Gara për vaksina dhe imunizimi

Komisioni Evropian (KE) miratoi një paketë prej 70 milion euro nën Instrumentin e Para-Anëtarësimit (IPA II) për të ndihmuar financimin e hyrjes së shteteve të Ballkanit Perëndimor në vaksinat kundër Covid-19 të prokuruara nga shtetet anëtare të BE-së. Ndërkohë janë ngritur disa shqetësime në Maqedoninë e Veriut (MV) për kohën e ardhjes së vaksinave dhe pse qeveria në Shkup nuk po tregohet aq e aftë për të blerë apo siguruar vaksina për shtresën më kritike të popullatës. Anëtarë të së djathtës ekstreme në Shkup, kanë akuzuar qeverinë e kryeministrit Zaev për menaxhimin e keq të pandemisë dhe mënyrën se si qeveria po mundohet të arsyetojë dështimet. Vetëm Serbia nga ish republikat jugosllave ka arritur në kohë që bashkë me vendet e BE-së të fillojë vaksinimin dhe të projektojë fuqi apo edhe ndërhyjë në punët e brendshme të shteteve fqinjë siç është rasti me njoftimet për fushatën e vaksinimit të serbëve në veri të Kosovës. Kurse në MV, e djathta maqedonase madje ka ironizuar se vendi si anëtare e NATO-s nuk i është mundësuar qasje në vaksinat nga BE-ja, pako që parashikohen të arrijnë në fund të muajit shkurt.

Mirëpo, as Kosova, Mali i Zi dhe Shqipëria nuk kanë pranuar ndonjë paketë vaksinash kundër Covid-19 nga BE-ja apo ndonjë shtet anëtarë i NATO-s. Mbetet ende e paqartë nëse përveç Serbisë, qeveritë tjera që e përbëjnë WB-6 do të nënshkruajë kontrata me kompanitë ruse dhe kineze për të siguruar dhe shpërndarë dozat e para të “Sputnik- 5” dhe “Sinopharm”.

Në rastin e MV-së, nuk është se ndonjë shtet prodhues i vaksinave ia ka ndaluar qeverisë në Shkup porositë për paketën e vaksinave kundër Covid-19, çështja është tek organizimi i qeverisë, donatorët apo edhe mënyrës së kërkesës nga palët drejtuar korporatave. E para, ka të bëjë më përpjekjet individuale të shteteve se kush i pari do të fillojë imunizimin e që në fakt e rrit “nacionalizmin e vaksinave” dhe e dyta është sistemi Covax, ku shtetet nuk kanë nevojë të hyjnë në garë në mes vete por sistemi është i tillë dhe i ndërtuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) që të sigurojë vaksina në kohë për të gjitha shtetet.

Ka një dallim në atë se çka ofron sistemi Covax për qasje të lehtë në vaksinat dhe çka mund të bëjë më shumë një shtet i dobët në një konkurrencë të jashtëzakonshme me shtetet më të fuqishme të cilët njëherit janë zbuluesit dhe shpërndarësit e vaksinave. Zbulimi i vaksinës, forcimi i rrjetit të shpërndarjes dhe imunizimi i përgjithshëm i popullsisë janë gjithashtu pjesë të infrastrukturës kritike të shëndetit publik që kërkojnë vëmendje dhe siguri nga organet qeveritare.

Nacionalizmi për vaksina efikase do të rritet gjatë vitit 2021, e cila do të ndikojë tek numri i prodhimit dhe rritjes së veprimeve inteligjente për të parandaluar shpërndarjen e tyre të barabartë. Mediat amerikane njoftuan se mund të ketë shkurtime të prodhimit të vaksinave për shkak të kërkesave të jashtëzakonshme nga e gjithë bota. Ky çrregullim mund të ndikojë në fushatën e vaksinimit në SHBA, në BE, në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në të gjitha shtetet që janë në listë të pritjes së dozave të para dhe të dyta.

