Hoti bisedoi me komisionarin Varhelyi rreth situatës me COVID-19 në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka zhvilluar një bisedë telefonike me Komisionerin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, ku ka diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend dhe situatën me pandeminë e COVID-19, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton komunikata nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, kryeministri Hoti e ka siguruar komisionarin Varhelyi se “Kosova do të vazhdojë të ketë stabilitet institucional dhe fiskal, do ta trajtojë me prioritet menaxhimin e pandemisë së COVID-19”.

Hoti dhe Varhelyi kanë biseduar edhe për çështjen e vaksinës kundër COVID-19, ku komisionari evropian e siguroi kryeministrin kosovar se një sasi e tyre do të arrijë në Kosovë në të njëjtën kohë me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Hoti e siguroi komisionerin Varhelyi se në kuadër të planeve për vaksinim janë përfshirë të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim.

Tutje, Hoti dhe Varhelyi ngritën shqetësim edhe për hyrjen në mënyrë ilegale të disa vaksinave anti-COVID-19 nga Serbia drejtë komunave veriore me shumicë serbe në territorin e Kosovës, ku sjellja e Serbisë me këtë rast u konsiderua e papranueshme.

“Të dy bashkëbiseduesit ngritën shqetësimin për hyrjen ilegale të vaksinës kundër COVID-19 në Kosovë, pa procedura të rregullta të importit apo donacionit për produkte medicinale, për të cilat nuk dihet as origjina. Kjo sjellje e Republikës së Serbisë u konsiderua e papranueshme dhe institucionet e Kosovës kanë iniciuar veprimet e nevojshme ligjore ndaj personave të përfshirë në këto veprime”, thuhet në komunikatë.

Komisioni Evropian tashmë ka miratuar një paketë prej 70 milionë eurosh në kuadrin e Instrumentit për Para-Anëtarësim për të ndihmuar financimin e qasjes së partnerëve të Ballkanit Perëndimor në vaksinat COVID-19 të siguruara nga shtetet anëtare të BE-së.

Për këtë komisioneri Varhelyi tha se do të vazhdojnë të veprojnë me këtë frymë edhe në rastin e vaksinave.

“Vaksinimi i shpejtë do të jetë vendimtar për përfundimin e pandemisë dhe fillimin e rimëkëmbjes socio-ekonomike të Ballkanit Perëndimor”, shtoi ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button