fbpx

Projekti 500 mijë eurosh i Komunës së Tetovës për sheshin “Iliria” në gjykatë, punët në terren larg nga e premtuara

Bulevardi “Iliria” në Tetovë assesi të marrë formën e premtuar nga kryetarja e kësaj komune, Teuta Arifi. Punimet të cilat kanë filluar që nga viti 2017 ende nuk kanë përfunduar ndërsa ky projekt qytetarëve ju ka kushtuar 500 mijë euro. Një nga arsyet pse qytetarët nuk mund të shohin bulevardin kryesor të qytetit mirë të rregulluar është se kompania që duhej t’i kryente punimet dhe Komuna e Tetovës kanë dalë para gjyqit duke akuzuar njëra tjetra për moskryerje të obligimeve dhe mospagesë. Portalb.mk mëson se është angazhuar kompani e re për të përfunduar punimet.

Rasti gjyqësor i Komunës së Tetovës me kompaninë “IR GROUP” ende nuk ka marrë epilog gjyqësor, aktualisht është në fazën e ekspertizës dhe nuk ka të angazhuar ekspertë.

“Lënda TC-17/19 e Gjykatës Themelore Tetovë e formuar sipas padisë së paditësit IR GRUP Konstrukt SHPKPV eksport import Tetovë, kundër komunës së Tetovës, në të cilën lëndë komuna paraqitet edhe sikundër paditës, në të cilën kundërpadi kërkon në emër të dënimit të kontraktuar shumë tê përgjithshme prej 2.925.016,00 denarësh, është në fazën e ekspertizës, kurse ende nuk kemi angazhuar ekspert , konstatim dhe as mendim nga agjencia që e kryen këtë ekspertizë” thane nga Komuna e Tetovës.

Mësojmë se fillimisht pronarja e “IR GROUP”, Zana Zejnullai ka paditur Komunën e Tetovës për mospagesë dhe më pas, autoritetet komunale kanë paraqitur kundërpadi për moskryerje të obligimeve nga ana e kompanisë, në kohë.

Sa para ju ka kushtuar qytetarëve rekonstruimi i këtij sheshi dhe si duket sot?

Gjithsej, shuma të cilën komuna e Tetovës ka paguar për rekonstruimin e bulevardit “Iliria” në Tetovë është 30.715.974,00 denarë apo gjysme milion euro.

Kështu u premtua ky bulevard:

Projekti për bulevardin "Iliria" sipas kryetares, Tetua Arifi.
Projekti për bulevardin “Iliria” sipas kryetares, Tetua Arifi.
Projekti për bulevardin "Iliria" sipas kryetares, Tetua Arifi.
Projekti për bulevardin “Iliria” sipas kryetares, Tetua Arifi.

Kështu duket sot:

Bulevardi "Iliria", 5.1.2021.
Bulevardi “Iliria”, 5.1.2021.
Bulevardi "Iliria", 5.1.2021.
Bulevardi “Iliria”, 5.1.2021.

Edhe pse çmimi i rekonstruimit të këtij sheshi është marramendës, aty mungojnë:

  • 12 fontanat me ujë për pije
  • 233 ulëset prej druri
  • 32 konstruksione për parkim të biçikletave
  • 73 shtyllat për ndriçim publik
  • 22 shporta për mbeturina

Një vit më herët, Armend Fazliu nga Komuna e Tetovës tha se kjo e fundit ka prishur kontratën me kompaninë që kishte për detyrë të realizoje punimet për shkak të vonesave gjatë kryerjes së punëve, gjegjësisht për mos respektim të kontratës.

“Komuna e Tetovës ka qene ne instanca gjyqësore me operatorin ekonomik pikërisht sepse nuk është respektuar kontrata e fituar ne procedurën e furnizimit publik. Instancat gjyqësore kane vendosur ne favor te Komunës, paraprakisht është konstatuar qe 60% te punëve infrastrukturore janë kryer, dhe është bere prerje, për tu bere e mundur ndërprerja e kontratës dhe planifikimi buxhetor për pjesën e ndriçimit publik, rregullimit te shtigjeve për biçikleta, instalimit të ndriçimit publik, vendosjes se pajisjeve urbane dhe pozicioneve tjera qe dalin nga projekti themelore”, deklaruan një vit më herët nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk.

Me këtë nuk pajtohet Zana Zejnullai, pronarja e kompanisë që është në proces gjyqësor me Komunën e Tetovës, ajo thotë rasti i tyre ende nuk ka epilog dhe se pritet raporti i ekspertëve të cilët do të vlerësojnë se sa i detyrohet komuna kompanisë.

Zejnullai thotë se nuk do të dorëzohet dhe se nga drejtësia do të kërkoje që detyrimet financiare të cilat sipas saj i ka Komuna e Tetovës ndaj kompanisë që ajo udhëheq, të shlyhen.

“Momentalisht jemi në pritje të super ekspertizës. Nga Komuna e Tetovës vazhdimisht bëjnë obstruksione sepse ata e shohin humbjen. Megjithatë, shpenzimet dhe kamata ju ecën për çdo natë. Pas raportit të ekspertëve është gjykata ajo që do të vendose. Ata e prishën kontratën me pretekstin se ne jemi vonuar me punët, por ne nuk kërkuam prishje të kontratës kur ata nuk na paguanin. Në momentin që ne përfunduam me bekatonat dhe projekti filloi të marr pamje, ato e prishën kontratën. Kush do të paguaje bekatonat të cilat i morëm me porosi?” tha Zana Zejnullai, pronare e “IR Group”.

Ndryshe, kompania e cila e ka fituar tenderin për vazhdimin e punëve në bulevardin “Iliria” është ANNRA CENTRUM me seli në Reçicë të Vogël, kjo e fundit, punët duhet ti përfundoje 60 ditë pasi të filloje ndërkaq fillimi i punëve varet nga kushtet atmosferike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button