LALANDE MBI NDËRGJEGJEN

Pierre André  Lalande është filozof i shquar francez. Ka lindur më 9 korrik1867 në Dizhon, kurse ka vdekur më 15 nëntor 1963 në Asnières. Në liceun e Sensit ka qenë nxënës i Émile Durkheimit, një nga arkitektët e sociologjisë moderne. Në Shkollën e Lartë Normale ka hyrë më 1885, kurse është doktoruar më 1899; ka ligjëruar në lice përderisa u caktua si lektor e më pas si shef i katedrës së filozofisë në Universitetin e Sorbonne-ës (1904).

Anëtar i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike (1922)  dhe i Akademisë Mbretërore Belge (1945), ligjërues në Universitetin e Kajros, njeri që jetën ia ka kushtuar kauzës së komunikimit ndërkombëtar dhe përhapjes së dijes.

Lalande ka qenë një nga themeluesit e Shoqërisë Frënge të Filozofisë (1901). Atë e bëri të famshëm vepra e tij Fjalor filozofik teknik dhe kritik (Vocabulaire technique et critique de la philosophie, v. 1–2, 1926; bot. 7, 1956), që bazohej në diskutimet rreth terminologjisë filozofike në shoqëri. Punimet tjera të Lalande kanë të bëjnë me filozofinë e shkencës, logjikën, psikologjinë dhe etikën. Filozofia e tij kombinon elemente pozitiviste dhe metafizike-spiritualiste. Përkundër idesë së filozofit anglez H. Spencer për evolucionin, Lalande sugjeron parimin e involucionit ose të kthimit në vete: nëse një shqyrtim sipërfaqësor i gjërave shpalos faktin se evolucioni çon në diferencim të vazhdueshëm, realiteti universal konsiston në lëvizjen nga heterogjenja drejt homogjenes dhe të njëtrajtshmes. Ai mendimin racional e ka parë si shprehjen më të lartë të shkatërrimit.

Ndër veprat e tij origjinale janë:
Lectures sur la philosophie des sciences (Ligjërata të filozofisë së shkencës), Paris, 1893.
L’Idée directrice de la dissolution opposée à celle de l’évolution… (Ideja kryesore e shpërbërjes përkundër asaj të evolucionit), Paris, 1899.
Précis raisonné de morale pratique (Morali praktik), Paris, 1907.
La Psychologie des jugements de valeur (Psikologjia e gjykimit të vlerave), Kajro, 1929.
Les Théories de l’induction et de l’expérimentation (Teoritë e induksionit dhe të eksperimentimit), Paris, 1929.
Les Illusions évolutionnistes (Iluzionet e evolucionistëve), Paris, 1930.
La Raison et les normes (Arsyeja dhe normat), Paris, 1948.
Ai është autor edhe i veprës Precis Raisonne de Morale Pratique (Etika: shkurt e shqip, përkth. A.P., ISPN, Shkup, 2014), një doracak ky i etikës në kontekstin e arsimit publik francez që nga fillimi i shek. XX, ku ai i trajton tema të ndryshme nën objektivin pedagogjik, në formën e pyetje-përgjigjeve (229 gjithsej), duke ofruar për çdo pyetje një shpjegim/përgjigje të shkurtër e të qartë. Në këtë kolumnë do të japim një shkëputje nga vepra e sipërpërmendur lidhur me ndërgjegjen:
Ç’është ndërgjegjja?
Është ndjenjë instinktive që e kemi lidhur me të mirën a të keqen para veprimit etik.

Ku e ka origjinën kjo ndjenjë?
Në vende të ndryshme:
Një kategori e saj është e përgjithshme si na-tyra e llojit njerëzor, si qytetërimi.
Një kategori tjetër është e veçantë për një grup të vogël individësh, është specifike ve-tëm për ne. Si edukata, shprehitë, rrethi, karakteri ynë i parë.

A mund të gabojë ndërgjegjja?
Po, si jo. Nganjëherë është e pamjaftueshme, e errët, madje e gabuar. Këto të meta vijnë nga veçoritë që e përbëjnë ndërgjegjen, nga rastësitë. Por, marrë në përgjithësi ndërgjegjja e përcakton bukur drejt “të mirën” dhe “të ke-qen”.

Në cilat raste duhet mbështetur ndërgjegjes?
Para veprimit, në të gjitha situatat kur s’ka as mundësi e as kohë që vlera etike e veprimeve të analizohet shkencërisht.

Nëse është kështu a s’shfaqet mundësia e gabimit a huqit?
Po. Por ky është një rrezik që duhet marrë pa-rasysh në çdo veprim. Për shembull, një mjek, në gjendjen kur s’arrihet që të sëmurit t’i caktohet diagnoza, madje edhe nëse nuk është plotësisht i sigurt se ai do të përmi-rësohet, prapëseprapë me të gjitha mundësitë që ka mundohet që ta kurojë.

Ky rrezik a është i rëndësishëm në aspekt të moralit?
Jo, sepse madje edhe nëse ka huq, ekziston një gjë e quajtur vullnet për të vepruar sipas ndërgjegjes.

Cilat janë rrugët e minimizimit të shkarjeve?
Ndriçimi i plotë i vetvetes lidhur me ngjarjet për të cilat interesohen ndjenjat tona.
Të shtruarit pyetje vetvetes nëse ndjenjat tona bien ndesh me moralitetin ose janë rrjedhim i rastësisë.
Krahasimi i ndërgjegjes sonë, sa të jetë e mundshme, me ndërgjegjen e atyre që ka-në potencë iluminuese të të tjerëve.

Në ç’mënyrë duhet bërë këtë krahasim?
Në dy mënyra: Ose duke hulumtuar jetën dhe veprat e njerëzve me famë botërore, me grada të larta morale ose përmes bisedave të zhvilluara me individët e mirë me të cilët mund të flasim lirshëm dhe në mënyrë të sinqertë.

A mund të emërtohen me ‘moral’ edhe normat e gabuara dhe të rreme?
Po, shumë herë. Ka shumë rregulla, legjenda dhe paragjykime të cilave njerëzit u referohen për moral ndaj të cilave duhet të jemi të matur dhe të mos ndikohemi prej tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button