RMV, nesër do të njoftohen për ankesat e tyre, qytetarët që nuk arritën të marrin ndihmën prej 6 mijë denarëve

Qytetarët të cilët janë ankuar për shkak se nuk e kanë gjetur veten në listën e personave që ju takon ndihma shtetërore prej 6 mijë denarëve, nesër në “e-mail” do të marrin përgjigje nga Qeveria e RMV-së në lidhje me ankesën e tyre, bëhet fjalë për gjithsej 78 mijë ankesa, shkruan Portalb.mk.

Menjëherë pasi u publikua lista e qytetarëve të cilëve ju takon ndihma prej 6 mijë denarëve, shumë të tjerë u ankuan për shkak se nuk e kishin gjetur veten në atë listë, përkundër faktit se i takojnë njërës prej kategorive të caktuara për ndihmën.

Për këtë, zëdhënësi i Qeverisë së RMV-së sot në një konferencë për shtyp njoftoi se qeveria ka shqyrtuar gjithsej 78 mijë ankesa, dhe se, më së voni nesër qytetarët të cilët janë ankuar do të marrin përgjigje pozitive ose negative.

“Janë shqyrtuar të gjitha ankesat dhe kërkesat në uebin e blej të shtëpisë, për momentin mund të themi që do të dalim me numra konkret nesër. Edhe pse ligji nuk e detyron Qeverinë, duhet të theksohet se janë përpunuar në afat kohor gjithsej 78 mijë ankesa, të gjithë ata që kanë dërguar ankesë do të ju jepet përgjigje në adresën e tyre elektronike të cilën e kanë vendosur në dërgimin e ankesës” tha Dushko Arsovski.

Ndërkaq, në lidhje me qytetarët të cilët kanë llogaritë e bllokuara, Arsovski tha se disa nga bankat mundësojnë hapjen e nënllogarive vetëm për të marrë këtë ndihmë.

“Për ata të cilët kanë llogaritë e bllokuara, bankat të cilat kanë pasur mundësi ju kanë hapur një llogari tjetër për të pranuar këtë ndihmë” shtoi Arsovski.

Ndryshe, një numër i madh i qytetarëve kanë alarmuar nëpër rrjete sociale se nuk mund t’i tërheqin nga banka paratë e lëshuara nga Qeveria si pjesë e ndihmës shtetërore, pasi llogaritë e tyre janë bllokuar nga ana e përmbaruesve për shkak të borxheve. Pra, në momentin që paratë kanë hyrë, llogaritë e tyre janë bllokuar

Sipas procedurës, nëse keni borxh për ndonjë faturë të papaguar, kreditorët kanë të drejtë të kërkojnë bllokim të llogarisë tuaj.  Ligji për përmbarim, parasheh që përmbaruesi ka të drejtë të bllokojë llogari bankare dhe prej saj të merr një pjesë që të paguajë borxh për rrymë, ujë, ngrohje, kredi dhe të ngjashme.

Qeveria  më 12 dhjetor publikoi listën, e qytetarëve të cilëve u takon ndihma shtetërore, si pjesë e pakos së katërt të masave ekonomike për ballafaqim me krizën e shkaktuar nga pandemia.

Masat parashohin që 283 mijë qytetarë të marrin nga rreth 6000 denarë apo 100 euro. Këtu përfshihen qytetarët me të hyra të vogla, qytetarët me pensione të ulëta, përdoruesit e ndihmës sociale, të rinjtë të moshës prej 16-29 vjet, artistët dhe personat të tjerë të përfshirë në veprimtarinë e kulturës, punonjësit e filmit artistët e estradës.

Nga Qeveria sqaruan se ndihma për kategoritë e rrezikuara nuk do të shkojë përmes kartelave pagesore, por në mënyrë të drejtpërdrejtë në xhirollogaritë e tyre bankare.

Sipas Entit të Statistikës, që nga fillimi i pandemisë, rreth 15 mijë persona kanë humbur vendet e tyre të punës, por sipas odave ekonomike numri i atyre që kanë humbur punës ka arritur në mbi 40 mijë persona.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button