Zaev: Do ta zvogëlojmë administratën

Politika e qeverisë është e qartë – administrata do të zvogëlohet dhe do të bëhet gjithnjë e më shumë në shërbim të qytetarëve, thotë kryeministri Zaev. Struktura e saj ende ndien pasojat e partizimit masiv të institucioneve që ndodhën 11 vjet deri në 2017 dhe zbatimin e operacionit “shteti i robëruar”

Kryeministri Zoran Zaev, në një intervistë për MIA, tha se përkundër shkurtimit të buxhetit dhe recesionit, reformat e administratës mbeten një nga përparësitë për Qeverinë.

“Buxheti për vitin 2021 është votuar dhe përmban fonde për të gjitha reformat e parashikuara dhe proceset ekonomike. Dhe tani duhet të punojmë, shumë të punojmë, secili prej nesh të japë maksimumin, dhe kjo vlen për secilin nga nëpunësit civilë. Dhe këtu është standardi – kush është i gatshëm të punojë dhe të jetë në shërbim për qytetarët nga të cilët është paguar, nuk ka pse të shqetësohet për asgjë. Natyrisht, një pjesë e administratës natyrisht do të gravitojë drejt sektorit të biznesit dhe një pjesë do të pensionohet sipas kornizës ligjore. Për çdo rast, politika e qeverisë është e qartë – administrata do të tkurret dhe do të bëhet më e orientuar drejt shërbimit ndaj qytetarëve”, thotë Zaev.

Zaev shtoi se Qeveria që ai drejton si në këtë mandat, ashtu edhe në mandatin e mëparshëm, punon në parimet se nuk do të ketë shkarkime për shkak të revanshizmit. Përkundrazi, shton ai, ne kemi hyrë në një proces të reformës së thellë të administratës publike.

“Ne kemi hapur një proces për krijimin e një administrate profesionale dhe efikase, të përgjegjshme dhe transparente, e cila do të ofrojë shërbime cilësore për qytetarët dhe sektorin e biznesit dhe do të mbrojë të drejtat e tyre. Duke zbatuar parimet e drejtësisë dhe ekspertizës në punësim dhe objektivitet në ngritjen në detyrë dhe shpërblimin e punonjësve të administratës publike, Qeveria e Republikës së Maqedonisë Veriore krijon një administratë që do të lirohet nga përkatësitë partiake dhe do t’i përkushtohet zgjidhjes së problemeve të qytetarëve dhe bizneseve, duke respektuar parimet e ligjshmërisë dhe paanësisë në kryerjen e detyrës “, tha Zaev.

Ndryshe ligji për sistemimin e administratorëve të punësuar me programin K-5, i cili kaloi në Kuvend, nuk është zgjidhja definitive për sistemimin e të gjithë administratorëve që rrinë në shtëpi dhe marrin rroga. Veçanërisht jo e atyre të cilët, nuk do ta pranojnë vendin e punës që i është ofruar, pasi ata mund të thirren në ligjin për nëpunësit administrativ dhe ligjit të të punësuarve në sektorin publik. Ndryshe, kjo do të thotë që: nëse e përjashtojnë nga puna një administratorë që ka refuzuar ofertën e punës, ai mund ta padisë institucionin dhe në instancën më të fundit do të fitojë, do t’i kthehet vendi i punës dhe madje edhe do të dëmshpërblehet, shkruan Portalb.mk.

LEXO: Nëse një administrator i MO-së përjashtohet nga puna, ai mund ta padisë shtetin dhe në instancën më të fundit do të fitojë

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button