fbpx

LETËR VITIT 2020

I dashur viti 2020,

Para se të vije isha shumë e entuziazmuar për ardhjen tënde. Prisja me padurim realizimin e dëshirave dhe përmbushjen e planeve të shumta. Prisja një vit shumë të bukur, të mbushur me aventura, sepse fundja kjo ishte dëshira që shpreha natën e ndërrimit të moteve. Kur ora veçse shënoi 12 dhe ti arrite.

Të prita me shumë mirësi dhe të garantoj se nuk jam unë e vetmja, të gjithë të pritëm kështu. Kaluan disa ditë dhe po kënaqeshim, thonim me vete se me të vërtetë do të jesh viti që ëndërruam. Mirëpo, me sa duket kjo mirësi nuk të mjaftoi dhe ngjarjet e tua befasuese filluan të ndodhnin njëra pas tjetrës. Habiteshim, por prapë një lloj shprese qëndronte, sepse pritshmëritë për ty ishin të mëdha. Deri kur më e papritura ndodhi dhe aty u hutuam të gjithë. Pandemia. Kjo ishte e papritura dhe tronditësja, gjurmët e së cilës do të mbesin përgjithmonë. Besoj se erdhe me një mision dhe ky ishte i ndryshëm nga vitet e tjera. Ti erdhe dhe na rikujtove virtytet njerëzore, të cilat i kishim harruar. Virtyte pa të cilat nuk mund të quhemi qenie humane e pa të cilat nuk zhvillohet as jeta. Përmes teje kuptuam se nuk ishim duke jetuar, por vetëm duke ekzistuar si një qenie, të cilën nuk mund ta quash njeri, sepse njeriu jeton, dashuron, ndihmon, fal dhe vlerëson qenien e tij. Kurse ne nuk po bënim këtë, përkundrazi bënim vetëm të kundërtën. Dhe është e çuditshme të mendosh se duhej të vinte një virus për të na kujtuar këto e të na vërtetoj se jemi shumë të zbrazët përbrenda.

U munduam të mbushnim zemrën me gjëra materiale, por zemra ashtu nuk mbushet, nuk ishim falenderues për gjërat primare, kurse tash vuajmë mosprezencën e tyre. Fillonim ditën të pamotivuar për t’u nisur drejt obligimeve që kishim, ndërsa gjatë pandemisë fillonim ditën duke u lutur t’u riktheheshim sa më shpejt rutinave tona, ndaj të cilave nuk ishim mirënjohës deri sa mbetëm edhe pa to. E mos të flasim për dashurinë dhe respektin ndaj familjes, miqve e më të dashurve tanë, ajo ishte shuar plotësisht. Nuk e di pse e kemi kaq të vështirë të themi fjalët më të bukura si “Faleminderit”, “Të dua”, “Më fal”, “Të lutem” dhe jemi aq të guximshëm dhe krenarë të ofendojmë tjetrin, ta ulim atë dhe t’i falim vetëm ftohtësi nga zemrat tona të acarta. Kurse përmes teje i dashur viti 2020 e mësuam përsëri që njeriu pa njeriun nuk mund të jetoj, se herët a vonë do të ketë nevojë për të; për prezencën, buzëqeshjen, fjalët dhe përqafimet e tij.

Pavarësisht se sa i urryer mund të jesh si vit, sepse nuk mund ta mohojmë se sa dhimbje ke shkaktuar, sa humbje pësuam falë teje qoftë në aspektin material e qoftë humbjen e personave më të dashur për ne, sa ëndrra mbetën të pa realizuara dhe sa plane u shtyen për një kohë të pacaktuar. Por, njëkohësisht nuk mund as të mohojmë nevojën e madhe që kishim për ty. Nevojën për të reflektuar mbi veten tonë, për të vërejtur se ku jemi dhe çfarë jemi duke bërë për jetën tonë. Për të mësuar edhe njëherë se duhet të bashkohemi se vetëm nuk jemi asgjë, për të mësuar se duhet të kemi besim dhe të vlerësojmë çdo moment, çdo person dhe çdo ndjenjë, sepse pa e kuptuar ato do të ikin dhe nuk do kthehen kurrë përsëri.

Të gjitha këto reflektime e mësime, që ndodhën falë teje nuk duhen shpërfillur e as harruar, sepse njëri prej këtyre mësimeve ishte që jeta është relative dhe jo gjithmonë do kemi mundësinë të kemi një të nesërme që të rregullojmë gabimet tona e të dhurojmë pozitivitet. Koha ikën, prandaj duhet të fillojmë që tani praktikimin e këtyre mësimeve në mënyrë që të mos pendohemi për kohën e shfrytëzuar dëm. Është koha të shprehim me fjalë dhe vepra dashurinë që kemi ndaj personave tanë të zemrës, të sillemi mirë me ta dhe t’u rikujtojmë se sa të rëndësishëm janë për ne, sepse vetëm kështu mund të mbushim shpritat tanë dhe të tyre me një dritë të bukur.

E ty viti 2020 të falenderoj për të gjithë këtë! Shpresoj se keni kryer misionin tuaj me sukses, kurse tani na mbetet neve të arrijmë rezultate.

Do të mbetesh gjithmonë i paharruar!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button