fbpx

Analizat dhe analistët

Natyra Dika Kërluku

Të bësh analizë është përgjegjësi, ta quash veten analist duhet të kesh përgatitje adekuate. Përdorimi i shpeshtë i këtyre termeve, në disa raste për të treguar “epërsi” mbi tjetrin duke komplikuar gjërat dhe duke mos argumentuar si duhet, krijon konfuzion, paqartësi por mbi të gjitha neveri te publiku.

Analistët e mirë janë ata që kuptojnë se si funksionojnë gjërat dhe që krijojnë qartësi nga kaosi. Dhe për këtë nevojitet njohuri dhe përvojë.

Po çka janë analizat, çka duhet të dimë për to?

Në një botë që fuqizohet gjithnjë e më shumë nga të dhënat, njohuria dhe shkrim-leximi i tyre është po aq i rëndësishëm sa dhe vetë shkrim-leximi. Sidomos në botën e biznesit. Teksa biznesi po bëhet gjithnjë e më kompleks, ndërmarrjet gjithnjë e më shumë bazohen në analitikë. Analiza e duhur e të dhënave krijon bazë të fortë për mbështetjen e vendimmarrjes efektive, ndihmon optimizimin e proceseve dhe nxit inovacionet.

Analiza e të dhënave nënkupton procesin e ekzaminimit të të dhënave për të nxjerrë përfundime në lidhje me informacionin që ato përmbajnë.

Njohuria e të dhënave përcaktohet si aftësia për të lexuar, shkruar dhe komunikuar me të dhëna. Dhe leximi i analitikës mund të përkufizohet në mënyrë të ngjashme si aftësia për të lexuar, shkruar dhe komunikuar me analitikën. Që dy janë të lidhur ngushtë me njëra tjetrën pasi të dhënat paraqesin lëndën e parë të analizave.

E gjithë kjo ka rezultuar me kërkesën gjithnjë në rritje të personave që dinë të bëjnë, kuptojnë, lexojnë apo interpretojnë analiza

Cilat analiza duhen përdorur dhe në cilat raste? Kjo varet nga qëllimi dhe ajo që duam të arrijmë nëpërmjet saj.

P.sh për rishikimin e ngjarjeve në retrospektive, më të përshtatshme janë analizat deskriptive apo përshkruese .Këto lloje analizash i përgjigjen pyetjes, ‘çfarë ndodhi’ dhe kanë të bëjnë me atë çka ndodhur, kur, ku dhe kë ka përfshirë.

Analizat diagnostike nga ana tjetër i përgjigjen pyetjes ‘pse ndodhi’. Bëjnë  shqyrtimin e të dhënave për të kërkuar më shumë detaje, për të identifikuar ndryshimet, anomalitë. Pse ranë shitjet e X produktit? Cilat produkte i blejnë blerësit e rinj?

Pastaj vijnë analizat më të avancuara – ato që japin largpamësi. Analizat prediktive, parashikuese janë ato lloje analizash që prodhojnë parashikime . I përgjigjen pyetjes ‘çfarë do të ndodhë më pas’ . Konsiderojnë jo vetëm se sa një variabël mund të ndikojë te një tjetër, por edhe se si forca e këtij ndikimi ndryshon me kalimin e kohës.

Kurse analizat preskriptive, udhëzuese janë ato që meren me pyetjen: ‘çfarë duhet të bëjmë’. Gjenerohen nga simulime dhe modele optimizuese komplekse dhe të sofistikuara, që japin rekomandime për vendime specifike, si p.sh. Çfarë t’i ofrojmë këtij konsumatori në këtë kohë?. Zakonisht përdorin “Big Data” dhe së fundmi gjithnjë edhe më shumë Inteligjencën Artificiale.

Këto 4 lloje analizash tashmë janë bërë pjesë e fjalorit themelor të analizave të biznesit.

Por sigurisht që për të patur efekt analiza, duhen të zgjidhen të dhënat e duhura të cilat do çojnë te përfundimi i dëshiruar dhe real. Teknikat analitike janë ato që mundësojnë të merrni të dhënat e duhura dhe të zbuloni modele për të nxjerrë njohuri të vlefshme prej tyre. Po përmendi disa vegla apo “tools” që përdoren më së shumti për këtë qëllim:

  • Pivot Tables – vegël që e ofron Excel-I, nëpërmjet së cilës me pak përpjekje mund të krijoni raporte të dobishme për grupe të mëdha të të dhënave.
  • SQL (Structured Query Language) – përdoret për të ndarë dhe menaxhuar të dhëna, veçanërisht ato që gjenden në sistemet e menaxhimit të bazës së të dhënave relacionale, të organizuara në tabela.
  • Power BI – vegël shumë e fuqishme që mundëson lidhjen e grupeve të ndryshme të të dhënave, transformimin dhe pastrimin e të dhënave . Jep mundësi për vizuelizimin e të dhënave, krijimin e raporteve, dashbordeve, etj

Sipas ekspertëve, analistët e mirëfilltë sidomos ata të biznesit duhet të njohin mirë të paktën njërën nga teknikat e lartpërmendura.

Por a mjafton vetëm kjo?

Pasi të kemi ardhur te përfundimi nga analiza e bërë, ajo që pason është mënyra e interpretimit të rezultateve dhe prezantimi i tyre. Analisti duhet ta bëjë këtë nëpërmjet rrëfimit (storytelling) në mënyrën e duhur dhe vizualizimi në këtë mes ka një rol të rëndësishëm

Vizualizimi në rastin konkret i referohet paraqitjes së rezultateve të përfituara duke përdorur forma të lehta për tu kuptuar  – grafiqe, tabela, fotografi, harta etj, të lidhura në mënyrë logjike për të krijuar rrëfimin apo tregimin – zakonisht në formë prezantimesh, qofshin ato video apo Power Point prezentime.

Ky tregim duhet të përcjell mesazhin i cili bazohet në  faktet e dala nga vetë analiza. Gjatë përgatitjes së rrëfimit duhen patur parasysh 2 gjëra: qëllimi i analizës – çka donim të arrinim nëpërmjet saj, dhe cila do jetë audienca – profili dhe pritshmëritë e saj. Tregimi duhet ti përmbahet qëllimit dhe ti përshtatet audiencës për të mos humbur interesin dhe fokusin e saj.

Pra, siç e shihni, të bërit analizë kërkon punë dhe përgatitje serioze. Andaj kujdes me përdorimin e fjalëve ANALITIKË, ANALIZË sidomos ANALIST.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button