Terminali doganor në Bllatë, RMV-Shqipëri vlerësohet i panevojshëm nga autoritetet

Mungesa e një terminali doganor në Bllatë, vend kufitar Shqipëri-Maqedoni e Veriut, i detyron qytetarët e Dibrës të udhëtojnë gati 100 kilometra për të bërë zhdoganimin e mallrave. Përderisa biznesmenët me vite të tëra këmbëngulin se një terminal doganor është jetik për tregtinë e lirë dhe zhvillimin ekonomik të qytetit të tyre por edhe të gjithë rajonit, Drejtoria e Doganave vlerëson se terminal doganor në Bllatë nuk është aspak i nevojshëm, shkruan Portalb.mk.

Vendkalimi kufitar Bllatë, mes RMV-së dhe Shqipërisë, është vetëm 4 kilometra larg nga qyteti i Dibrës e megjithatë tregtarët dhe biznesmenët dibranë duhet të bëjnë 90 kilometra rrugë për të zhdoganuar mallrat dhe prodhimet. Mungesa e një terminali doganor në Dibër i detyron tregtarët dhe biznesmenët që procedurat e kalimit të mallit ti bëjnë në pikën kufitare Qafë Thanë, në Strugë. Me vite të tëra dibranët kërkojnë që në Bllatë të hapet një terminal doganor, gjë e cila do të avanconte tregtinë e lirë dhe zhvillimin ekonomik të dy qyteteve të Dibrës dhe Peshkopisë, por edhe të gjithë rajonit, e megjithatë kërkesa e tyre ka hasur në vesh të shurdhur.

Sa është i nevojshëm terminali doganor për biznesin dhe qytetarët dibran?

Ata që më së shumti e vuajnë mungesën e terminalit doganor në Bllatë, janë biznesmenët dibran. Pronari i kompanisë transportuese “Blerta-Trans”, Vullnet Kërkuti, shprehet për portalb.mk se kërkesat e tyre anashkalon nga autoritet dhe si pasojë bizneset e tyre janë ato që më së shumti humbasin.

“Pas një takimi që kisha me zv. drejtorin e doganave për hapjen e një magazine doganore, mu refuzua kërkesa sepse nuk bëja pjesë në partinë politike BDI. Unë si pronar i një kompanie transporti mungesën e terminalit doganor në pikën kufitare Bllatë e vuaj shumë sepse, veç tjerash duhet, të bëjë afër 150 kilometra shtesë drejt Tiranës. Në qytetin e Dibrës bëhen gati 40 eksporte në ditë nga kompania “Knauf” dhe nga shumë firma tjera më të vogla. Bëj thirrje që mediat të shtrojnë problemet tona, ngaqë së shpejti do të hapet edhe rruga e Arbrit dhe të jemi të përgatitur. I lus autoritet që të merret parasysh kërkesa jonë për hapjen e një terminali doganor në Bllatë”, u shpreh Vullnet Kërkuti, pranor një një kompanie import-eksporti.

Biznesmenët e Dibrës kanë vite të tëra që kërkojnë hapjen e një pike doganore në qytetin e tyre. Ata vlerësojnë se një ndër arsyet kryesore pse terminali doganor në Bllatë është i rëndësishëm është fakti se në këtë territor gravitojnë rreth 100 mijë banorë, përfshirë këtu Komunën e Peshkopisë dhe Bulqizës nga ana e Shqipërisë fqinje.

Për nevojën e hapjes së një terminali doganor në Bllatë, Portalb.mk kontaktoi “Qendrën për Zhvillim të Qëndrueshëm të Bashkësive në Dibër (CSCD)”, të cilët më herët kanë deklaruar për mediat se se hapja e një terminali doganor në vendkalimin kufitar Bllatë është i domosdoshëm. Megjithatë nga kjo organizatë refuzuan të prononcohen.

Fotografi nga kontaktimi i Qendrës për Zhvillim të Qëndrueshëm të Bashkësive në Dibër

A ka pasur premtime për ndërtimin e një terminali doganor në vendkalimin kufitar Bllatë?

Në takimin e parë të përbashkët mes Komunës së Dibrës dhe asaj të Peshkopisë, në prill të 2017, mes tjerash u theksua nevoja formimi i një vendkalimi të vetëm kufitar ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë dhe ndërtimi i një terminal doganor në Bllatë.

Ish kryetari i Komunës së Dibrës, i ndjeri Ruzhdi Lata, në një intervistë për Portalb-in në vitin 2018 deklaroi se komuna ka leje për ndërtimin e terminalit por mungojnë investitorët për ndërtimin e terminalit. Lata shprehet se komuna është ofruar për ndërtimin e terminalit por investitorët nuk kanë pranuar (min 13.37- 14.39).

