Anketë e Portalb.mk: Si do të mbahet mend viti 2020

Nuk ka asnjë dilemë se pandemia me Covid – 19 është sinonimi dominant i vitit që lamë pas. Viti 2020 do të mbahet mend kryesisht për pandeminë dhe tronditjen e kaosin që shkaktoi ajo në jetën publike, shoqërore dhe personale.

Kolumnist, analistë, pjesëtarë të shoqërisë civile dhe gazetarë, duke iu përgjigjur pyetjes së Portalb.mk se për çfarë do të mbahet mend viti 2020 dhe si u gjend Maqedonia e Veriut në krizën e pandemisë, ndajnë kryesisht përshtypjet e njëjta se ky vit, do të mbahet mend për sfidat që solli pandemia me Covid – 19, duke ndikuar thellë ne jetën publike, por edhe në aspektin personal, si dhe duke vënë në pah dobësitë e sistemit.

Sipas tyre, numri i vdekjeve të larta, që e radhit Maqedoninë e Veriut në vendin e parë në rajon, si shteti me më shumë vdekje si pasojë e korona virusi,t flet për dobësitë e sistemit shëndetësor dhe neglizhencën nga ana e shtetit, ku për vite me radhë nuk është investuar as në infrastrukturë por, as në kuadro.

Një fushë tjetër në të cilën po ashtu, u shfaqën dobësitë me ardhjen e pandemisë, është edhe sistemi arsimor, ku pushteti në vjeshtë, nuk u duk shumë i përgatitur se si të menaxhojë këtë sferë, edhe pse në fillim të vitit shkollor kishin kaluar tash më gjashtë muaj nga fillimi i pandemisë.

Megjithatë, të anketuarit e theksuan si ngjarje të rëndësishme politike që ndodhi gjatë vitit 2020, anëtarësimin e vendit në NATO, duke e vlerësuar atë si një moment të ri historik

(Radhitja është bërë sipas alfabetit a-z).

Albert Musliu – analist politikAlbert Musliu

“Te kjo kanë dështuar edhe shtete më të mëdha, më të zhvilluara, te ne relativisht mirë u mbajt. Për shembull në pranverë ishte mirë, tash në fillim të vjeshtës ishte keq por, në fund të vjeshtës në fillim të dimrit te ne ishte më mirë se në shtetet më të zhvilluara. Mos të harrojmë tash se, unë jam në kafe, në Gjermani, në shtetet e Evropës nuk mund të dalësh në kafe. Në Sllovaki kishim pik të vdekjes ku, për një ditë vdiqën 1000 persona. Nuk ka ndonjë paralele. A jam i kënaqur!? Për disa gjëra po, për disa jo. Psh vaksinë nuk kemi, për mua është e pasqarueshme e pajustifikueshme se pse nuk kemi vaksina, pse në Serbi mund të kenë vaksina. Dmth ka shumë aspekte. Por, për memorie, 2020 edhe pas 30 vjetëve e mbajmë mend në mbas koronës. Pres të normalizohet, të mos harrojmë në Maqedoninë e Veriut 100.000 persona janë të imunizuar sepse e kanë kaluar sëmundjen, do të fillojnë vaksinat. Mendoj se vera do të na pret mirë. Dhe do të fillojë ndryshim të mentalitetit, njerëzit do të fillojnë pak më racional të bëhen, se e panë se mund të planifikosh diçka për 20 vite, vjen një koronë dhe ndërron mënyra e jetesës”.

Ali Pajaziti

Ali Pajaziti – Profesor universitar dhe kolumnist i Portalbit

“Viti 2020 do të mbahet mend si një vit i mbrapshtë, si një pjesë kohore e historisë negative të njerëzimit. Vit që ndryshoi mënyrën e jetesës sonë, shprehitë ditore, që na mori shumë njerëz, që vdekjen na e solli para syve. Ndërkohë na ktheu te vetja, familja dhe natyra. Në ekonomi solli papunësi e recesion, varfëri në shumë familje. Në politikën globale Bideni shënon një fazë të re pas skandaleve madhore të Trumpit. Qeveria e RMV –së relativisht mirë është përballur me këtë krizë globale, me këtë pandemi që ka shashtisur edhe shtetet më të fuqishme të botës”.

