Me vite të tëra zvarritet ndërtimi i hekurudhës RMV-Shqipëri

Që nga viti 2017 ka projekt për ndërtimin e linjës hekurudhore Kërçovë – vendkalimi kufitar me Shqipërinë, Qafë Thanë, por ndërtimi i kësaj hekurudhe mbetet premtim i parealizuar. Lidhja hekurudhore do të mundësojë përfitime ekonomike për dy shtetet sepse Shqipëria fiton mundësi për të lidhur me linjë hekurudhore me Bullgarinë, ndërsa Maqedonia e Veriut do ketë mundësi të lidhet me portin e Durrësit, me çka do të lehtësohet transporti i mallrave, shkruan Portalb.mk.

Me vite të tëra vazhdon të zvarritet ndërtimi i linjës hekurudhore që do të lidh Maqedoninë e Veriut me Shqipërinë. Projekti për ndërtimin e hekurudhës në fjalë është finalizuar në nëntor të vitit 2017 e megjithatë përveç deklaratave të funksionarëve se ndërtimi i kësaj hekurudhe do të jetë prioritet i tyre në terren nuk ka vepra konkrete.

Me qëllim që të rritet bashkëpunimi ekonomik por edhe infrastrukturor, linja hekurudhore Maqedoni e Veriut – Shqipëri, vlerësohet si një investim strategjik me ndikim rajonal. Bashkimi Evropian me një shumë prej 7.7 milion eurosh ka financuar hartimin e një projekti që parashikon ndërtimin e infrastrukturës hekurudhore në gjatësi prej 63 kilometra.
Vija hekurudhore që do të ndërtohet nga Kërçova dhe përmes Strugës do të përfundojë në vendkalimin kufitar me Shqipërinë, Qafë Thanë, do të kap koston prej mbi 500 milion eurove. Në pjesën nga Kërçova në Strugë, përveç hekurudhës, duhet të ndërtohen 49 ura dhe 13 tunele. Përgjatë linjës do ketë edhe dy stacione kryesore dhe dy stacione të vogla.

Zhvillimet nga viti 2017

09 shkurt 2018 Në një takim të realizuar në Shkup drejtorët e dy ndërmarrjeve hekurudhore, Irfan Asani dhe Ani Dyrmishi deklaruan se ndërtimi i Korridorit 8 në pjesën hekurudhore Kërçovë-Lin është prioritet i Qeverisë së Shqipërisë dhe Maqedonisë. Në këtë takim madje u konstatua se deri në vitin 2023 linja hekurudhore Maqedoni-Shqipëri do të jetë funksionale.

Drejtorët e dy ndërmarrjeve hekurudhore Irfan Asani dhe Ani Dyrmishi- Shkurt 2018
Drejtorët e dy ndërmarrjeve hekurudhore Irfan Asani dhe Ani Dyrmishi- Shkurt 2018

22 nëntor 2018 Gjatë një vizite zyrtare në Shkup, Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, u takua me kreun e qeverisë së Maqedonisë, Zoran Zaev. Presidenti Meta dhe Kryeministri Zaev ndanë mendime të njëjta për sa i përket nevojës dhe rëndësisë së shtimit të bashkëpunimit ekonomik, infrastrukturor me projekte konkrete si ai i “Korridorit 8”. Ndërtimin e linjës hekurudhore mes dy vendeve ata e vlerësuan si investim strategjik të rëndësishëm për të gjithë rajonin.

16 tetor 2020 Në një takim mes Zëvendësministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Artan Shkreli dhe homologut të tij në Maqedoninë e Veriut, Bekim Rexhepi u ri-theksua nevoja e madhe e ndërtimit të kësaj hekurudhe dhe rëndësia e saj strategjike. Të njëjtin qëndrim e shprehën edhe drejtorët e dy Ndërmarrjeve hekurudhore Festim Halili dhe Ani Dyrmishi.

