Xhesika Polo me këngën “Frymë” ka fituar festivalin “Nota Fest 2020”

Këngëtarja nga Shqipëria Xhesika Polo me këngën “Frymë” është fituese e edicionit të 16-ë të festivalit Nota Fest 2020 i cili si festival u rikthye pas 10 viteve mungese në skenën e muzikës zbavitëse shqipe në vend, transmeton Portalb.mk.

Kënga “Frymë” me muzikë dhe orkestrim nga Marko Polo dhe tekst të Aleks Seitaj, fitoi pikët më larta nga juria profesioniste e festivalit duke triumfuar në mesin e 14 këngëve pjesëmarrëse për këtë vit dhe duke u shpallur edhe kënga fituese për këtë edicion.

Juria e festivalit në përbërje: Kastriot Tusha – tenor edhe profesor i solo këndimit në Akademinë e Arteve Tiranë, Adem Ymeri kompozitor dhe drejtues i festivalit për fëmijë Ylberi, Ariana Kuriu Grubi – profesoreshë e pianos, Driton Sulejmani – bashkëpunëtor i muzikës në Radio Shkupi, Elita Reçi – këngëtare dhe profesoreshë e muzikës, Shpend Ahmeti – ish anëtar i grupit Telex dhe tekst shkrues dhe Valton Beqiri- kompozitor, ndanë tre çmimet kryesore të festivalit.

Nota Fest 2020
Nota Fest 2020

Çmimi i dytë i takoi këngëtares strugane por që jeton dhe punon në Suedi, Eliona Qira me këngën “Të harrova” e cila përveç çmimit të dytë fitoi edhe çmimin për orkestrim më të mirë, interpretim më të mirë dhe çmimin Youtube. Çmimi i tretë nga juria profesioniste shkoi për këngëtaren Sara Berisha me këngën “Të ndarë”.

Organizatorët e festivalit dhe këshilli artistik ndanë edhe çmime të tjera për pjesëmarrësit e këtij viti, çmimi teksti më i mirë- i përket këngës me titull “Ç’ka ka ikur, më nuk vjen” me vargje nga Jorgo Papingji, interpretim nga Hana Palloshi. Kompozimi më i mirë- shkoi për këngën me titull “Thirrëm” e realizuar nga Gramoz & Greis Kozeli. Produksioni më i mirë-  iu nda këngës me titull “E dalura nga ëndrrat” me interpretim të Gramos Aliut. Çmimin Best Dance- e fitoi kënga me titull “Ç’po ndodh me mua” me interpretues motrat binjake Hana & Eranda Haskaj.

Në festival u nda edhe çmimi “Agron Berisha” i cili njihet edhe si iniciatori i parë për nisjen e festivalit Nota Fest, ky çmim i takoi grupit të rrokut arbëreshëve Peppa Marriti Band me këngën me titull “Poezia”.

U ndanë edhe çmime të tjera si çmimi i Televizionit 21 – për  këngëtaren Majlinda Cikaqi me këngën “Sikur dje”, çmimi i  Produksionit Avantgarde- shkoi për artistin Lis Asllanaj me këngën me titull  “Hajgare e jetës”, i cili po ashtu fitoi edhe çmimin për këngën Stil. Çmimi Facebook & Instagram -shkoi për interpretuesen Rea Nuhu me këngën me titull “Na dy” e cila po ashtu fitoi edhe çmimin e këngës Hit të festivalit. Çmimi i karrierës -shkoi për  kantautorin Artan Bakija, ndërsa kantautori më i mirë u përzgjodh Selami Pollozhani.

Edhe pse në një periudhë të  pazakontë, Nota Fest erdhi për teleshikuesit me nota optimizmi në festën muzikore. I diktuar nga kushtet që na krijoi pandemia me virusin Kovid 19, festivali këtë vit u desh të realizohet në një studio televizive dhe pa prezencë të publikut, ndërkaq u transmetua në Televisionin 21 në Maqedoni dhe në Kosovë.

Organizatorët e festivalit shprehen të kënaqur nga interesimi i artistëve për pjesëmarrje në këtë festival edhe pse në kushte të vështira u arrit qëllimi i rikthimit të njërit prej festivaleve më prestigjioze të muzikës së lehtë në vend Nota Fest 2020 kësaj radhe nga Porduksioni Avantgarde me në krye drejtorin e festivalit Avni Aliu.

Festivali këtë vit u përkrah nga Ministria e Kulturës së Maqedonisë së Veriut, nga komuna e Çairit, kompania Trim dhe Lum, Bianka Sposa,  Butiku Nana edhe Ana Bora.

Organizatorët ndanë edhe disa mirënjohje në shenjë falënderimi për kontributin e dhënë për artin në përgjithësi disa personaliteteve të ndryshme si dhe ndanë një mirënjohje post-mortum për z.Enver Maliqi për kontributin dhe mbështetjen e dhënë për festivalin Nota Fest ndër vite.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button