Arben Zeqiri

Arben Zeqiri – gazetar

“Viti 2020 do të mbahet mend si një vit tragjik ku shumë njerëz i humbëm nga virusi që tronditi botën, ndërsa shumë të tjerë vuajtën pasojat e ndryshme edhe pse  mbijetuan. Ky vit gjithashtu tregoi se sa e shtrenjtë është liria. Si pasojë e masave për mbrojtje të pandemisë, të gjithëve na u cenuan liritë, si ajo e lëvizjes, punës, komunikimit mes njerëzve, por edhe liria e shprehjes deri në një masë. Si pasojë e kufizimit të lirisë erdhën edhe pasojat ekonomike, sociale, të gjithë përjetuam kufizimet në mënyra të veçanta. Edhe ne si gazetarë u përballëm me disa nga pasojat që solli situata e përgjithshme. Puna u vështirësua në aspekt të lëvizjes, komunikimit me palë, vështirësi në realizimin teknik të punës, ndërsa shpesh herë ishim dhe në pozita të palakmueshme, mes dy zjarreve, dëshirës për të informuar sa më saktë dhe detajisht dhe kujdesit për të mos shkaktuar frikë, panik dhe presion mbi qytetarët. Maqedonia e Veriut si shumë shtete të tjera ju qas pandemisë në dy aspekte, i pari ai shëndetësor (mbrojtja e popullatës) dhe i dyti ai ekonomik. Në aspektin shëndetësor u vërejt një dobësi e madhe që ishte shkaktuar nga mungesa e investimeve dhe kuadrove profesionale për çka është alarmuar për vite me radhë. Dihet që për të formuar një gjeneratë mjekësh dhe infermierësh nevojiten 6-10 vite dhe për aq kohë e më tepër në vendin ka ndodhur e kundërta, janë larguar edhe mjekët që ishin formuar më herët. Sot mund më mendohet vetëm për investime rezultatet e të cilave mund ti ndjejmë vetëm pas një dekade, ndërsa edhe aq kohë duhet të lutemi mos na godet një fatkeqësi tjetër. Në planin ekonomik Qeveria dhe institucionet intervenuan me pako afatshkurtëra por edhe ato kishin vetëm efekt mbijetese pjesërisht, pasi sistemi i brishtë financiar dhe gjendja edhe ashtu e rënduar ekonomike vetëm sa u përkeqësuan”.

Bardhyl Jashari, foto: Vanço Xhambaski
Bardhyl Jashari, foto: Vanço Xhambaski

Bardhyl Jashari, drejtor i Fondacionit “Metamorfozis”

“2020-ta ishte një vit i cili përveç sfidave të zakonshme për vendin tonë u vështirësua ende më shumë për shkak të pandemisë Covid-19. Pandemia tregoi se sa të papërgatitur jemi si shoqëri në përdorimin e teknologjisë në sfera  thelbësore të shoqërisë si p.sh arsimi. Nga ana tjetër ishte teknologjia po ajo që na mundësoi të vazhdojmë të funksionojmë normalisht, të tejkalojmë izolimin dhe largimin mes bashkëpunëtorëve, miqve e familjes dhe njëkohësisht na mësoi ta vlerësojmë më shumë interaksionin dhe kontaktet me njëri tjetrin. Pandemia gjithashtu vuri edhe një herë në pah dëmin që shkaktojnë dezinformatat dhe se sa të përhapura janë ato – me çka shkaktojnë huti, frikë dhe përçarje mes njerëzve. Si pozitive nga viti 2020 do të veçoja pranimin e vendit tonë në NATO”.

