fbpx

Zaev: Investitorë nga Katari interesohen për Kodrën e Diellit, s’duam të heqim dorë nga kjo qendër turistike

Kryeministri Zoran Zaev në pyetjen e Portalb.mk zbuloi disa nga shtetet që aktualisht interesohen për blerjen e plotë apo të pjesshme të Kodrës së Diellit. “Bëhet fjalë për investitorë serioz nga Katari, Austria, Italia dhe Zvicra” tha ai. Ndërkaq, sipas tij, më e mira do të ishte që shteti të mos hiqte dorë tërësish nga kjo qendër turistike. Shoqëria civile apelojnë që investitori ardhshëm të zgjedhet me kujdes, shkruan Portalb.mk.

Se a do të privatizohet tërësisht apo pjesërisht Kodra e Diellit ende nuk dihet. Megjithatë, preferencat e kryeministrit Zaev janë që kjo qendër turistike jetë në partneritet me ndonjë investues privat, për shkak se siç potencoi ai, shteti nuk harxhon por vetëm fiton në këtë formë.

Zoran Zaev.
Zoran Zaev.

“Studimi i fizibilitetit na jep të drejtë të shkojmë me partneritet publiko privat por edhe me privatizim të plotë. Unë do ta kisha lënë shtetin të jetë partner. Në tentativat e parë mundohemi të shkojmë me partneritet publiko-privat, dhe shohim se ka interes, deri tani dhjetë kompani më të mëdha evropiane kanë shprehur interes, kjo na jep të drejtë që duhet të vazhdojmë me partneritet publiko-privat. Për shkak se për shtetin ngelet vlera e përhershme, nuk investojmë para të shtetit ndërkaq përfitimi është serioz” tha Zaev.

Për herë të parë, kryeministri përmendi shtete konkrete që interesohen për blerjen e plotë apo të pjesshme të kësaj qendre turistike, ai tha se vendi ende është në kërkim të një partneri më të arsyeshëm për menaxhimin e Kodrës së Diellit.

“Jemi në diskutime me investitor serioz, po jua them, nga Katari janë këtu me qëllime seioze për të investuar në këtë qendër turistike, ka interes edhe nga investitor të Zvicrës, Italisë, Gjermanisë dhe Austrisë. Unë besoj se do të gjenden investitor serioz që të zhvillojnë këtë potencial të shkëlqyer për shtetin” shtoi kryeministri Zaev.

Si do të funksiononte kjo në praktikë?

Kryeministri përmendi disa nga pasuritë e shtetit që do të mund t’i ofronte partnerit privat, në mënyrë që kësisoj të dalë edhe përqindja e cila i takon shtetit, për këtë arsye, ai vlerëson se shteti nuk duhet të heq dorë tërësish nga kjo qendër turistike.

“Shteti për shembull mund të ofrojë hotelet, teleferikët, vendin, koncesionet ndërkaq partneri privat le të investoje para, do të përcaktojmë me plan biznesi për vlerën e të gjitha këtyre, kësisoj, do të del edhe përqindja e shtetit. Është mirë sepse, në momentin kur shteti është partner i investitorit privat, sepse kjo shtetit i jep fuqi dhe rëndësi në të gjithë projektin për këtë arsye jam më shumë për partneritet publiko privat” theksoi kryeministri Zaev.

Megjithatë, Zaev nuk e përjashtoi as edhe mundësinë e privatizimit të plotë të Kodrës së Diellit, në qoftë se nuk do të funksionoje partneriteti, atëherë shteti do të detyrohet që të shesë tërësisht pasuritë e kësaj qendre turistike.

Kodra e Diellit, foto nga Dritan Abdiji
Kodra e Diellit, foto nga Dritan Abdiji

Qeveria e RMV-së: Brenda vitit të ardhshëm do të publikohet thirrja publike për këtë

“Jemi të përgatitur që brenda vitit të ardhshëm të publikojmë thirrje publike për privatizim të plotë të qendrës turistike Kodra e Diellit apo për partneritet publiko-privat. Objektet hotelierike në Kodrën e Diellit të cilat janë në menaxhim të Elem Turs, në pajtueshmëri me studimin e fizibilitetit, do të ofrohen për privatizim të drejtpërdrejtë” tha zëdhënësi i Qeverisë, Dushko Arsovski më 15 dhjetor.

