do ja bëja vetes dhe atyre që i besojnë fjalës së thënë. Nuk e kemi as hapësirën dhe as mundësit e duhura për të shfaqur të bukurën e artit edhe pse në mesin tonë ka shume artist të mirë që kanë talent, por duhet vlerësuar.

 

Ekspozita e parë

Cili ka qenë njëri prej momenteve më të bukura dhe të paharruara për ju për sa i përket sferës së artit?
Nuk kam ndonjë moment që mundem ta nxjerr në planë të parë, ngase të gjitha e kanë atë vlerën dhe rëndësinë e vetë.

 

 

Pikturë nga Sani Bajrami

Me çfarë mesazhi do e kishit përmbyllur këtë intervistë?
Do doja të mbizotëronte çdo kund e bukura, puna, paqësorja dhe buzëqeshja. Janë elementet më të fuqishme që një periudhë kohore të gjatë, e bënë ta quajmë jetë

Në vazhdim ju mund të ndiqni intervistën të përmbledhur në një video.


Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button