VAJI I DAKTILOGRAFES

E kisha banesën në kuartin e përhitur, në katin përdhesë në vitet e diferencimeve “kundër nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar. Në atë banesë nuk kishim vend për gjerat themelore që i kërkon jeta, prandaj disa libra e revista isha i detyruar t’i vendos në ballkon. Në ballkon i varnim teshat të teren, në ballkon diçka që nuk na nevojitej shpesh, si ndonjë gomë biciklete dhe revistat. Revistat, madje zinin më shumë vend. Këto gjëra filluan t’i ndjellin disa hajna nga lagjja e jevgjve që e kisha afër e me të cilën na ndante vetëm një rrugë. Mezi i siguroja ato revista me rrogën time të gazetarit, por çfarë mund të bësh. Sepse, në to, përveç materialeve interesante origjinale letrare, kishte edhe përkthime të autorëve botërorë. Prandaj kur një ditë dola të kërkoj disa revista, u habita se asnjëra nuk ishte aty. Thuajse kishin fluturuar. “Eh i paska marrë dora e djallit”, thashë vet me vete. Megjithatë më desh të pyes mos ndokush nga fqinjët do ta ketë parë njeriun që i ka marrë. Më drejtuan kaha lagjja e jevgjve. Shkova menjëherë të pyes e t’u them se jam i gatshëm madje edhe t’i paguaj mirë që të m’i ktheni se i kam për punë. Sa e vura kontaktin me të zonjën e shtëpisë, për dy-tre minuta, më rrethuan 30-40 gra, pleq e fëmijë. “A mendove ti se ne jemi hajna?! Si mund të na fyejsh kështu! Ne nuk prekim, nuk jemi hajna, jetojmë qetas me hallet tona në këto biruca të cilat i konsiderojmë si shtëpitë tona. Mos bac, mos hyn në gjynah me ne kështu!”. Ndërkohë turma filloi të shtohet e zme të edhe zhurma. Atëherë e ndjeva veten si një kloun i patalent midis skenës së cirkut. Ngadalë, duke kërkuar të hapin rrugë, dola disi, kurse zhurma e fjalëve të turmës nuk pushoi derisa unë u largova duke e kaluar rrugën që e ndante lagjen tonë me ndërtesa dhe lagjen e tyre me shtëpiza të ngjitura njëra me tjetrën.

Në njërën revistë e kam lexuar një shënim të Svetozar Markoviqit, socialistit të njohur serb i cili e përshkruante Beogradin si kryeqytet të Serbisë, një qytet i vogël ku jetonin serbë e turq. Gjuhë zyrtare asokohe kanë qenë turqishtja dhe serbishtja. Më duket se në këtë revistë flitej edhe për lagjen e shqiptarëve, të cilët i quanin si njerëz të ligë. Përmendej aty edhe një njeri vendas nga shqiptarët e Beogradit të cilin revista e quan Cena Arnautin, zlikovac Cena Arnautin (Cenë shqiptari, Cenë krimineli). Më vjen keq për këto revista me këto të dhëna. Të kota ishin lutjet e mia se do t’i bleja prej tyre shumë më shtrenjtë se sa që i shisnin në ndërmarrjet që grumbullonin mbeturina. Lutjet e mia e prekën sedrën e tyre dhe të gjithë e ngrinin zërin e madje nisën të më fyejnë pse, sipas tyre, me këtë kërkesë që bëra në fakt u vija njollën e zezë të hajnave. Kuptohet që e lashë turmën dhe e kalova rrugën që i ndante dy lagjet..

Kur u futa në shtëpi përpiqesha të më kujtohet numri dhe viti i botimit e titulli i revistës që ta kërkoj në bibliotekë. Por s’më kujtohej se asokohe në Jugosllavi, në Beograd, Zagreb, Novi Sad, Sarajevë, Mostar, Titograd e shumë qytete tjera botoheshin shumë revista. Bashkë me revistat shkuan shumë shkrime e përkthime të autorëve të njohur botërorë, prozë e poezi, të cilat do të kisha dashur t’i kem edhe sot. Kot. Më kujtohet kur po largohesha nga turma, kur një grua më tha: “Kujdes mos të na ngjesësh më etiketa hajnash se do ta paguash shtrenjtë. Tash, ec, po ta falim. Ne jemi njerëz. E kuptove?!”

Pastaj i kontrollova bravat, dyert dhe dritaret. Desha të sigurohem nga ndonjë hakmarrje pse i kërkova revistat e mia te ata. Por kaluan ditë e ditë, nuk pata ndonjë dëm të madh në ballkon, përveç do pantallonesh prej xhinsi për fëmijë dhe një gome të bicikletës. Po kush mërzitej më për to. Kjo s’ishte asgjë. Menjëherë pas kësaj u shpik aksioni antishqiptar i ashtuquajtur “Lufta kundër nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar”, i cili më vonë e ndërroi emrin në “Luftë kundër nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar”. Kjo ishte hataja që do të kalonte mbi kurrizin tonë.

Tash siguria e banesës mbeti në plan të dytë. Ishin ecuritë e aksionit politik të Lidhjes së komunistëve të Maqedonisë. Isha në një pozitë të vështirë.Nuk më punohej më për shkak të censurës së egër dhe detyrimit që shkrimet vazhdimisht të ilustrohen me ndonjë citat të Titos dhe duke përmendur Lidhjen e komunistëve. Por vazhdoja të punoj punë boshi sa mos të mbetem rrugëve dhe mos t’u jap “argumente” hafijeve që jam “armik i popullit”. Megjithatë ata vazhdimisht më mbanin në shah. Në çdo lëvizje timen, ata e gjenin një mënyrë për të më dhënë shah. Kështu ata ishin në përparësi të madhe, por një zot e di se rezultati një herë për një herë ishte – remi mes meje dhe hafijeve. Organet e brendshme “të pushtetit popullor” nuk ishin të kënaqur, prandaj nisën të marrin masa të tjera “për të demaskuar nacionalizmin shqiptar”.

Pasuan mbledhje, pasuan presione që bëhesha dëshmitar i rrejshë, pasuan gjykime të Komisionit disiplinor të Shtëpisë Nova Makedonija, në kuadër të së cilës botoheshin edhe gazeta dhe revistat shqipe. Në njërën nga ato mbledhje të cilat regjistroheshin. Juristi që e kryesonte komisionin ia diktonte gjyqin që zgjaste gjatë. Daktilografja shkruante e përlotur. Kur dolëm në koridor daktilografja i tha një gruaje që po vinte nga ana e kundërt e kahes kah duhej të largoheshim ne: “Duan ta marrin në qafë njeriun… Çfarë ligësie është kjo!” Pastaj më pa se unë isha pranë saj dhe ajo shpërtheu në vaj.

Ndjekjet vazhduan, por idealet dhe e vërteta i ruajta me vendosmëri dhe me sakrifica. Vaji i daktilografes më ka mbetur i freskët në kujtesë dhe ishte për mua edhe një nga shumë dëshmi dhe argumente se unë isha në udhë të perëndisë, kurse ata ishin me djallin.

Ndjehem mirë se me të gjitha presionet, diçka të shenjtë kemi ruajtur dhe e kemi mbrojtur. E kemi konservuar gjuhën e shenjtë shqipe dhe i kemi vënë një digë të fortë përpara stuhisë së egër antishqiptare që synonte zhdukjen e gjuhës shqipe. Shenjën më të shenjtë që kemi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button