Mos u përsërittë kurrë më

Viti 2020 mos u përsërittë kurrë më. Ishte vit i vështirë për botën e tërë dhe për gjithsecilin prej nesh. Ishte vit sfidues, vit kur njohëm humbje të mëdha. Vit kur u përballëm me vdekjen e shkaktuar nga një sëmundje të cilën askush nuk e kupton tërësisht, e që bëri kërdinë me muaj të tërë në botën e tërë. Vit në të cilin familjet humbën nga disa anëtarë për një kohë të shkurtër. Vit që na përballi me frikën tonë nga apokalipsi, e që na kujtoi sa me fat kishim qenë e sa të pasur kishim qenë deri sa filluam një nga një të humbim shumë gjëra të cilave vështirë se ua kishim ditur vlerën më parë.

Ishte vit kur kishim kohë të reflektojmë për atë se çfarë ka rendësi në jetë. Ishte vit kur kishim mundësi të shohim deri ku na ka dërguar mënyra jonë e jetesës, sa na ka larguar prej gjërave të rëndësishme, njerëzve të rëndësishëm, jetës familjare… gjëra për të cilat shpesh mendonim se nuk kemi sa duhet kohë ti shijojmë. Ishte vit i kthimit në shtëpi, larg mundësive për të harxhuar shumë para, larg udhëtimeve të përjavshme, larg shumë lukseve të cilat në fakt ndoshta edhe nuk na janë dashur, të paktën jo çdo ditë dhe jo në atë masë sa i kemi konsumuar më herët.

Edhe kjo natë e sotme e ndërrimit të vitit është ndryshe sivjet: larg, shumë larg mënyrës si ishim mësuar të festojmë më herët. Sivjet për shumicën e njerëzve festa do të jetë dukshëm më modeste, pa shumë njerëz përreth por me më shumë njerëz të afërt, pa shumë harxhime luksoze, por me më shumë gjëra që vërtet ja vlejnë e të cilat nuk kanë çmim, pa shëtitje ekstravagante në metropolet botërore por me shumë kujtime të shëtitjeve të kaluara dhe me shumë shpresa se një ditë sërish do mundemi të lëvizim lirshëm.

Viti që lamë pas mund të ketë qenë njëri ndër vitet më të tmerrshme për njerëzimin. Por në kriza të tilla zakonisht nxirren mësime të mëdha. Mësim i tillë është për shembull se koha e kaluar me fëmijët është kohë e çmuar që rrit disafish lumturinë e njeriut. Mësim i tillë është edhe të qenit falënderues në vend të të qenit i pangopur gjatë gjithë kohës. Mësim i tillë është se gjërat që vlejnë më së shumti në këtë jetë nuk blihen, por fitohen me mund dhe me përkushtim. Mësim i tillë është se koha është resursi më i çmuar dhe si e harxhojmë atë është në duart tona dhe jo të dikujt tjetër. Mësim i tillë është se e kaluara është histori, e ardhmja është e pasigurt, ndërsa e tashmja është gjithçka që kemi.

Qofshin këto mësime të cilat nuk do i harrojmë sapo të mbarojë kjo pandemi. Qoftë ky vit që përveç kujtimeve të hidhura do të na i kujtojë edhe këto mësime. Qoftë ky vit që po lëmë pas viti që do të na bëjë mbi të gjitha ta duam jetën më shumë, ta çmojmë atë, dhe ta ndajmë me njerëzit që vërtet ja vlejnë.

Qoftë viti që vjen një vit më i mbarë se ky që po lëmë pas. Qoftë një vit kur nuk do harrojmë ta çmojmë pasurinë më të vlefshme që e kemi: shëndetin.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button