Tetovë, spitali modular për pacientët me Kovid-19 pritet të jetë gati muajin e ardhshëm

Për shkak të ardhjes së mërgimtarëve, numri i të infektuarve me Kovid-19 pas dy javësh mund të rritet, tha mjeku Gzim Nuredini, koordinator i Qendrës për Kovid-19 në Spitalin Klinik të Tetovës, shkruan Portalb.mk.

Nuredini theksoi se aktualisht nuk është i nevojshëm ky spital modular, megjithatë, sipas tij nuk dihet se çfarë mund të ndodhë ditëve në vijim për shkak të ardhjes së mërgimtarëve në vend.

“Tash nuk është i nevojshëm spitali modular, megjithatë pas dy javësh nuk e dimë çfarë do të ndodhë. Frikësohemi që mund të ketë rritje të numrit të të infektuarve për shkak se shumë njerëz kanë ardhur nga shtetet e BE-së për pushime në vendlindje” tha mjeku Gzim Nuredini.

Është betonuar vendi ku pritet të ndërtohet ky spital, menjëherë afër objektit të spitalit Klinik të Tetovës.

“Muajin e ardhshëm pritet të vendoset spitali modular afër spitalit Klinik të Tetovës. Do të ketë 35 krevat. Me orar të ndarë nga personeli, do të ketë laborator” tha Nuredini.

Nuredini theksoi se aktualisht ka ulje të numrit të pacientëve të hospitalizuar në repartin infektiv në Tetovë.

“Aktualisht ka 33 pacientë të shtruar në spital, që i bije se është ulur numri i të hospitalizuarve mirëpo nuk do të thotë që në mënyrë proporcionale ka numër të zvogëluar të të infektuarve” tha Nuredini.

Ndryshe, aktualisht në Tetovë ka mbi 800 raste aktive me virusin korona.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button