Cana si qendërmbrojtës ‘blerja’ më e mirë e Lacios

Paraqitjet e fundit me fanellën e Lacios e kanë kthyer Lorik Canën sërish në qendër të vëmendjes së shtypit italian. Ndaj Atalantës, hedhja e tij në fushë nga ana trajnerit Petkoviç i dha një shtysë më shumë ekipit në fitoren 2-0. Përveç kësaj, vetë kapiteni i Kombëtares sonë pati një mundësi të mirë për të shënuar, por topi i goditur prej tij u largua në vijën fatale nga ana e një kundërshtari.

Megjithatë, “instalimi” i tij në qendër të mbrojtjes, duket se është lëvizja e duhur dhe që jep rezultat në kampin lacial. Më në fund, Cana ka arritur të shprehë potencialin e tij, por gjithashtu u kuptua nga trajneri Petkoviç edhe roli i tij ideal te skuadra bardhekaltër.

Pas transferimit te Lacio në shkëmbim të portierit Muslera, i cili kaloi te Gallatasaraj, ai është parë gjithnjë si një “klon” i Ledezmës dhe kapiteni i kuqezinjve ishte gjithnjë në balotazh me mesfushorin argjentinas. Por, në takimet e fundit, Cana ka treguar se trajneri ish-tekniku Reja ka bërë gabim duke lënë në stol një prej lojtarëve më të paguar te Lacio.

Ardhja e Petkoviç Trajneri i ri e ka kuptuar se ku duhet ta aktivizojë 29-vjeçarin nga Prishtina. Intuita e këtij të fundit mund të vlejë shumë, pasi Loriku mund të jetë një pikë e fortë për të përforcuar repartin e prapavijës. Përveç kësaj, një fakt tjetër sipas gazetës italiane “Corriere Della Sera”, që Cana duhet të aktivizohet më shumë te Lacio është edhe justifikimi i rrogës që lojtari përfiton nga klubi.

1.7 milion euro në vit paguhet kapiteni i përfaqësueses sonë, kjo sipas një kontrate të nënshkruar më 3 qershor 2011, mes tij dhe drejtuesve të klubit nga kryeqyteti Italian. Sipas medias së shkruar italiane, roli i Lorikut te Lacio nuk duhet krahasuar me atë të Ledezmës dhe se nuk duhet parë si një tip i tillë lojtari në fushën e lojës. Cilësitë e 29-vjeçarit janë të ngjashme me ato të Dias, i cili luan në qendër të mbrojtjes.

Teknikë e duhur për mbrojtës Ndoshta shpejtësia nuk është arma më e fortë e Canës, por si kompensim të këtij fakti ai zotëron prezencë fizike, i fortë në duelet ajrore dhe mosha e tij (29 vjeç) është një tjetër komponent perfekt që lojtari shqiptar të aktivizohet si qendërmbrojtës te Lacio.

Kjo e fundit një plus për të, pasi thyen konkurrencën ndaj Dias, i cili i ka kaluar të 34-at, por edhe të Biavës që është në limitet e 35-ës. Ky është një ndryshim që ndihet shumë, pasi Cana, sipas gazetës “Corriere Della Sera” i jep më shumë freski repartit të prapavijës. Këto duket se janë edhe arsyet se pse trajneri Petkoviç i ka besuar Canës në ndeshjet e fundit, pasi karakteristikat e tij mund t’i japin një dorë Lacios për të arritur objektivat e veta.

Pjesa e dytë kundër Atalantës Ishte fraksioni më pozitiv për bardhekaltërit, që solli edhe fitoren dhe tri pikët për të besuarit e trajnerit Petkoviç. Ky i fundit bën lëvizjen e tij që në dhomat e zhveshjes, ku pas fillimit të 45-minutave të dyta të sfidës hedh në lojë Canën, të cilin e inkuadron në qendër të mbrojtjes, së bashku me Ciani dhe Biavën.

Një lëvizje kjo që ndezi edhe “motorët” e ekipit, pasi në fushë kishte tashmë më shumë muskuj. Ky ishte edhe “çelësi” taktik i ndeshjes. Cana pati një mundësi të mirë për të shënuar dhe kjo do të ndodhte, nëse Denis i Atalantës nuk do ta kishte hequr topin në vijën fatale.

Ja pozicioni ideal i Lorik Canës Kështu, gazeta italiane këmbëngul në rolin e kapitenit të kuqezinjve, që sipas tyre është ai i qendërmbrojtësit, ashtu siç luan në Kombëtaren tonë. Si një lojtar në repartin e prapavijës, Loriku është cilësuar nga “Corriere Della Sera” edhe si “blerja” më e mirë e Lacios në këtë merkato janari.

Tashmë mbetet për t’u parë se cili do të jetë pozicioni i 29-vjeçarit në ndeshjen e radhës në Serinë A, ku ndoshta do të jetë edhe titullar te Lacio, ndërsa Petkoviç mund të projektojë një mbrojtje me tre lojtarë, e njëjtë me atë të pjesës së dytë kundër Atalantës. Ndoshta një pozicionim i tij në këtë rol dhe aktivizimi i Lorikut për më shumë minuta do të sillte edhe qëndrimin e tij te Lacio edhe për sezonin e ardhshëm.

Lajme të ngjashme

Back to top button