“Për ne është prioritet ndërtimi i linjës hekurudhore në drejtim të Shqipërisë, prandaj besoj se tani është koha e nevojshme, e domosdoshme dhe koha e duhur që ne së bashku të kemi një marrëveshje të përbashkët për shkak se na kërkohet edhe nga institucionet financiare të cilat do të financojnë ndërtimin e asaj pjese të mbetur të korridorit ” deklaroi Festim Halili, ish drejtor i Ndërmarrjes së Hekurudhave të RMV-së.

Fotografi nga takimi i dy drejtorëve të hekurudhave në Shkup- Tetor 2020
Fotografi nga takimi i dy drejtorëve të hekurudhave në Shkup- Tetor 2020

Çfarë e ka penguar ndërtimin e kësaj hekurudhe?

Pak kohë më parë, në një prononcim për televizionin Alsat, tani më ish-drejtori i Ndërmarrjes së Hekurudhave, Festim Halili, bëri të ditur se ndërtimi i hekurudhës RMV-Shqipëri tre vite është peng i mosmarrëveshjeve brenda koalicionit qeveritar LSDM dhe BDI.

Tjetër arsye se pse vija hekurudhore RMV-Shqipëri ka mbetur në binarë qorre është zgjedhja e gabuar rutës ku duhet të kalojë traseja e kësaj hekurudhe.

Në projektin e vitit 2017 ishte paraparë që një pjesë e hekurudhës të kalojë në afërsi të Liqenit të Ohrit, gjë e cila u kundërshtua ashpër nga UNESKO. UNESKO paralajmëroi se Liqeni i Ohrit mund të gjendet në listën e trashëgimisë së rrezikuar botërore nëse në brigjet e tij ndërtohet infrastrukturë hekurudhore. UNESKO, me qëllim që të shmangë dëmtimin e Liqenit të Ohrit nga infrastruktura hekurudhore, propozoi që traseja e hekurudhës të kalojë përmes një tuneli alternativ nga Struga deri në qytetin Përrenjas të Shqipërisë, përmes malit Jabllanicë.

Vija hekurudhore në Radozhdë do të duhet të kalojë afër bregut të Liqenit të Ohrit, që është e papranueshme për UNESKO. Foto:Bojan Bllazhevski
Vija hekurudhore në Radozhdë do të duhet të kalojë afër bregut të Liqenit të Ohrit, që është e papranueshme për UNESKO. Foto:Bojan Bllazhevski

Kur pritet të fillojë të ndërtohet hekurudha? Ministria hesht

Qeveria e Maqedonisë së veriut vendosi t’i jap dritë jeshile këtij projekti vjeshtën e kaluar dhe angazhoi Ministrinë e Financave që të paraqesë kërkesë deri tek institucionet ndërkombëtare të financave dhe kreditorët bilateral për ti siguruar fondet nevojshme për financimin e ndërtimit të kësaj hekurudhe.

Redaksia jonë iu drejtua Ministrisë së Financave me pyetjen: A ka filluar kjo Ministri të punojë në sigurimin e fondeve të nevojshme për ndërtimin e linjës hekurudhore në fjalë dhe sa kohë mundet të zgjasë sigurimi i një shume prej 500 milion euros?

Në e-mailin dërguar zyrës për Marrëdhënie me Publikun të kësaj ministrie, nuk morëm asnjë konfirmim dhe asnjë përgjigje për pyetjen tonë. Pas disa telefonatave në zyrën e PR-të na thanë se përgjigjen po e përgatisin sektorët përkatës por edhe pas 10 ditësh nuk kemi asnjë informacion. (Redaksia jonë do i azhurnojë të dhënat nëse kemi përgjigje nga ky institucion).

E-mail dërguar në zyrën për PR -Ministria e Financave RMV
E-mail dërguar në zyrën për PR -Ministria e Financave RMV

Nga Kërçova deri në vendkalimin kufitar Qafë-Thanë ndërtimi i hekurudhës duhet të fillojë nga pika 0, momentalisht në këtë rajon po punohet vetëm në ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër. Për ndërtimin e një projekti të këtillë infrastrukturor autoritetet vlerësojnë se do të duhen të paktën katër vjet.

