RMV, mjekët dhe personeli mjekësor më meritorët në betejën me kovid, lajmet e rreme – infeksion që përhapet më shpejt se virusi

Vendimi për të mbajtur një maskë në fusha dhe në park ishte i panevojshëm. Nga ky këndvështrim, karantinat e plota ishin të panevojshme. Mjekët e familjes duhej të përqendroheshin në mënyrën e trajtimit sepse njerëzit morën një ton antibiotikë. Kishte lëshime, por në përgjithësi, mund të thuhet se shteti ka reaguar dhe po përballet mirë me krizën e kovid, kurse duhet t’i përgëzojmë mjekët dhe stafin mjekësor, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Kështu e ka vlerësuar vitin e kaluar me kovid, prof. d-r. Nikolla Panovski nga Fakulteti i Mjekësisë, mikrobiologu i cili që nga fillimi i pandemisë ka ndjekur të gjitha njohuritë dhe masat në lidhje me virusin.

“Shteti reagoi mirë në fillim, megjithëse kishim masa shumë të rrepta sepse nuk dihej me çfarë po përballeshim. Nga këndvështrimi i sotëm, karantinat nuk ishin të nevojshme në atë masë, ishin shumë të rrepta krahasuar me masat aktuale. Ne mund të vlerësojmë se shteti reagoi në kohë deri në maj/qershor, kur në shëndetësi hyri politika. Para zgjedhjeve, masat u lehtësuan papritmas, kështu që unë mendoj se nëse kjo nuk do të ndodhte, vera mund të kishte shkuar më mirë. Unë mendoj se një nga gabimet që u bë ishte që laboratorët privatë duhej të punonin me fondin, jo për të bërë profit. Dhe gjëja e dytë e rëndësishme – mjekët amë, kur numri i pacientëve të infektuar u rrit, u lanë vetëm, nuk pranuan pajisje të mjaftueshme mbrojtëse nga shteti. Mjekëve amë nuk iu dhanë udhëzime, kështu që ata përshkruanin shumë ilaçe dhe shumë u trajtuan me telefon. Nuk iu tregua si të trajtonin, jepeshin shumë antibiotikë dhe ilaçe të tjera, duke u shpenzuar ashtu shumë para”, Panovski.

Sipas tij, mbajtja e maskave, siç thotë ai, ishte e tepruar në male dhe fusha, dhe nga ana tjetër, ndalimi që mos të mbahet maskë në kafene ishte absurd.

“Në mënyrë që ekonomia të mbijetojë, u morën masa që nuk ishin logjike. Megjithëse, nëse e shikojmë të gjithë situatën si tërësi, duhet të urojmë të gjithë mjekët dhe stafin mjekësor për sakrificën e tyre. Është shumë e rëndësishme që ata u stimuluan duke ua rritur pagat”, tha Panovski.

Për sa i përket perspektivave vitin e ardhshëm, ai beson se nëse mbërrijnë 400.000 vaksina dhe vaksinimi përfundon deri në prill, atëherë epidemia do të ulet dhe jeta do të jetë më e lehtë.

“Deri diku kemi edhe imunitet kolektiv. Ata që e kaluan virusin janë ata që ishin më pak të vëmendshëm ose punuan në vende ku nuk mund të mbronin veten. Ata njerëz që ende sillen më pak me përgjegjësi janë arsyeja pse numri i njerëzve të infektuar rishtas po bie. “Dhe për ne të tjerët që fshihemi dhe i kushtojmë më shumë vëmendje, vaksina është shumë e rëndësishme, kështu që nëse vaksinohemi, mendoj se rreth qershorit situata do të lehtësohej,” ka shtuar profesori.

Lajmet e rreme janë një problem serioz

Lajmet e rreme janë një problem i madh, aq i madh sa pandemia, mendon Panovski.

“Unë nuk i refuzoj intervistat dhe vazhdimisht bëj deklarata, vetëm për shkak të atyre lajmeve të rreme. Nëse të gjithë heshtin si shumë kolegë të mi, atëherë njerëzit do të besojnë në diçka tjetër që shpesh nuk ka lidhje me shkencën. Është mirë që vaksina të jetë vullnetare, falas dhe grupet e cenueshme të qytetarëve të kenë përparësi. “Unë personalisht do të vaksinohesha sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të mund të përqafoj mbesat dhe nipin”, tha Panovski.

Filipçe: Ky ishte një leksion i madh për të gjithë ne

Përveç me Dr. Panovski, për vitin e kaluar dhe çfarë na pret në të ardhmen, “Meta.mk” bisedoi edhe me ministrin e shëndetësisë Venko Filipçe.

Si në të gjitha vendet e tjera, në vendin tonë ndodhi një krizë që askush nuk e priste ose ishte gati, por pavarësisht kësaj, unë mendoj se mjaft mirë dhe shpejt ne u rirreshtuam dhe organizuam, krijuam një sistem rotacioni të mjekëve dhe infermierëve, formuam departamente të reja, thotë ministri Filipçe për “Meta.mk”.

