Osmani: Do ta vazhdojmë komunikimin me Qeverinë në Sofje

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në konferencën e sotme për media, deklaroi se do ta vazhdojnë komunikimin me Qeverinë në Sofje dhe me vendet e tjera anëtare të BE-së për tejkalimin e dallimeve me Bullgarinë dhe për fillimin e negociatave qasëse, transmeton Portalb.mk.

I pyetur për koordinimin e ekipit qeveritar për eurointegrime në lidhje me hapat e ardhshëm dhe udhëzimet në bazë të së cilave do të vazhdojnë negociatat me Bullgarinë, ai tha se koordinimi me kryeministrin dhe të gjithë aktorët në vend që në ditët e para të vitit, përcjellë porosi se pala maqedonase dëshiron zgjidhje dhe se për çështjen e BE-së nuk do të humbasim asnjë ditë, pavarësisht zhgënjimeve nga rezultati i dhjetorit.

“Ne duhet të vazhdojmë dhe çdo ditë e shohim si mundësi për tejkalimin e dallimeve dhe për të ecur përpara në proces. Kemi shqyrtuar kalendarin, kemi shqyrtuar mënyrat se si konstalacionet e reja do të ndikojnë në rezultatin, ajo që është e qartë dhe është dakorduar është se vazhdojmë me komunikimi dhe me vendet anëtare edhe me Republikën e Bullgarisë në tentim për t’i tejkaluar dallimet”, deklaroi Osmani.

Ai pret që sot të vendoset ky komunikim dhe sa më shpejt vendi të marrin përgjigje për propozimet e tyre.

“Tani është koha të marrim përgjigje sepse është fillimi i vitit dhe për këtë duhet të vërtetohen planet aksionale të ministrive të linjës dhe sa më shpejtë të vjen ajo përgjigje, e cila mund të jetë bazë për plan aksional të harmonizuar me qëllim që ministritë të fillojnë menjëherë me implementimin e asaj që është në planin aksional. Unë shpresoj se së shpejti, në ditët e ardhshme do të ketë përgjigje për atë plan aksioanl”, tha Osmani.

Ndërkohë, kryeministri Zoran Zaev mbrëmë deklaroi se vështirë se do të mund të negociohet deri në zgjedhjet  28 marsit në Bullgari,

“Por, për këtë mund të fillojnë të zgjidhen disa çështje, siç është për shembull zbatimi i planit aksional. Të shohim se çfarë do të zgjidhet deri më 28 mars, përkatësisht deri në zgjedhjet në Bullgari. Deri atëherë, vështirë se do të negociojmë por mundemi ta realizojmë planin aksional”, deklaroi Zaev.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perendimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te antarët e Bashkimit Evropian.

Ndërkohë viti 2020 shihej më shumë optimist për eurointegrimt, pasi BE-ja kryesohej nga Gjermania, e cila dukej shumë e përkushtuar për zgjerimin e BE-së dhe fillim të negociatave me Maqedoninë. Përpjekjet për “bindur” Bullgarinë ranë në ujë dhe procesi integrues është shtyrë për vitin 2021. Ndërkohë gjysma e parë e vitit 2021 është nën presidencën portugeze, e cila karakterizohet si me më pak interes për zgjerimin, kurse Bullgaria ka zgjedhje në mars, kështu që me gjasë vendimi ndoshta do të shtyhet deri në gjysmën e dytë të vitit 2021, gjë që shkakton shqetësim te shumica e vendeve anëtare lidhur me mirëmbajtjen e kursit të reformës në Maqedoninë e Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button