Mariçiq: Deri në fund të marsit do të pajisen 10 salla në 5 gjykata për gjykim online

Deri në fund të marsit do të pajisen 10 salla në 5 gjykata themelore në vend për mbajtjen e gjykimeve online, paralajmëroi ministri i Drejtësisë Bojan Mariçiq, transmeton Portalb.mk.

“Patjetër t’i shfrytëzojmë përfitimet e teknologjisë moderne nëse duam që të jemi në rrjedhë me rrjedhat moderne. Tanimë e dini se në Gjykatën e Kavadarit është mbajtur seancë gjyqësore online, a ajo duhet që të jetë edhe motiv se është e mundur edhe në Maqedoninë e Veriut”, tha Mariçiq.

Ai theksoi se Ministria e ka hapur temën për gjykim online dhe digjitalizim të gjyqësorit që nga fillimi i pandemisë.

“Çështja për digjitalizimin nuk është nëse, por kur, a pandemia është vetëm një katalizator i nevojës për këtë proces”, shtoi ministri.

Në vitin 2021, ashtu siç theksoi ministri Mariçiq, do të intensifikohet puna e vendosjes së dispozitave përkatëse ligjore, a plotësisht do të punohet në sigurimin e pajisjes së nevojshme për zhvillim të pandalshëm të procesit.

Ideja për gjykim online u hodh në opinion pasi që shumë gjykime filluan të anuloheshin pasi që, disa prej palëve të përfshira në proces ishin infektuar me KOVID-19, apo kishin qenë të detyruar në mbylleshin në izolim për shkak të kontakteve me të infektuar.

Zvarritja e proceseve gjyqësore, mund të çojë edhe deri në vjetërsimin e lëndëve dhe kryerësit eventual të veprave penale të mos përgjigjen përpara ligjit. Kjo më tepër theksohet duke e pasur parasysh që shumë lëndë të ish Prokurorisë Speciale janë zvarritur me vite të tëra, me arsyetime banale me qëllim që të vjetërsohet lënda.

Për zvarritjen/vjetërsimin e lëndëve, po punon edhe Këshilli Gjyqësor i cili i ka angazhuar kryetarët e gjykatave që të kontrollojë se kush dhe pse ka lejuar të vjetërsohen lëndë të caktuara. Për shkak KOVID-19, Këshilli Gjyqësor e anuloi konferencën, në të cilën do të duhej që të ftohen të gjithë krerët e gjykatave për të diskutuar për këtë çështje.

Reformat në pushtetin gjyqësor vazhdojnë të jenë pika e zezë e  të gjitha pushteteve të deritanishme, të cilat nuk arritën që ta ndajnë nga ndikimet politike. Pandemia e virusit korona i la në hije këto reforma, të cilat përveç se janë të rëndësishme për vetë funksionimin e shtetit ligjor, janë dhe kusht i domosdoshëm për anëtarësimin e vendit në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button