Ndërmarrja e përbashkët për menaxhimin e mbeturinave në Pollog është në fund të formimit

Është afër përfundimit procesi i themelimit të Ndërmarrjes së përbashkët publike Rusino (NP) për menaxhimin e mbeturinave në rajonin e Pollogut. Këshillat e komunave në këtë rajon kanë emëruar anëtarët e boddit menaxhues të kësaj kompanie dhe mbledhja e parë konstituive do të mbahet sot, informoi Qendra për zhvillim e rajonit të planifikimit të Pollogut, njofton Portalb.mk.

“Anëtarët e sapoemëruar pritet të miratojnë statutin e ndërmarrjes së përbashkët publike dhe të caktojnë drejtor në detyrë. Më pas do të pasojë miratimi i Rregullores së punës së bordit menaxhues dhe Rregullores së sistemimit, së bashku me shpalljen e një thirrje publike për drejtorin e Ndërmarrjes dhe procedurën e përzgjedhjes”, thuhet në njoftimin e tyre.

Procedura e vlerësimit të ndikimit në mjedis jetësor (VNMJ) për ndërtimin e deponisë sanitare Rusino vazhdon. Gjatë procesit të VNMJ-së, publiku do të informohet për ndikimet e mundshme dhe do të mund të japë mendimin dhe vërejtje e tij.

Ashtu si në rajonet e tjera në vend edhe në rajonin për planifikim të Pollogut ka pasur rezistencë nga ndërtimi i një deponi të re rajonale në komunën ku duhet të vendoset. Bëhet fjalë për Komunën e Gostivarit dhe deponinë ekzistuese Rusino. Nga Qendra për Zhvillimin e Rajonit të Planifikimit të Pollogut thonë se si rezultat i konsultimeve intensive midis komunave në rajonin e planifikimit të Pollogut dhe publikut më të gjerë të interesuar, është bërë ndryshim në Planin rajonal për menaxhim të mbeturinave (PRMM) për shkak të përfshirjes së marrëveshjeve të arritura në lidhje me masat për mbylljen dhe kujdesin pas mbylljes së deponisë Rusino.

Përkatësisht, edhe në këtë rajon do të zgjidhet lokacion i ri për ndërtimin e një deponi sanitare / qendër rajonale për menaxhim të mbeturinave si zëvendësim i Rusinos.

“Plani i ndryshuar rajonal për menaxhim me mbeturinat (PRMM) tashmë është aprovuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (11-4236 / 2, 04.11.2020) dhe së shpejti do të miratohet nga Këshillat e secilës prej komunave në rajon”, thonë nga Qendra për Zhvillimin e Rajonit të Planifikimit të Pollogut.

Përndryshe, konsultimet midis komunave në rajonin e Pollogut dhe iniciativës civile “Stop Rusino” rezultuan në përgatitjen e një plani veprimi që synon përmirësimin e drejtpërdrejtë të situatës mjedisore në Rusino dhe zvogëlimin e ndjeshëm të shqetësimeve të shkaktuara prej të njëjtës. Është arritur mirëkuptim i ndërsjellë midis komunave dhe “Stop Rusino-s” për përmbajtjen e Planit aksional.

Si rezultat i këtij pajtimi, Këshilli i Rajonit të planifikimit të Pollogut solli vendim për pranim dhe zbatim të aktiviteteve të pranuara reciprokisht, ndërsa “Stop Rusino” do të heqë bllokimin e tyre të deponisë Rusino. Paralelisht, pas konkluzës së Qeverisë, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor obligoi Qendrën për Zhvillim të vazhdojë pa vonesë zbatimin e masave të shpejta për të përmirësuar Rusinon.

Këto masa do të zvogëlojnë ndjeshëm ndikimin në mjedisin jetësor të deponisë pa standarde Rusino dhe do të ndalojnë rrjedhjen e ujrave të ndotur nga lokacioni me Gostivarin. Procedura për zgjedhjen e një kontraktori për zbatimin e masave për përmirësim të shpejtë në Rusino është duke vazhduar dhe pritet që së shpejti të nënshkruhet marrëveshje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button