fbpx

Vendet anëtare të BE-së mbështesin marrëveshjen me Britaninë e Madhe

Të 27 vendet anëtare të BE-së kanë miratuar njëzëri marrëveshjen tregtare pas Brexitit me Britaninë e Madhe, duke hapur rrugën që ajo të hyjë në fuqi përkohësisht më 1 janar, transmeton REL.

Ambasadorët e vendeve anëtare, u takuan në Bruksel më 28 dhjetor për të dhënë pëlqimin për marrëveshjen, e cila përcakton kornizën për tregtinë mes Britanisë së Madhe dhe BE-së, sapo Londra të largohet nga tregu i vetëm i BE-së dhe bashkimi doganor në fund të vitit.

Presidenca gjermane e BE-së tha se marrëveshja do të miratohet me shkrim nga të 27 qeveritë e BE-së, më 29 dhjetor, një ditë para votimit nga ana e ligjvënësve britanikë.

Parlamenti Evropian do të ketë kohë deri në fund të shkurtit për të votuar dokumentin.

Marrëveshja u arrit më 24 dhjetor, pas nëntë muajsh negociata të vështira midis Londrës dhe Brukselit, duke lënë shumë pak kohë që ajo të ratifikohet deri më 31 janar.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, e mirëpriti miratimin e marrëveshjes përmes një telefonate me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel.

“Ne mezi prisnim ratifikimin zyrtar të marrëveshjes në mënyrë që të punojmë së bashku në përparësitë e përbashkëta, të tilla si trajtimi i ndryshimit të klimës”, shkroi Johnson në rrjetin social Twitter.

Rregullat e konkurrencës së ndershme dhe të drejtat e peshkimit kishin qenë pengesa kryesore për të arritur një marrëveshje tregtare gjatë nëntë muajve bisedimesh të trazuara.

Marrëveshja shmang vendosjen e tarifave, kuotave dhe pengesave të tjera tregtare që do t’u kushtonin të dy palëve miliarda në tregti dhe qindra mijëra vende pune.

Vendimi për largim të Britanisë nga BE-ja ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.​

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button