Tetovë, u miratua buxheti prej 30 milionë eurove për vitin 2021, opozita: Është buxhet i dëshirave pa realizueshmëri

Gjithsej 30 milion euro buxhet ka paraparë komuna e Tetovës për vitin 2021, në seancën e sotme të këshillit komunal i njëjti u miratua, pa votat e këshilltarëve të Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes BESA. Këta të fundit, konsiderojnë se buxheti nuk është real, për shkak të realizueshmërisë të vogël të buxheteve paraprake, edhe pse planifikimi, gjithmonë ka qenë i lartë, shkruan Portalb.mk.

Me debat të nxehtë, arriti të miratohet me 17 vota për, buxheti i planifikuar për vitin 2021 në komunën e Tetovës. Kryetari i këshillit komunal, Bekim Memeti, theksoi se kësaj radhe buxheti më shumë është fokusuar në projekte infrastrukturore.

Bekim Memeti, kryetar i këshillit komunal, Tetovë.
Bekim Memeti, kryetar i këshillit komunal, Tetovë.

“Sot kaloi buxheti i komunës së Tetovës për vitin 2021, e cila kap vlerën prej 30 milion eurove. Në të parashihen investime infrastrukturore si dhe pjesë të tjera ku hyjnë pagat, parkingjet e kështu me radhë. Debati është i hapur, u japim mundësinë të gjithë këshilltarëve që të shprehin mendimet e tyre. Zakonisht këshilltarët kanë ankesa në pjesën e realizimit të buxhetit, për shkak se, buxheti zakonisht parashihet me shumë më të lartë se sa realizimi i saj” tha Bekim Memeti, kryetar i këshillit komunal në Tetovë.

Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA: Komuna e Tetovës planifikon projekte dhe ndanë para, por nuk i realizon të njëjtat!

Këshilltari nga radhët e Aleancës për Shqiptarët, Arif Selami, këtë buxhet e konsideroi si “buxhet i dëshirave” për shkak se sipas tij, gjithmonë planifikohen projekte madhore por thuajse asnjëherë nuk realizohen të njëjtat.

Arif Selami, këshilltar nga radhët e Aleancës për Shqiptarët.
Arif Selami, këshilltar nga radhët e Aleancës për Shqiptarët.

“Nuk është hera e parë, ky është buxheti i katërt që ne duhet ta miratojmë. Si zakonisht, ky buxhet vazhdon edhe këtë vit të jetë buxhet dëshirash, pra me 4 buxhete, diku mbi 100 milion euro, dhe gjitjhë këto kanë ngelur në suaza të dëshirave. Pra, realizimi i gjithë viteve paraprake, ka qenë duke nisur nga 0 deri në 25, 30%” tha Arif Selami, duke shpjeguar pse votoi “i përmbajtur”.

Ndërkaq, këshilltari i Lëvizjes BESA, Besar Durmishi, përmendi disa nga planifikimet e komunës së Tetovës në buxhetin e vitit 2020, të cilat nuk janë realizuar ashtu siç janë planifikuar. Kështu, edhe ai votoi “i përmbajtur”.

Beesar Durmishi, Lëvizja BESA.
Beesar Durmishi, Lëvizja BESA.

“Ajo që është evidente edhe në këtë parashikim buxheti, që nga parashikimet paraprake dallon shumë pak. Ndërsa realizimi i buxhetit, është identik me atë të viteve paraprake. Pikat kyçe unë i kam përmend çdo vit, nuk e lë pa i përmendur edhe këtë vit” tha këshilltari, Besar Durmishi.

Durmishi përmendi disa nga planifikimet dhe (mos) realizimet e komunës së Tetovës në vitin 2020, edhe atë:

Mirëmbajtja dhe mbrojtja e rrugëve lokale, në buxhetin e vitit 2020 janë pararë 20 milion denarë, ndërsa janë realizuar vetëm 2 milion e 800 mijë denarë, pra 12%.

Nxitja dhe Zvhillimi Turistik – Planifikimi 4 milion e 700 mijë denarë, 0 realizueshmëri.

Largimi dhe pastrimi i ujërave të zeza – Planifikimi 1 milion e 600 mijë denarë, realizueshmëria 0 denarë.

Përkrahja e zhvillimit ekonomik lokal – planifikimi në vitin 2020 është 81 milion denarë, realizueshmëria është 1 milion denarë.

Shërbimet tjera komunale – 1 milion e 800 mijë denarë të planifikuara, janë realizuar 44 mijë denarë.

Ndërtimi dhe Rikonstruimi i rrugëve dhe rrugicave lokale – 13 milion denarë të planifikuara në vitin 2020, realizueshmëria e dobët.

Ndërtimi i hapësirave për parking – 0 denarë realizim, nga viti 2017, planifikme ka çdo vit ndërsa këtë vit është 50 milion denarë planifikimi.

Ndërtimi i Sistemeve për Furnizim me Ujë – Planifikimi 1 milion e 500 mijë denarë, realizueshmëria 0 denarë.

Fusha e Shpenzimeve Kapitale për Parqe dhe Gjelbërime – 12 milion denarë në vitin 2020, realizueshmëria 0 denarë” tha Durmishi.

Memeti: E pranojmë që ka ngecje në realizim, fajin e ka pandemia

Kryetari i Këshillit Komunal, Bekim Memeti, vlerësoi se nuk ka dështim të realizimit të buxhetit të viteve paraprake, por e pranoi se ka ngecje. Sipas tij, këtë vit sfidë kryesore ka qenë pandemia me virusin korona.

“Normalisht që komuna i ka për detyrë ti planifikoje, mirëpo realizimi gjithmonë ngecën në teren. Jemi optimist që kjo kësaj radhe të ndaloje dhe të vazhdojnë investimet, qytetarët i shohin ndryshimet tashmë, si puna e bulevardeve që janë hapur, gjelbërimi, autobusët, etj.” tha ai.

Në pyetjen se a ka dështuar komuna e Tetovës në realizimin e buxheteve paraprake, Memeti përgjigjet kështu:

“Nuk do të kisha thënës e nuk ka realizim të buxhetit paraprak, por ka ngecje të tij, një prej arsyeve është pandemia por ka edhe arsye të tjera, siç është përsëritja e shpalljeve gjë që prolongon edhe afatin e realizimit të projekteve” shtoi Bekim Memeti.

Ndryshe, shumica e parave në këtë buxhet do të shkojnë për paga dhe kontribute të punonjësve të komunës, marrë parasysh faktin se komuna e Tetovës ka një numër të madh të të punësuarve, gjegjësisht më shumë se 400.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button