Një vit i vështirë dhe një stil i ri pune

Në të vërtetë, nga zhvillimi i rrethanave, nga kushtet e ndikimet e jashtme dhe në njëfarë mënyre edhe nga forca vepruese e kohës, ndër të tjera,  gjërat nuk qëndrojnë në vend, por lëvizin e pareshtur ndryshojnë, ecin përpara, dhe zhvillimin e përparimin e tyre, në të shumtën e rasteve, nuk mund të pengojmë. Aq me tepër, kur vijnë nga shkaqe madhore. Të vjetrat ndryshojnë a zhduken dhe vijnë të rejat në vazhdimësi. Rrokullisen vitet dhe viti vitit nuk i ngjet. S’do fjale, viti 2020 qe një vit i vështire. Pandemia e sivjetme, pasojë nga virusi sëmundjeprurës i familjes korona, edhe sot e kësaj dite, vazhdon të korr dhe dëmton. Krijoi pengesa e vështirësi, ngushtoi e kufizoi rrjedhën e zakonshme të jetës, mbolli ndjenjën e pasigurisë dhe kalli frikën, shkaktoi mungesë gjallërie, zhvillimi e përparimi në shumë fusha të jetës shoqërore, e ashtu me radhë. Vazhdojnë punët e dendura dhe të përqendruara si dhe përpjekjet këmbëngulëse për të penguar përhapjen e qëndrueshme dhe për të zhdukur e kapërcyer pasojat e saj të rënda. Falë fuqive dhe mprehtësive mendore, aftësive e talenteve si dhe punës se dendur kërkimore e ngulmuese të shkencëtareve të shkëlqyer, desh e mira që në pak kohë, gjetën vaksinat e shumëpritura. Dhe u hap një rrugë shpëtimprurëse. E në e gjetshin edhe barin shërues, aq më mirë, dhe marrim frymë lirisht. Ndërmarrjet farmaceutike pararoja, me ritme të papara, vijojnë me punët e rritura për prodhimin e tyre sa më të madh të mundshëm. Ecet sipas planit të shpërndarjes, filloi dhe vazhdon furnizimi për gjithë botën. Para disa ditësh, në disa vende të huaja, filluan vaksinimet. Siç dihet, në përgjithësi, bërja e tyre nuk është e detyrueshme, respektohet liria e vullnetit të individëve, e grupeve shoqërore, e shoqërisë dhe etika shëndetësore. Shpërndarja e informacioneve jozyrtare, përhapja dhe qarkullimi i shumë lajmeve të rreme, si kurrë ndonjëherë, me qëllime e pa qëllime të paramenduara, gjithfarë trajtash digjitale, në oqeanin botëror të internetit, në rrjetet shoqërore, është një dukuri dhe veprim i pandershëm e i dëmshëm për shoqërinë, një gjë që kërkon vëmendjen dhe kujdesin e duhur. Do te vijë dita kur do të zhduket, pa pikë dyshimi, ashtu siç ndodhi me ato të kahershmet dhe me shkalla më të larta të rrezikshmërive.

Është fare e qartë, prania dhe vijimi i gjendjes së vështire, mbi të gjitha, sjell dhe mbolli ndjenjën e pakënaqësisë. Mënyra e jetesës, e njerëzve, e grupeve shoqërore dhe ajo e shoqërisë me mënyrën e organizimit të saj, ndryshuan dukshëm. Sidoqoftë, për të mirën e përgjithshme, për uljen e dëmeve dhe pasojave, si dhe për rritjen e mundësive për daljen sa më përpara nga gjendjen e vështire, me çdo kusht, në përputhje me kërkesat dhe urdhrat e organeve dhe institucioneve kompetente, duhet vepruar. Siç e dimë, kjo pandemi, bashkë me të tjerat, sjell dhe epideminë e një mode të re, e një stili të ri pune, i cili përhapet me të madhe. Gjithnjë e më tepër, kur është e mundshme, një pjesë e madhe e punëve a veprimtarive shoqërore, si bie fjala, punët mësimore, ato administrative dhe drejtuese e ndërmarrjeve, institucioneve, organizatave shoqërore, e ashtu me radhë, kryhen në stilin e ri të punës, në formën, “ në largësi-në shtëpi ” dhe në mënyrën “ onllajn-në internet ”. Një stil pune, i cili përdorej edhe para kësaj pandemie, por në përmasa e shkallë më të ulët. Sidoqoftë, në këtë formë e mënyrë, mund të punohet. Afër mendjes, me anët e saj të mira dhe ato të dobëta. Dhe siç e dimë, sjell gjendja e vështirë, vendoset e përhapet edhe në fushën më të rëndësishme të veprimtarive shoqërore, në fushën e edukimit. Dhe kundër vullnetit e dëshirës së përgjithshme, mësimi i tanishëm, përgjithësisht ashtu bëhet. Për shkaqe e arsye që dihen, arsimi nuk ec mirë përpara, arsimi çalon, është në ditë të errët. Por, më mirë pak, sesa aspak.

Pa mëdyshje, do të vijë koha  kur do të mund të sillemi e të veprojmë sipas dëshirës e vullnetit tonë.

Solidarësi shoqërore, durim e të mos i varrosim shpresat !

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button