Nga Komuna e Dibrës, në një prononcim aktual për portal.mk, thanë se hapja e një terminali doganor në Bllatë është më se i nevojshëm sidomos me përfundimin e “Rrugës së Arbërit” nga ana e Shqipërisë. Nga komuna e Dibrës bëjnë thirrje deri te Qeveria dhe institucionet përkatëse vendore duhet sa më shpejtë të ndërmarrin hapa konkretë për ndërtimin e një terminali doganor në Bllatë.

“Sa i përket hapjes së një terminali doganor në vendkalimin kufitar Bllatë  për ne si Komunë është çështje me rëndësi shumë të veçantë sepse përmes kësaj do të arrihet zhvillim më i madh ekonomik lokal, dhe jo vetëm. Me ndërtimin e këtij terminali do të rritet lëvizshmëria e kamionëve dhe qarkullimi i mallit. Në aspektin praktik, Republika e Shqipërisë është në fund të ndërtimit të Rrugës së Arbërit. Rrugë e cila do të lidhë Tiranën dhe Dibrën, pra për 1 orë nga Dibra do jeni në Tiranë dhe për 1 orë e 15 min do kemi qasje në portin e Durrësit. Me realizimin e kësaj rruge besojmë se do të jetë e domosdoshme marrja e hapave konkrete nga ana e qeverisë së RMV-së për realizimin e këtij projekti”, deklaroi Ylli Mirzo, sekretar në Komunën e Dibrës.

A parashikohet ndërtimi i një terminali doganor në Blatë?

E megjithatë, nga Drejtoria e Doganave thonë se së shpejti planifikojnë ta implementojnë sistemin “one stop shop” në Bllatë por nuk e shikojnë aspak të nevojshme hapjen e një terminali doganor, për shkak se në këtë zonë nuk ka shumë lëvizje

“Lidhur me funksionimin e vendkalimit kufitar, ne propozojmë që të punojë 24/7, njëjtë siç është aktualisht. Si vendkalim kufitar i kategorisë së dytë, ku kryhen vetëm kontrollet policore dhe doganore të udhëtarëve dhe mjetet e transportit për pasagjerë. Vetëm tranziti i kamionëve dhe mallrave do të lejohet përmes këtij vendkalimi kufitar, dmth kalimi i tyre me dokumente të përgatitura më parë në një procedurë doganore në brendësi. Kjo do të thotë që asnjë dokument doganor për tregti nuk do të përgatitet në vendkalim, as nuk do të kryhet një procedurë doganore, dhe asnjë produkt që i nënshtrohet kontrollit veterinar dhe fitosanitar nuk do të tregtohet. Kjo merr parasysh faktin se në këtë rajon, brenda një rreze prej 50 km, ekzistojnë tre zyra doganore (në Strugë,  Qafë Thanë dhe Ohër, gjatë lëvizjes kamionët mund të përdorin terminalin doganor apo zyrën në Tetovë), për këtë arsye ne konsiderojmë se nuk ka nevojë dhe se nuk ka asnjë justifikim për ndërtimin e një terminali për zhdoganimin e mallrave në zyrën doganore Blatë.

Po japim disa të dhëna për përdorimin aktual të vendkalimit:

Në 2019 përmes pikës kufitare kaluan: 12 kamionë në hyrje dhe 515 kamionë në dalje (në periudhën para pandemisë KOVID). Në vitin 2020, 7 kamionë në hyrje dhe 327 kamionë në dalje. Nëse i shikojmë këta numra dhe i shpërndajmë ato sipas punës 365 ditëve të vitit, arrijmë në faktin se një numër i papërfillshëm i automjeteve të mallrave lëviz përmes këtij kalimi (1.44 në 2019, dmth 0.9 kamionë në ditë në 2020). Duke pasur parasysh këto statistika, përfundimi është se kostoja e çdo ndryshimi në mënyrën e funksionimit të vendkalimit do të ishte angazhimi i burimeve shtesë, pa arsyetim të bazuar“, theksuan nga Drejtoria Doganore e Maqedonisë së Veriut.

Ndërkaq, sa i përket premtimit për pikë të përbashkët kufitare në Bllatë sipas sistemit “one stop shop, kujtojmë se i njëjti është premtuar edhe në pikën kufitare Qafë Thanë në Strugë.
Për më tepër lexoni “Premtime vetëm në letër për pikë të përbashkët doganore Maqedoni e Veriut – Shqipëri“.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button