Në mundesh…

Në mundesh të ruash arsyen
Kur bota e humbet fillin
E fajin ta hedhin, e vetes t’i besosh
Sa here për ty dyshojne, e s’të përfillin
Por dhe dyshimet drejtë t’i gjykosh.

Në mundesh të rrish në pritje, nga pritja pa u lodhur
E kur të urrejnë, urrejtje të mos ushqesh
Madje ndaj shpifjeve të rrish pa folur
Me thjeshtësi, me to pa rënë ndesh…

Në mundesh të mendosh, por jo gjer në shkatërrim
Të ëndërrosh, por jo si rob ëndërrimesh
E të trajtosh njëlloj e pa dallim
Ngadhnjim e shpartallim, burim mashtrimesh.

Në durofsh dot që thëniet e tua të drejta
Në kurthe për trutharet, kopuket do t’i kthejnë,
Të thyejnë gjërat më të shtrenjta, e prapë t’i ndërtosh
Me vegla pune që nuk vlejnë!

Në mundesh, fitoret qe ke korrur, t’i flijosh
Si në kumar, në një të vetme lojë
Të rrezikosh, të humbesh, e prapë te fillosh
Dhe humbjet kurrë të mos i zesh me gojë!

Në i detyrofsh dot muskul, nerv, dhe puls e zemër
Të të shërbejne edhe kur gjithçka të duket e kotë
E të qëndrosh, kur s’ka asgjë veç vullnetit,
Që veç një fjalë, ‘qëndro’ gjithnjë të thotë.

Në mundesh të flasësh me maskarenjtë
Por nderin tënd ta ruash
E të ecesh përkrah mbretit pa krenarinë që të verbon
Nëse armiku ose miku s’të bëjne dot të vuash
Dhe gjithçka në e çmon, përveç sa e meriton.

Në mundesh të mbushësh ti minutat,
Aq të rënda, me vepra që peshojnë,
Dije, dhe mos ki asnjë dyshim
E jotja do jetë bota me ç’ka brenda
Dhe burrë do jesh, o biri im….

Lajme të ngjashme

Back to top button