“E gjithë kjo na lejoi të arrijmë të shmangim një skenar si, ndonjë pacient të mos kishte ku të pranohej dhe nuk kishim situata ku kishte mungesë të shtretërve spitalorë. Unë mendoj se profesionistët shëndetësorë me të vërtetë iu përgjigjën mirë sfidës. Nuk kishte mungesë të pajisjeve mbrojtëse ose ilaçeve, gjithçka funksionoi në mënyrë të përsosur. As gjërat e tjera nuk u ndalën – kaosi i trafikut në qendrën klinike u zgjidh, transplantimi i parë i zemrës u zhvillua në vend, shumë institucione shëndetësore publike u rindërtuan. Pas disa dekadash, u rinovua ndërtesa e klinikës interne. U pajisën shumë institucione shëndetësore publike. Pavarësisht nga gjendja e jashtëzakonshme, funksionimi normal i sistemit shëndetësor nuk u ndal, edhe pse në një kohë të ngadaltë. Është e rëndësishme që çdo pacient e pranonte shërbim shëndetësor atje ku duhej dhe kur ishte e nevojshme,” tha Filipçe.

Kovid-19 do të jetë sfidë edhe këtë vit

Shteti brenda një kohë të shkurtër do të marrë dozat e para të vaksinës. Numri i pacientëve të diagnostikuar rishtas pritet të ulet.

“Mësuam shumë nga kjo, mësuam që shëndetësia është shtylla e shtetit dhe se duhet ta forcojmë atë dhe ta përmirësojmë vazhdimisht. U vërtetua që investimi në punëtorët shëndetësorë ishte i vërtetë. Pagat e specialistëve janë dyfishuar dhe ishte një nxitje e rëndësishme për të menaxhuar më mirë krizën shëndetësore,” ka shtuar ministri.

Këtë vit është planifikuar racionalizimi i institucioneve shëndetësore publike, gjegjësisht bashkimi i tyre aty ku nevojiten, si dhe pranimi i të gjithë mjekëve të rinj praktikantë dhe të gjithë të licencuarve përmes praktikave të paguara. Me këtë, siç thekson Filipçe, të gjithë mjekët do të jenë pjesë e sistemit shëndetësor.

“Dhe reforma më e rëndësishme që jemi duke e planifikuar është ndryshimi i Ligjit për Mbrojtje shëndetësore, i cili do të lejojë çdo mjek të bëjë një kontratë me ndonjë institucion shëndetësor publik ose, nëse është e nevojshme, privat, për të dhënë shërbimin e tij kudo në vend. Kështu, mjekët nuk do të kufizohen në mënyrë rigoroze atje ku ata punojnë, por ekspertiza dhe shërbimi do të jenë në dispozicion në të gjithë vendin. “Në vend që të udhëtojnë pacientët, do të udhëtojnë mjekët”, tha Filipce.

Vaksina do të ndryshojë rrjedhën e krizës në favorin tonë

Dr. Zllate Mehmedoviq, nga Klinika e Pulmologjisë, tha se nuk kishte asnjë mënyrë për të shmangur pandeminë, gjegjësisht që ajo të anashkaluar Maqedoninë “kryesisht për shkak të karakteristikave të këtij koronavirus dhe reagimit të dobët globalisht i cili ishte joadekuat për të parandaluar epideminë e saj që nga fillimi në Vuhan, Kinë”.

Ai beson se në fillim, masat parandaluese janë marrë në mënyrë dinamike në vendin tonë, janë ndjekur shembuj të mirë dhe gabimet e bëra nga disa prej vendeve janë shmangur.

“Ishte e dukshme se sa mirë funksionoi parandalimi dhe një qasje e tillë kishte një mbështetje të fortë publike,” tha Mehmedoviq.

Por ai shtoi se me kalimin e kohës, masat parandaluese efektive humbën vrullin e tyre, dhe fluksi i pacientëve në dy muajt e fundit u amortizua nga mobilizimi i fortë i pjesës klinike të sistemit.

” Ende është herët të flasim për pasojat shëndetësore, dua të them si shëndetin fizik ashtu edhe në atë mendor. Dëmtimi i organeve, ndryshimet fibroze në mushkëri, lodhja e gjatë muajve, stresi janë disa nga problemet më të rëndësishme që do të duhet të ndjekim me kujdes në procesin e rehabilitimit nga kriza me kovid-19,” është i qartë Mehmedoviq.

Sipas tij, vaksina do të ndryshojë rrjedhën e krizës në favorin tonë, por përsëri një faktor i rëndësishëm është koha që do të duhet për të zbatuar vaksinimin.

“Sa më shpejt që të arrijmë të vaksinojmë një numër më të madh të qytetarëve, aq më pak mundësia e transmetimit të virusit nga personi në person dhe krijimi i “gabimeve të rrezikshme” në riprodhimin e tij, gjegjësisht të ashtuquajturat mutacione”, theksoi D-r. Mehmedoviq, duke shtuar se shpreson që 2021 të jetë viti kur do ta mposhtim këtë virus.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button