RMV, nëse situata epidemiologjike mbetet e qëndrueshme, hoteleritë do t’i kthehen orarit deri në orën 21

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe në paraqitjen e tij për TMV-në deklaroi se objektet hotelerike do t’i kthehen orarit të punës deri në orën 21:00 nëse situata epidemiologjike mbetet e qëndrueshme siç është momentalisht, njofton Portalb.mk.

Në pyetjen nëse janë planifikuar masa të reja apo zbutja e masave pas festave, Filipçe theksoi:

“Konkretisht të them se hoteleritë do të kthehen në orarin e punës deri në orën 21:00, megjithatë kjo do të jetë tani për tani. Jemi ende duke ndjekur situatën se si do të zhvillohet dhe sipas analizës në të ardhmen do të vendosim nëse do të ketë ulje shtesë të kufizimeve,” tha Filipçe.

Sipas shifrave të djeshme të Ministrisë së Shëndetësisë, numri i rasteve aktive të kovid-19 në vend është 18,046, nga të cilët numri më i madh (10,840) i pacientëve të regjistruar me koronavirus janë nga Shkupi. Ditëve të kaluara, u regjistrua numër më i vogël i personave të infektuar, ndërsa dje numri i të infektuarve arriti në 580 raste nga 2,431 teste të bëra.

Periudhën e kaluar, numri i personave të hospitalizuar në qendrat kovid në Shkup dhe në të gjithë vendin ka rënë. Që nga ora 8 e mëngjesit të sotëm, 345 pacientë të konfirmuar dhe të dyshuar për covid-19 po trajtohen në repartet infektive të spitaleve të kryeqytetit, ndërsa ka 100 shtretër të lirë.

Ndryshe, Qeveria në seancën e mbajtur më 15 dhjetor të vitit të kaluar miratoi masa shtrënguese shtesë për periudhën nga 18 dhjetori 2020 deri më 21 janar të këtij viti, të cilat kufizuan punën e objekteve hotelierike. Në vend të orarit të atëhershëm deri në orën 21, për periudhën e festave u vendos që objektet hotelierike të punojnë deri në orën 18, përveç atyre kryejnë shitje në mënyrë alternative (porosi online, porosi telefonike dhe ngjashëm) ose ato që kryejnë porosi në mënyrë të pavarur jashtë objekteve hotelierike (porosi në sportel).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button