Për 10 ditë Tetova duhet t’i ketë pesë autobusët, Memeti: Nëse nuk i sjellin, do ketë dënime!

Dhjetë ditë kanë ngelur nga afati i paraparë kur duhet të arrijnë pesë autobusët për transport publik në Tetovë. Kryetari i Këshillit Komunal, Bekim Memeti, për Portalb.mk tha se autobusët do të vijnë në afatin e paraparë sepse në të kundërtën, do të ketë dënime për kompaninë përkatëse.

Bekim Memeti, kryetar i këshillit komunal, Tetovë.
Bekim Memeti, kryetar i këshillit komunal, Tetovë.

Për t’u siguruar se këto autobusë do të vijnë në kohën e paraparë në marrëveshjen mes kompanisë e cila do ti sjellë ata dhe komunës së Tetovës, pyetëm kryetarin e këshillit komunal, i cili ishte i bindur se nuk do të ketë vonesa eventuale.

„Afati nga data e nënshkrimit të kontratës deri në datën e sjelljes së autobusëve është gjashtë javë, ende nuk kanë kaluar, mirëpo besoj që firma e cila ka fituar tenderimin do ti sjellë ata në kohë sepse në qoftë se nuk i sjell atëherë ka dënim” tha Bekim Memeti.

Sa do të jetë çmimi për një destinacion?

Sipas kryetarit të këshillit, çmimi për një udhëtim do të jetë 20 denarë. Megjithatë, kjo nuk është zyrtare pasi që dokumentin me çmimore të reja duhet ta votoje këshilli komunal, me propozim të Ndërmarrjes Publike “Tetova Transport”, ku drejtor është Fejsal Beadini.

Ky i fundit, për Portalb.mk konfirmoi se çmimorja është gati, megjithatë, nuk mund të bëhet publike pasi ende nuk është zyrtarizuar, gjegjësisht nuk ka dalë për votim para këshillit komunal.

Rikujtojmë se me datë 4 dhjetor është nënshkruar kontrata mes komunës së Tetovës me kompaninë “AutoMakedonija” për furnizim me pesë autobusë të cilët do të shfrytëzohen për transport publik. 

Si do të duken autobusët?

Portalb.mk mëson se këta autobusë të cilët kanë kushtuar gjithsej 44 milion denarë janë të modelit Isuzu CitiPort dhe duken kështu:

Isuzu Citiport, autobus.
Isuzu Citiport, autobus.

Nënstacionet  e busave janë vendosur 

Disa stacione pritëse janë vendosur në pjesët më të frekuentuara të qytetit, duke filluar nga hyrja e qytetit, qendra (gjykata themelore) e deri te rruga e universiteteve.

Stacionet pritëse për autobusë, Tetovë.

Premtimin për transportin publik në Tetovë, kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi e dha në mandatin e saj të parë në Programin për zgjedhje lokale të vitit 2013 “Ndërtojmë së bashku“,  ndërsa të njëjtën e përsëriti dhe në debatin e organizuar nga “BIRN Kosovë” dhe “Portalb.mk” në tetor të vitit 2017. Ky premtim i Arifit nuk është realizuar. 

Nga ana tjetër, Komuna e Tetovës në shtator të këtij viti për herë të dytë e ka themeluar ndërmarrjen për transport publik “Tetova Transport”, pasi e para nuk ka arritur të vihet në funksion dhe e njëjta ka pushuar së vepruari automatikisht shkaku i afateve ligjore për funksionalizim të së njëjtës, kurse në mbledhjen e fundit të Këshillit Komunal, u votua edhe statuti i kësaj ndërmarrje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button