Studentët nuk largohen për qejf, Qendresa: Të kishte arsim cilësor në RMV, nuk do ta kërkoja atë jashtë kufijve!

Askush nuk do të zgjidhte një vend të huaj për të studiuar në qoftë se arsimi në vendlindje do të ishte cilësor, kështu studentja Qendresa Bajrami tha në një intervistë për Portalb.mk, duke shpjeguar arsyet e largimit të saj nga vendi për studime. Ndërkaq, aktualisht ka 5.704 student të RMV-së në botë, shkruan Portalb.mk.

Mbi 5.700 të rinj nga Maqedonia e Veriut, pasi e kanë mbaruar shkollimin e mesëm, janë larguar jashtë vendit për të studiuar, kështu tregon raporti i një prej organizatave më kredibile në botë, UNESCO, apo Organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara.

E intervistuar nga Portalb.mk, këtë javë ishte studentja Qendresa Bajrami, ajo tash katër vite jeton dhe studion në një nga universitetet më prestigjioze në Britaninë e Madhe, thotë se nga vendi u largua për një perspektivë më të mirë.

“Jam larguar nga Maqedonia e Veriut katër vite më herët, arsyeja kryesore e largimit tim nga ai shtet ishte për një perspektivë më të mirë për veten si dhe të kryej edukimin në universitete ku cilësia është shumë e lartë” tha Qendresa Bajrami, studente.

Qendresa theksoi se përkundër asaj që ajo ka dëshmuar në Maqedoninë e Veriut, arsimi në Britaninë e Madhe bazohet në diturinë dhe aftësinë e personit, sipas saj, kjo nuk ndodhë në RMV.

Qendresa Bajrami, studente.
Qendresa Bajrami, studente.

“Absolutisht që arsimimi dhe edukimi në një vend të huaj të jep shumë përparësi, këtu nuk bëhen dallime të religjionit apo racës, ndërkaq vlerësohet dituria dhe aftësia e personit. Këtu nuk ekziston korrupsioni ndërkaq fatkeqësisht të gjitha këto dukuri ndodhin në Maqedoninë e Veriut, atje gjithmonë përparësi ka ai që është më i pasur dhe pas atij ose asaj vijnë ata që janë realisht të aftë” tha Qendresa Bajrami.

Sipas studentes Bajrami, ajo asnjëherë nuk do të ishte larguar nga Maqedonia e Veriut në qoftë se këtu do të krijoheshin kushtet për një arsim cilësor, për shkak të mos ekzistimit të kësaj të fundit, ajo me keqardhje thotë se është “detyruar” të largohet nga vendi.

“Në Maqedoninë e Veriut nuk ekzistojnë dukuritë e mira të cilat i ceka më herët, të vlerësohej dituria dhe aftësia çdokush nga ne studentët do të zgjidhnim vendin tonë për të studiuar, mos të harrojmë se më e keqja andej është se ne si shqiptar jemi dhe të diskriminuar kështu që ka shumë faktor” shtoi Qendresa.

Ndërkaq, studentja e cila tash katër vite jeton jashtë kufijve të RMV-së foli me shumë mall për vendlindjen, ajo tha se kjo e fundit nuk krahasohet me asnjë vend në botë. Për këtë arsye, ajo ende nuk e ka vendosur se a do të vazhdoje të jetoje edhe pas studimeve në Britaninë e Madhe apo do të kthehet.

Ndryshe, studentët nga RMV studiojnë në shumë shtete të botës e më së shumti, në Turqi, Bullgari dhe Slloveni. Sipas raportit të UNESCO-s, studentët e larguar nuk dëshirojnë të kthehen në vendin amë dhe kjo shkon në dëm të shtetit, për shkak se shteti atyre studentëve u ka paguar mësues e profesorë për të shkolluar, u ka siguruar libra, mjete për mësim, ngrohje, trajnime e gjithçka që nevojitet për mjedisin arsimor, ndërkaq shteti që ata kanë shkuar për të studiuar, i ka pranuar si kuadro të përgatitur deri në një shkallë të caktuar ku janë të aftë që pas mbarimit të shkollimit të lartë të punojnë për atë shtet që nuk ka investuar në ato.

Mbase një ndër arsyet e ikjes, sipas asaj që kemi hulumtuar është dhe mungesa e ofrimit të arsimit cilësor. Këtë e dëshmuan edhe në hulumtimin tonë, ku studentët pa mësuar i blejnë temat e diplomave të baçelorit e magjistraturës – në këtë mënyrë ata nesër kanë diploma të barasvlershme me kuadrin që me dije ka mbaruar shkollimin. Sipas analizave tona, mbi 13.413 shpallje për shit-blerje të tezave të magjistraturës dhe baçelorit janë aktive aktualisht në një nga faqet që merret me tregti në Maqedoninë e Veriut, çmimet dallojnë varësisht prej kërkesës, edhe atë deri në 500 euro, e në qoftë se je me fat, magjistër i shkencave mund të bëhesh për vetëm 150 euro. 

Shteti në gjumë ndaj këtij fenomeni. Asnjë nga këto mijëra shpallje nuk i ka rënë në sy inspektorëve të Arsimit në vend. Një gjë e tillë nuk rregullohet as me ligjet pozitive në vend ndërkaq shoqëria civile dhe njohësit e arsimit, alarmojnë se kjo situatë mund të na çoje deri në degradimin total të arsimit në vend.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button