fbpx

Rusia për herë të parë përfshin edhe individë në regjistrin e “agjentëve të huaj”

Rusia ka shpallur për herë të parë edhe individë si “agjentë të huaj”, përfshirë tre që kontribuojnë për Radion Evropa e Lirë. Pesë gazetarë ose aktivistë u shtuan në regjistrin e ministrisë ruse të Drejtësisë të “mediave të huaja që kryejnë funksionet e një agjenti të huaj”, më 28 dhjetor, shkruan REL.

Më herët vetëm organizatat joqeveritare të financuara nga jashtë (OJQ) dhe grupet e të drejtave të njeriut, janë përfshirë në regjistër, në përputhje me ligjin e diskutueshëm “të agjentëve të huaj” të miratuar nga Rusia më 2012. Ligji u zgjerua më vonë për të përfshirë media dhe gazetarë të pavarur.

Përfshirja në regjistër imponon kufizime, siç është detyrimi për të siguruar raporte të rregullta financiare për aktivitetet dhe etiketimin e publikimeve.

Legjislacioni është kritikuar nga grupet e të drejtave, të cilët thonë se ligji ka dëmtuar OJQ-të dhe po përdoret për të goditur kundërshtarët.

Tre individët e listuar të lidhur me Radion Evropa e Lirë janë: Lyudmila Savitskaya dhe Sergei Markelov, korrespodentë të pavarur për Shërbimin rus të Radios Evropa e Lirë dhe Denis Kamalyagin, kryeredaktor i faqes së lajmeve në internet Provinca Pskov dhe një kontribues në Shërbimin rus të Radios Evropa e Lirë.

Aktivisti i shquar për të drejtat e njeriut, Lev Ponomaryov, gjithashtu u përfshi në regjistër, si dhe aktivistja dhe punëtorja e Kryqit të Kuq, Daria Apakhonchich.

Përfshirja e këtyre emrave e çon në 17 numrin e përgjithshëm të individëve ose entiteteve në këtë regjistër, shumica të lidhur me Radion Evropa e Lirë.

Zëvëndëspresidentja dhe kryeredaktorja e Radios Evropa e Lirë, Daisy Sindelar, e ka dënuar veprimin e autoriteteve ruse.

“Kolegët tanë kanë raportuar me përgjegjësi mbi gjithçka, nga të drejtat e fjalës së lirë deri te korrupsioni i qeverisjes vendore dhe numri i i të infektuarve me koronavirus. Me aksionin e sotëm, Ministria e Drejtësisë pa mëdyshje po thotë se raportimi i fakteve është një krim dhe se nuk do të ndalet për të heshtur zërat që kërkojnë të informojnë dhe mbrojnë popullin e Rusisë”, ka thënë Sindelar.

Ministria e Drejtësisë nuk shpjegoi mbi cilat arsye përfshiu pesë individët në regjistër më 28 dhjetor.

Zyrtarët rusë kanë thënë më parë se ndryshimi i “ligjit të agjentëve të huaj” për të përfshirë edhe mediat, më 2017, ishte një “përgjigje simetrike” ndaj kërkesës së SHBA-së që kanali RT i financuar nga shteti rus të regjistrohet nën Aktin e Regjistrimit të Agjentëve të Huaj të SHBA (FARA).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button