Besa Arifi
Besa Arifi

Besa Arifi, profesoreshë dhe kolumniste në Portalb

“Viti 2020 mos u përsërittë kurrë më. Ishte vit i vështirë për botën e tërë dhe për gjithsecilin prej nesh. Ishte vit sfidues, vit kur njohëm humbje të mëdha. Vit kur u përballëm me vdekjen e shkaktuar nga një sëmundje të cilën askush nuk e kupton tërësisht, e që bëri kërdinë me muaj të tërë në botën e tërë. Vit në të cilin familjet humbën nga disa anëtarë për një kohë të shkurtër. Vit që na përballi me frikën tonë nga apokalipsi, e që na kujtoi sa me fat kishim qenë e sa të pasur kishim qenë deri sa filluam një nga një të humbim shumë gjëra të cilave vështirë se ua kishim ditur vlerën më parë. Ishte vit kur kishim kohë të reflektojmë për atë se çfarë ka rendësi në jetë. Ishte vit kur kishim mundësi të shohim deri ku na ka dërguar mënyra jonë e jetesës, sa na ka larguar prej gjërave të rëndësishme, njerëzve të rëndësishëm, jetës familjare… gjëra për të cilat shpesh mendonim se nuk kemi sa duhet kohë ti shijojmë. Ishte vit i kthimit në shtëpi, larg mundësive për të harxhuar shumë para, larg udhëtimeve të përjavshme, larg shumë lukseve të cilat në fakt ndoshta edhe nuk na janë dashur, të paktën jo çdo ditë dhe jo në atë masë sa i kemi konsumuar më herët”.

Ibrahim Mehmeti
Ibrahim Mehmeti

Ibrahim Mehmeti – analist politik

“Padyshim se do të mbahet mend për shkak të pandemisë, sepse dashje pa dashje kjo e vulos këtë vit dhe gjithçka ishte nën hijen e kësaj ngjarjeje sepse, edhe jeta politike edhe shoqërore personale, gjithçka kishte në një mënyrë ndikim të drejtpërdrejt ose ndoshta për të gjithë kishte pasoja dhe duhej të adaptohen ndaj situatës së krijuar. Maqedonia si për të gjithë çështjet tjera, edhe për këtë çështje nuk mund të thuhet se është gjind ashtu siç duhet dhe vet rezultati ose bilanci tragjik i kësaj pandemi tregon se, ka mund të jetë më mirë dhe është dashur të jetë më mirë dhe në një farë mënyre kjo pandemi i zbuloi të gjitha dobësitë e sistemit shëndetësor por edhe funksionimet e qeverisë. Të mos harrojmë gjithashtu se, në një periudhë në fillim të pandemisë ne nuk kishim as parlament dhe as qeveri fuqiplote, sepse ishte qeveria teknike dhe parlamenti ishte në dorëheqje dhe kjo e komplikoi situatën edhe më tepër seç do të ishte në rrethana normale. Por, megjithatë unë mendoj se kjo nuk do të merret si arsyetim sepse, qeveria ose ministritë të cilat ishin drejtpërdrejt të kyçura në procesin e ballafaqimit ose në procesin e menaxhimit të kësaj krize shëndetësore, askush nuk i ka penguar që të kryejnë detyrën e tyre dhe ka mundur të bëhet më mirë. Ne e shohim edhe në rajon, nëse krahasohemi me shtetet tjera se, Maqedonia ka një ndër bilancet më të rënda të kësaj pandemie. Ajo që për mua është më me rëndësi është fakti që, edhe pas zhvillimit të pandemisë, qeveria nuk ndërmori hapa të mjaftueshme për ta përmirësuar gjendjen në kuptimin e alokimit të fondeve në sferën e shëndetësisë, në vend të sferave tjera. Shëndetësia, njëjtë sikurse arsimi, gjithmonë gjenden në plan të dytë dhe kjo mendoj se duhej gjithsesi ta përmirësoj. Nëse tani janë bërë disa hapa të vegjël, mendoj se duhet të bëhet shumë më tepër në periudhën e ardhshme dhe presioni i shoqërisë duhet të jetë shumë më i madh në këtë drejtim që të përmirësohet gjendja në sferën e shëndetësisë, edhe me kuadro por edhe me infrastrukturë”.

