1.357 administratorët e punësuar sipas MO-së do të shpërndahen në 258 institucione

Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive në pajtim me obligimet ligjore nga ligji K5, i ka dorëzuar Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut informatën me planin për shpërndarjen e punonjësve administrativ, njofton Portalb.mk.

Në pajtim me Ligjin për shpërndarjen e nëpunësve administrativ të punësuar përmes programit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive do të realizohet shpërndarja e gjithsej 1.357 punonjësve administrativ në gjithsej 258 institucione të pushtetit lokal dhe organe tjera shtetërore të themeluara në pajtim me Kushtetutën dhe me ligj.

“Kjo kategori e të punësuarve do të sistemohet edhe nëpër institucionet që kryejnë veprimtari nga fusha e arsimit, shkencës, shëndetësisë, kulturës, punës, mbrojtjes sociale dhe mbrojtjes së fëmijëve, sportit, si dhe në veprimtaritë tjera me interes publik të themeluara me ligj, kurse të organizuara si agjenci, fonde, institucione dhe ndërmarrje publike të themeluara nga Republika e Maqedonisë së Veriut ose nga komunat, nga qyteti i Shkupit, por edhe nga komunat e qytetit të Shkupit dhe agjencitë aksionare në pronësi shtetërore”, informojnë nga Ministria për Sistem Politik.

Zëvendëskryeministri Grubi me këtë rast thotë se ky plan përfshin të gjithë të punësuarit në Ministrin për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, të cilët kanë lidhur kontrata punësimi deri më datën 31 dhjetor të vitit 2019.

Grubi gjithashtu thotë se sipas planit të dorëzuar deri te Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, punonjësit administrativ do të shpërndahen nëpër institucione tjera, por në vendin e punës në të cilin kanë kontratën për punësim, përkatësisht në një vend të punës për të cilin punonjësi administrativ i plotëson kushtet e përgjithshme dhe të veçanta të përcaktuara në aktin për sistemimin e vendeve të punës në institucionin në të cilin është caktuar.

Ndryshe, punësimi i këtyre administratorëve, gjithmonë është pare si një makineri votuese nga kritikët. Temellko Ristevski, ligjërues në Fakultetin e Administratës Politike, disa muaj më pare deklaroi se “t’i gjesh punë dikujt vetëm sa për ta punësuar, nuk është në rregull, sepse bie ndesh me parimin për të pasur një administratë efikase dhe profesionale. Punësimet për qëllime politike në një mënyrë do të thosha paraqesin gangrenë për funksionalitetin e administratës”.

Ai e mbështeti zvogëlimin e administratës për 20 për qind, megjithëse shtoi se do të jetë shumë e vështirë për ta realizuar, pasi siç nënvizoi, çdo përbërje qeveritare ka frikë nga humbja e votuesve nëse le pa punë një pjesë të administratorëve.

Pikërisht kjo e fundit, lë shumë hapësirë për te dyshuar nëse këta administratorë që nuk pranojnë asnjë vend pune, por duan të marrin rrogë, do të humbasin vendin e punës. Çështja nuk është se ata me çdo kusht duhet ta humbasin vendin e punës, por se duhet t’iu gjendet punë në bazë të përgatitjes së tyre dhe pikërisht sepse kjo mënyrë e të marrit rrogë duke qëndruar në shtëpi minon parimet e meritës.

Pproblemet me administratën kanë qenë edhe ndër kritikat më të mëdha të Komisionit Evropian dhe grupit të ekspertëve të  Rejhard Pribesë ndër vite. Ata në vazhdimësi kanë kërkuar departizim dhe sistematizim të administratës. Komisioni Evropian në raportin e fundit,  krahas përparimeve, numëroi edhe shumë mangësi në fushën e administratës publike. Sipas raportit administrata e Maqedonisë së Veriut vazhdon të jetë e mbingarkuar, megjithëse janë ndërmarr disa hapa në këtë drejtim. Në të thuhet se duhet të sillet vendim përfundimtar nga institucionet përkatëse për pjesën e mbetur të këtyre punonjësve, pasi kjo çështje prej kohësh minon parimet e meritës dhe efektivitetit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button