Kur jemi të dezinformimi ruso-kinez në Ballkan dhe fushata e partive të djathta maqedonase, autoritetet e MV-së duhet të organizojnë një kundër fushatë për të parandaluar përhapjen e luftës psikologjike informative në opinion, me çka ky dezinformim mund të ndikojnë në efikasitetin e vaksinimit dhe refuzimin e popullatës të imunizohet. Hulumtimet e fundit tregonin se në MV më se gjysma e popullatës nuk dëshiron të vaksinohet, propagandë e cila në mënyra të ndryshme është ndikuar nga teoritë konspirative. Tani mbetet që Shkupi zyrtarë të jetë vigjilent, pasi vakumi deri në ardhjen e paketës së parë të vaksinave mund të jetë kohë e mjaftueshme për agjencitë e huaja të ndërmarrin veprime përmbysëse në luftën psikologjike për të dekurajuar popullatën. Një përqindje kaq e lartë e qytetarëve që refuzojnë imunizimin, është tregues se dezinformimi dhe linjat e politikës së djathtë, kanë ndikuar në mendjet e banorëve të MV-së. Refuzimi është një çështje që mund të ketë efekte anësore në procesin e daljes nga pandemia.

Programet e deritanishme të qeverisë së MV-së kundër përhapjes së propagandës së Covid-19 nuk kanë dhënë rezultate konkrete, për shkak të mënyrës nepotiste të shpërndarjes së granteve për të përballuar dezinformimin në kohë të pandemisë dhe njëkohësisht për të çmontuar fushatën e lajmeve të rrejshme. Në tre mujorin e parë të vitit 2021, qeveria e kryeministrit Zaev bashkë me partnerët nga BE-ja, organizatat e rëndësishme vendore, me informim të drejtë dhe me figura autoritative publike, duhet të angazhohet për një organizim të mirë të imunizimit të popullatës dhe nevojës që të gjitha grup moshat e rrezikuara dhe pjesa aktive të vaksinohen, duke mos lënë shtresa apo grupe që nesër mund të jenë burime infektimesh të reja.

Pasi BE-ja është treguar zemërgjerë për MV-në dhe Ballkanin Perëndimor duke ndarë vazhdimisht mjete jo vetëm për vaksinën, por edhe për rimëkëmbjen ekonomike, është detyrë e një qeverie e zgjedhur nga votuesit që të bëjë më shumë për qytetarët, duke bërë pak zhurmë e më shumë punë në drejtim të zhdukjes së sëmundjes, përmirësimit të rrjetit shëndetësor, uljes së numrit të vdekjeve dhe seriozitetit që duhet të tregojë ajo në fushatën e imunizimit.

Të gjithë e dimë se si shtet dhe rajon jemi të varur nga BE-ja dhe SHBA-ja dhe këtu nuk ka hapësirë për shumë komente, por nuk qëndrojnë arsyetimet se qeveria kaq ka mundur të bëjë rreth sigurimit të pakos së parë të vaksinave nga SHBA-ja, shtetet partnere ose nga një shtet fqinj i besueshëm. Padyshim se ne jemi vend i pazhvilluar dhe me korrupsion të lartë që ndikon në mënyrën e vendimmarrjes në politikën e sigurisë shëndetësore. E ardhmja e shekullit mund të jetë edhe më befasuese, prandaj qeveritë nuk duhet të humbin kohë në përgatitjet e reja dhe planet e emergjencës.

Gjatë krizës së vitit 2020, ombrellë të sigurisë dhe mbështetjes ekonomike ishin BE-ja, NATO-ja dhe SHBA-të- aktorë global që ofruan ndihmë kur sëmundja shpërtheu me përmasa pandemike dhe vdekjeprurëse, por nuk dihet se kush do të jetë garantuesi ynë pas disa dekadave. Sidoqoftë, është koha për ndërgjegjësim mbarë kombëtar për fazat e imunizimit që na presin dhe ri-ngritjes si qytetarë që mund të bëjmë më shumë në kohë të pandemisë dhe pas, duke i kundërshtuar të gjitha dezinformatat e aktorëve malinj në procesin e ndërlikuar të imunizimit dhe shpërndarjes së vaksinave.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button