Robert Nesimi
Robert Nesimi

Robert Nesimi – analist

“Viti që lamë pas padyshim kaloi nën shenjën e pandemisë globale të Covid19. Për fat të keq vendi ynë assesi nuk arriti, as nuk po arrin, të përballet mirë me këtë krizë dhe sa i përket menaxhimit me të radhitet ndër vendet më të dobëta në botë. Për këtë flet numri tejet i madh i të sëmurëve dhe të vdekurve nga Covid19, ndërsa muajve në vijim është shqetësues fakti që Maqedonia do të jetë ndër vendet e fundit që do të fillojnë vaksinimin kundër kësaj sëmundje. Faji kryesor për këtë natyrisht bie mbi supet e pushtetit, i cili vazhdon të politizojë çdo gjë, madje edhe këtë pandemi që po merr jetë njerëzish. Pushteti nuk kishte asnjë ide apo vizion nga fillimi i krizës dhe më shumë veproi ad-hoc, duke eksperimentuar me njerëzit në çdo çast. Menaxhimi filloi me masa drakonike në muajt e parë, ndërsa më vonë pushteti bëri kthesë 180 shkallë vetëm për shkak se i duheshin zgjedhe të reja. Duke u marrë me këto zgjedhje dhe formimin e qeverisë, shtatori na gjeti krejtësisht të papërgatitur në sferën e arsimit, edhe pse veç më kishin kaluar 6 muaj nga fillimi i krizës. As sot qeveria nuk ka ide si të lehtësojë barrën e punëtorëve shëndetësorë që janë në vijën e parë të frontit kundër pandemisë. Nga ana tjetër si pasojë e dështimeve të njëpasnjëshme në politikën e jashtme, gjendemi në fund të rreshtit për marrjen e vaksinave. Ndërsa aferat e njëpasnjëshme në vitin 2020 na bënë me dije se në çfarë sasie qarkullon droga brenda në vend, saqë për fund si zgjidhje po shohim legalizimin e saj. Në sferën ekonomike pushtetarët vazhdojnë të shohin ëndrra me sy hapur, njëlloj si pas krizës financiare të vitit 2008. Duke marrë parasysh se në vitin 2021 do na udhëheq po e njëjta qeveri e vjetër pa ide, druaj se këto tendenca do të vazhdojnë edhe më. Ky grup njerëzish nuk ka ide, as kapacitet të përballet me sfidat e kohës në kushte normale, lere më në kushte pandemie”.

Sefer Selimi

Sefer Selimi – drejtor i organizatës joqeveritare “Democracy Lab”

“2020 kaloi si nëpër një park aventurash me plot të panjohura, ankth e sfida por edhe plot shpresë, solidaritet e befasi të këndshme në momente kritike. Definitivisht i gjithë viti u dominua nga pandemia e Covid-19 që diktoi çdo veprim tjetër personal e publik. Edhe përskaj asaj që të gjithë e shohim me një urrejtje 2020, gjithsesi ajo nuk ishte plotësisht e zymtë. Një nga ato momentet më pozitive është që Maqedonia e Veriut pas 30 vitesh përpjekje u bë anëtare e plotfuqishme e NATO-s, një ngjarje historike për shtetndërtimin dhe demokracinë e vendit.