Mesheishta- fshat në rajonin e Strugës ku duhet të kalojë vija hekurudhore

Cila është rëndësia ekonomike e këtij projekti?

Nga instituti “Finance Think” vlerësojnë se investimet publike në infrastrukturën e transportit nga 2 në 3% të PBB-së (prodhimi i brendshëm bruto) në vit, kontribuojnë në një normë më të lartë të rritjes së PBB-së me 0,5 pikë përqindje në vit. Pra, merret parasysh efekti në ekonomi nga ndërtimi i atyre rrugëve, hekurudhave dhe infrastrukturës tjetër të transportit, dhe pastaj efektet që ka infrastruktura më e mirë në lidhjen e sektorit të biznesit, e cila nënkupton rritjen e kapacitetit prodhues dhe konkurrues të ekonomisë.

“Rëndësia konkrete e Korridorit 8 është në lidhjen rajonale lindje-perëndim, veçanërisht lidhja rrugore dhe hekurudhore me Shqipërinë, e cila është e pazhvilluar në të dy anët e kufirit. Investimi në korridorin hekurudhor do të sigurojë përdorim më të shpejtë dhe më efikas të përfitimeve të zonës së përbashkët ekonomike të Ballkanit Perëndimor, pavarësisht nga forma e asaj zone. Edhe nëse nuk shkojmë më tej, anëtarësimi në CEFTA i të dy vendeve mund të përdoret dhe përmirësohet vetëm me infrastrukturë më të mirë të lidhjes, dhe në atë kuptim përfitimet për të dy ekonomitë do të ishin pa dyshim domethënëse për ritmet e rritjes së PBB-së dhe përmirësimin e konkurrencës së biznesit”- deklarojnë nga “Finance Think”.

Çfarë është korridori 8?

Korridori i 8 pan-evropian është një nga 10 korridoret e transportit pan-evropian i cili lidh Detin Adriatik me Detin e Zi. Ky korridor kalon në Shqipëri, RMV dhe Bullgari. Korridori 8 ka gjatësi prej 1220km deri 1350km. Ky korridor ka një rëndësi të madhe ekonomike në të gjitha vendet ku kalon për shkak se mundëson lehtësi të transportit të mallrave.

Korridoret pan-evropiane
Korridoret pan-evropiane

Ndryshe, kur jemi te ky projekt, në raportin më të ri, UNESKO kërkon që ndërmarrjet shtetërore në vend të koordinohen mes veti për projektet e rëndësishme të infrastrukturës që kalojnë nëpër zonën e mbrojtur në rajonin Ohër-Strugë dhe të kërkojnë opsion që përmes një traseje të kalojnë hekurudha, autostrada, tubacionin e gazit dhe linjën e rrymës elektrike në drejtim të Shqipëri. Raporti ka të bëjë me vlerësimin se a janë përmbushur kushtet që Ohri dhe Liqeni i Ohrit të futen në listën e trashëgimisë natyrore dhe kulturore botërore të rrezikuar.

UNESKO shkon më larg me kërkesat në lidhje me hekurudhën për në Shqipëri, e cila planifikohet të ketë trasenë nga Kërçova përmes Strugës për në Lin. UNESKO kërkon që te ata të dorëzohet një studim gjithëpërfshirës krahasues me trasetë alternative për hekurudhën e Korridorit 8, duke përfshirë edhe ato që nuk kalojnë liqenin e Ohrit dhe në veçanti duke mos përfshirë trasenë të zgjedhur përmes Radozhdës për në Lin. Në të njëjtën kohë, UNESKO kërkon që dokumentacioni i azhurnuar i projektit për hekurudhën t’u dorëzohet atyre, si dhe kërkon një hartë të hollësishme që do t’i përfshijë linjat përgjatë të cilave do të kalojë hekurudha si dhe të gjitha rrugët e mundshme në rajonin e Strugës.

LEXO: UNESKO: Hekurudha, autostrada, tubacioni i gazit dhe linja e rrymës elektrike për në Shqipëri të ndërtohen në një trase

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button