Iniciativa “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit” apelon që investitori ardhshëm të zgjidhet me kujdes

Armend Luta nga iniciativa “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit” përmendi disa nga kushtet që duhet ti plotësoje kompania e mundshme e cila në të ardhmen do të menaxhonte me Kodrën e Diellit, ai apeloi që shteti të bëje zgjedhjen me kujdes.

Luta theksoi rëndësinë e të lartpërmendurave për shkak të asaj që sipas tij i rrezikohemi një skenari “Elem 2”.

Protesta e organizuar nga Iniciativa Qytetare “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”

“Qëndrimi jonë është i qartë dhe konciz: Investitori i ardhshëm duhet të jetë serioz dhe të ketë së paku 20 vite eksperiencë dhe referencë pozitive në menaxhim me qendra tjera te ngjashme qe kanë treguar sukses dhe zhvillim turistik dhe ekonomik të vendit përkatës. Nuk do të lejojmë në asnjë moment qe Kodra e Diellit të bëhet lojë e pazareve politike ndërmjet partive politike dhe në asnjë moment nuk do të lejojmë instalimin e një “Elemi” te ri qe do të vazhdoje me shkatërrimin e mëtutjeshëm të kësaj qendre turistike. Andaj do të kërkojmë nga autoritetet përkatëse që të bëjnë publike të gjitha detajet për kushtet dhe mënyrën e marrëveshjes që do realizohet me kontraktuesin e ri me qëllim që të ndjekim çdo veprim qe mos te instalohet një shkatërrues i ri ne Kodrën e Diellit” shtoi Armend Luta.

A ju konvenon privatizimi i plotë ose i pjesshëm bizneseve në Kodrën e Diellit?

Aleksandar Kuzmanovski nga Shoqata e Hotelierëve në Maqedoninë e Veriut këtë të fundit e cilësoi si një ide të mirë, ai potencoi se tash është koha që potenciali i pashfrytëzuar i Kodrës së Diellit të vendoset në funksion.

“Konsiderojmë se është ide e mirë. Në thelb, secila ide që përmban mundësi të reja është e mirë. Nuk dëgjuam se si do të shitet Kodra e Diellit, megjithatë si zgjidhje konsiderojmë se është e mirë sepse atje asgjë nuk po ndodh ndër vite, janë humbur shumë vende të punës. Kodra e Diellit ka potencial i cili meriton të shfrytëzohet” tha Aleksandar Kuzmanovski nga Shoqata e Hotelierëve në Maqedoninë e Veriut.

Një prej personave që gjatë sezonit të dimrit jep vila me qera në Kodrën e Diellit, të cilin e gjetëm përmes një reklame në “Fejsbuk” për Portalb tha se kanë humbur besimin në menaxhimin e shtetit me këtë qendër, andaj çdo investitor i jashtëm është i mirëpritur.

“Ne kemi humbur shpresat apo besimin se shteti mund të investoje apo të bëje diçka në të mirë të Kodrës së Diellit. Ndonjëherë duket e dhimbshme fakti se sikur po shesim diçka tonën, megjithatë, shumë më mirë një i huaj dhe të menaxhoje mirë se sa i yni dhe të shkatërroje” tha ai.

Ndryshe, më 16 dhjetor për herë të parë këtë dimër janë lëshuar në përdorim teleferikët “Sh. Ilija” dhe “Ceripashana” dhe ashensorët e skive “Aerodrom” dhe “Ge”, pasi më parë është punuar në përgatitjen e terreneve. Teleferiku më gjashtë ulëse i cili ishte lëshuar në përdorim në shkurt 2020, nuk është vënë në funksion këtë periudhë dimri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button