Përskaj asaj që sistemi publik shëndetësor është një nga hallkat më të dobëta të shoqërisë,  mund të themi që relativisht u përball me sukses me pandeminë. Për vetë faktin që në asnjë moment nuk kishte mungesë të kapaciteteve për të trajtuar rastet kritike, është një indikator i qartë i suksesit për mobilizimin e kapaciteteve ekzistuese. Çështja e cilësisë dhe numri i lartë i vdekjeve është një njollë dhe një tregues tjetër që flet për nevojën urgjente për ta reformuar qenësisht gjithë sistemin i cili në aspektin infrastrukturor është ende vetëm një trashëgimi nga koha e Titos”.

Selim Ibraimi
Selim Ibraimi

Selim Ibraimi – kolumnist në Portalb

“Në kohën e pandemisë globale nuk ka aq lajme të mira dhe as që pritej të dëgjonim derisa kur vaksinat u autorizuan  për përdorim. Maqedonia e Veriut  ashtu si shumë shtete u mposhtën nga sëmundja ngjitëse, duke zbuluar dobësitë e sistemit shëndetësor dhe nevojës për një strategji mjekësore pas vitit 2021. MV-ja për nga numri i vdekjeve rangohet më keq se shtetet fqinjë dhe që është një tregues për rritjen graduale të virusit gjatë vjeshtës dhe gjunjëzimin e të gjithëve nga Covid-19. Për qytetarët e MV-së ishte befasuese niveli i nevojës së kufizimeve që duhej të bënin për të parandaluar përhapjen e sëmundjes dhe gjithashtu terreni i përshtatshëm për zhvillimin e dezinformimit që vazhdon të jetë sfiduese jo vetëm për MV. Në kohë të pandemisë vetëm përdorimi i masave klasike të kontrollit të sëmundjes dhe shpresa për vaksinimin e popullsisë janë dy rrugët e daljes nga gjendja pandemike. Qytetarët tashmë janë përshtatur me jetën e re të shekullit të ri e që nuk duket aq paqësor nga kërcënimet e armëve biologjike. Anëtarësimi i MV-së në NATO ishte një moment i ri historik që do ta parandalojë vërshimin e aktorëve malinj në Ballkan. Fushata e vaksinimit dhe organizimi i rrjetit shëndetësor mbeten çështje të vjetra dhe të reja për MV. Të shpresojmë se viti 2021 nuk do të jetë kaq fatkeq për MV dhe të gjithë kombet e botës”.

Xhabir Ahmeti

Xhabir Ahmeti – publicist dhe kolumnist i Portalbit

“Ky vit mund të them lirisht se ka qenë një ndër vitet më të vështira të kohëve të fundit, do ta quaj viti i mbrapsht. Problemi i parë kuptohet është, pandemia dhe vështirësitë me të cilat u ballafaqua vendi dhe mos përgatitja e nevojshme e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë që të përballet me te. Si pasojë, ne kemi humbur shumë njerëz dhe praktikisht shëndetësia është në gjendje jashtëzakonisht të rëndë. E dyta, ekonomia është e gjunjëzuar dhe do të jetë shumë vështirë që në vitin e ardhshëm të bëhet ndonjë hap më i sigurt për shërimin e këtyre plagëve. Problemi i tretë është marrëdhëniet e Evropës me të ashtuquajturin Ballkan Perëndimor. Me këtë rast, Evropa është treguar shumë joparimore gjatë pranimit të disa shteteve, në radhë të parë të Rumanisë dhe Bullgarisë që nuk kanë plotësuar kurrfarë kushtesh, dmth nga ato kushte që kërkohen prej nesh. Në këtë pikëpamje më i goditur është populli shqiptar, si në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Për shkak se, populli shqiptar për arsyet që i di Evropa dhe për do arsye historike, e mban popullin shqiptar nën kumbonën e qelqtë dhe si pasojë e heqin edhe maqedonasit këtë politikë joparimore evropiane. Ky është viti 2020 për mua dhe nuk do të kisha dëshiruar të përsëritet kurrë”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button