Valbona Kadriu: Ja si t’i humbim kilogramët e tepërt të fituar gjatë dimrit (VIDEO)

Gjatë stinës së dimrit, shumica ankohen për kilogramët e shtuar. Por, përse ndodh që gjatë verës të bijmë nga pesha dhe gjatë stinës së dimrit të shtojmë peshë? Dietologët thonë se arsyeja për këtë mund të jetë mungesa e vitaminës D, si dhe temperaturat e ulëta. Por, patjetër që ka mënyrë se si mund të jemi të shëndetshëm edhe gjatë stinës së dimrit! Në një intervistë për Portalb, dietologia nga Shkupi, Valbona Kadriu, na tregon se si të ushqehemi që të humbim peshë ose, thjesht, të ndjehemi rehat me veten tonë.

Për vijën e trupit tonë, përveçse duhet të ushqehemi me ushqim të shëndetshëm, Valbona thotë se për të pasur efekt më të mirë, i gjithë regjimi duhet të përcillet edhe me ushtrime fizike.

“Në momentin që vetëdijësohemi se sa i dëmshëm ose i dobishëm mund të jetë ushqimi për ne, atëherë duhet të fillojmë të ushqehemi shëndetshëm, nuk duhet të presim.

Është mirë që mëngjesi të merret menjëherë pasi zgjohemi. Kjo mundëson që të kemi një ekuilibër gjatë tërë ditës.  Dhe, kuptohet, nuk duhet të neglizhohet aktiviteti fizik. Në rast se nuk mundemi të bëjmë një aktivititet të rregullt, atëherë shfrytëzojeni çdo mundësi për të lëvizur ”, shprehet Valbona.

Po ku qëndron i gjithë çelësi për humbje të peshës?

“Për të humbur peshë, fillimisht duhet të zëvendosojmë produktet sa i përket raportit kalorik më të lartë me produkte që kanë më pak kalori. Me 100 gramë patate mund të marrim 85 kalori nëse i ziejmë dhe 360 nëse janë si “frita”. Kuptohet, është mire të ulen gradualisht edhe sasitë, që të fillojë edhe zvogëlimi i lukthit. Dhe, duhet shumë dëshirë, vullnet dhe punë. Gjithçka që është e gatshme është mire të shmanget, si dhe të kemi kujdes me mënyrën e përgatitjes”, tha Valbona Kadriu.

Kur jemi te festat e fundvitit, e dimë se në tryezat tona dominojnë brumërat dhe ëmbëlsirat. Po si mund t’i zëvendësojmë këto ushqime me ndonjë recetë më të shëndetshme?

“Gjatë festave asnjëher nuk ka “receta të shëndetshme”. Mundet të korigjohen deri diku, por një mollë në një kejk klasik nuk ndryshon shumë. Më e mira do të kishte qenë të ushqehemi shëndetshëm në pjesën e ngelur të vitit, kurse për festa vetëm të kemi kujdes me sasinë. Edhe pse një “tarte aux pommes” (tart me molla) nuk i bën keq askujt. Jo vetëm se është e shijshme, por mund të themi se ka më shumë fibra sesa një ëmbëlsirë e rëndomtë”, tha Valbona.

Industria e dietave është një prej industrive më fitimprurëse në botë, ku deri më tani shuma e harxhuar për dieta ka shkuar deri në 72 miliardë dollarë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button