Aleanca për Shqiptarët: Qeveria të sigurojë sa më shpejtë vaksinën kundër Covid-19

Partia opozitare Aleanca për Shqiptarët, nëpërmjet një reagimi kritikoi qasjen e shtetit sa i përket sigurimit të vaksinës kundër Covid-19. Në reagimin e tyre theksuan se, përderisa shumë vende siguruan dhe filluan vaksinimin e shtetasve të tyre, qytetarët e Maqedonisë së Veriut do të presin edhe për një kohë të pacaktuar për realizim të këtij projekti. Sipas tyre, Maqedonia e Veriut, si shtet me vdekshmëri më të madhe nga COVID 19 në Evropë, duhej të kishte përparësi për vaksinim të popullatës kundër “murtajës” së shekullit 21, transmeton Portalb.mk.

“Aleanca për Shqiptarët, nëpërmjet Departamentit të Shëndetësisë i drejtohet Qeverisë të Republikës të Maqedonisë së Veriut që t’i lë anash të gjitha angazhimet dhe prioritet mbi të gjitha prioritetet të jetë sigurimi i vaksinave sa më shpejtë dhe sasi adekuate, duke përdorur të gjitha mekanizmat e mundshme, korrin diplomatik në vend, anëtarësinë në NATO dhe ndihmën e shteteve anëtare në Bashkimin Evropian. Ministrisë të Shëndetësisë me apel që të organizojë një takim multilateral me ministrat e shëndetësisë të Ballkanit Perëndimor, ku do të mirrej qëndrim për aplikim të përbashkët për sigurim të vaksinave nga sistemi COVAX, nga shtetet anëtare të BE-së ose në mënyrë direkte nga kompanitë farmaceutike. Poashtu apelojmë që Ministria e shëndetësisë të organizojë fushatë edukative për shëndet publik, ku qëllimi i saj do të ishte të përgatisë sa më shumë njerëz për vaksinim vullnetar dhe falas, për t’u siguruar qytetarëve sa më shumë informacion në lidhje me vaksinën, vetitë dhe efektet e saj, efektet e mundshme anësore dhe kundërindikacionet, si dhe organizimin dhe zbatimin e programeve të vaksinimit për të gjithë qytetarët që zgjedhin të vaksinohen”, thuhet në reagim.

Ata po ashtu, kanë përshëndetur vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë  që mjekëve dhe personelit mjekësor t’u ndahen nga 30000 denarë, por sipas tyre, është e pajustifikueshme neglizhenca dhe mos shpërblimi i mjekëve amë, personelit jo mjekësor dhe administratës, të cilët në mënyrë direkte apo indirekte kanë qenë të kyçur në trajtimin e të sëmurëve në luftën kundër  COVID 19.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button