Berisha në Facebook: Bashkimi i shqiptarëve zgjidhja më e mirë për rajonin!

Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha ka reaguar sot përmes adresës së tij në Facebook ndaj heqjes së lapidarit përkujtimor të UÇPMB-së, duke thënë se ky akt është dëshmi e Beogradit për albanofobinë ndaj shqiptarëve.

“Akti i heqjes së monumentit të heronjve të kombit shqiptar të Luginës së Preshevës, është dëshmi tjetër e albanofobisë që sundon politikën zyrtare të Beogradit ndaj shqiptarëve. Ky akt dëshmon dhe një herë se bashkimi i kombit shqiptar është vendimtar për të ardhmen e tij por dhe për çlirimin e fqinjëve tanë nga albanofobia dhe pasiguria që ndiejnë ata që kanë pushtuar trojet e shqiptarëve dhe shërbehen me praktika raciste dhe fobie ndaj tyre”, shkruan kreu i qeverisë shqiptare në faqen e tij në Facebook.

Berisha u bën thirrje shqiptarëve të Preshevës për vetëpërmbajtje dhe siguron shqiptarët në Serbi se Shqipëria do të ndërhyjë me anë të institucioneve ndërkombëtare për ta zgjedhur këtë çështje.

“Duke iu shprehur mbështetjen e plotë qytetareve dhe udhëheqësve politikë të Preshevës, sërish u bëj thirrje të shmangin provokimet, të ruajnë gjakftohtësinë ndaj terrorit policesk të Beogradit dhe i garantoj se Shqipëria do bëjë gjithçka në të gjitha institucionet ndërkombëtare për t’i dhënë fund terrorit policor ndaj shqiptareve që jetojnë në trojet e tyre etnike në Luginën e Preshevës. Ata që shkulën monumentin e heronjve të Preshevës duhet ta dinë se; Të rënët tanë nuk vdesin kurrë!”, përfundon Berisha.

Deklaratat për bashkim kombëtar nga kryeministri shqiptar janë shtuar që pas festimeve të 100 vjetorit të pavarsisë së Shqipërisë port ë njejtat shpesh janë cilësuar nga analistët si propaganduese dhe pa plan konkret realizues. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button