RMV, në vend të stimulimit për të blerë automjete të reja dhe instalim të gazit në automjetet e vjetra, shteti ndërmerr masa të kundërta

Nuk ekzistojnë subvencione për qytetarët për blerje të automjeteve elektrike ose hibride në buxhetin shtetëror për vitin 2021, mjetet për subvencionim për instalim të gazit në automjetet e vjetra janë projektuar vetëm 210.000 euro për 12 muaj, etiketat ekologjike për automjetet nuk u lëshuan në funksionim këtë dimër, kurse nuk ekziston as afat kur mund të inkorporohen restriksione më të rrepta ligjore për import të automjeteve të përdorura në vend, me të cilat do të ndalohet importi i automjeteve me standarde më të ulëta se EURO 5 që lëshojnë sasi më të mëdha të gazrave prej derivateve, transmeton Portalb.mk.

Si kapak mbi të gjitha, Kuvendi para Vitit të Ri e miratoi Ligjin për regjistrim të mjeteve motorike me targa të huaja. Me këtë ligj, të gjitha automjetet që janë importuar në vend deri më 1 tetor 2020 me targa të huaja, do të ketë mundësi në afat prej një viti të regjistrohen me detyrime më të vogla prej 50% të vlerës së përcaktuar, nga ana e autoriteteve kompetente shtetërore, të të gjitha detyrimeve që paguhen gjatë importit të automjetit.

Nga Qendra për ndryshime klimatike për “Meta.mk” thonë që vendimi i fundit për regjistrimin e automjeteve me targa të huaja me detyrime më të ulëta është edhe një plotësim i politikave të këqija të shtetit. Ata shtojnë që ekziston revolucion i vërtetë në blerjen e automjeteve të përdorura nga viti 2010 deri më sot, me ç’rast jashtë politikave të hartuara miratohen masa të paqëndrueshme, populiste dhe të dëmshme.

“Autoritetet e qytetit është e domosdoshme të punojnë për adaptim të rrugëve për përdorim të biçikletave, trotinetëve madje edhe të zonave atraktive për këmbësorë të cilat do të paraqesin kënaqësi qytetarëve që t’i përdorin. Më tutje, të bëhen ndryshime në politikat që do të destimulojnë blerje të automjeteve të përdorura, nëpërmjet lehtësimeve tatimore dhe beneficioneve të caktuara nëpërmjet kompensimit për automjet të vjetër, politika me çmime për stimulim të transportit publik, përdorim të biçikletës, modernizim të transportit publik”, thonë nga Qendra për ndryshime klimatike.

Shteti, në pjesën e stimulimit të shfrytëzimit të automjeteve elektrike, për të gjitha kategoritë e këtij lloji, tani më ka filluar të aplikojë lirim tatimor për automjetet motorike, ndërsa automjetet hibride kanë lirim prej 50% të tatimit. Megjithatë, me vite vonohet ose zvarritet realizimi i subvencioneve për automjete elektrike dhe hibride që do të ishin ndarë nga Ministria e Ekonomisë, ndërsa vonohet edhe aplikimi i etiketave ekologjike në automjete që përcaktojnë cilat automjete nuk mund të qarkullojnë në ditët kur ndotja e ajrit është jashtëzakonisht e lartë.

Nga Qendra për ndryshime klimatike thonë që duhet të mendohet për kritere më të rrepta, siç është ndalesë për import të automjeteve me EURO standarde më të dobëta, si një nga masat në luftën kundër ndotjes së ajrit. Propozimi i tyre është edhe zbatimi i pilot projekteve në ndërmarrjet publike, transportuesit publik dhe taksi kompanitë për blerje të automjeteve me efikasitet të lartë të shfrytëzimit të derivateve, përgatitje për inkorporim të Direktivës për mjete motorike të pastra (Clean Vehicles Directive) dhe arritje të kursimeve nëpërmjet shpenzimeve më të ulëta për naftë.

Përndryshe, subvencionet për instalim të aparateve me gaz natyral në lartësi prej 210.000 euro janë masa e vetme e drejtpërdrejtë me të cilën shteti, përmes Ministrisë për Ekonomi do të ndikojë në zvogëlimin e ndotjes së ajrit që e shkaktojnë automjetet në vend. Gjatë kësaj, me 210.000 eurot e ndara kjo masë do të mund të zbatohet vetëm për një numër të vogël të automjeteve.

Qendra për ndryshime klimatike ka realizuar hulumtim, me ekip të ekspertëve të udhëhequr nga prof. dr. Dejan Mirakovski, për ndikimin e komunikacionit në ndotjen e ajrit në Shkup, me ç’rast për t’u krahasuar viti 2019 dhe 2020 është bërë analizë e tre periudhave kohore të rezultateve prej pikave të matjes në Shkup. Rezultatet kanë treguar që në periudhën kur është kufizuar lëvizja në kryeqytet, në periudhën nga 18 mars deri 26 maj 2020, në ajrin e Shkupit janë lëshuar më pak dyoksid azoti (NO2) dhe PM-2.5 grimca, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019. Rezultate më të detajuara nga hulumtimi mund të lexoni këtu.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button