Gjuha dhe dialektet

“Historia e gjuhëve është historia e popujve që i flasin a i kanë folur” thotë në një vepër të tij profesor Eqrem Çabej. Ndër të tjera, ai në vepra e studime të ndryshme, të cilat, si gjithmonë lidhen me historinë e popullit shqiptar, thekson se një popull ashtu siç ka historinë e tij (që nga e kaluara e deri në ditët e sotme), po ashtu ka edhe historinë e gjuhës, si element i rëndësishëm identifikimi, përfshirë në vijë të barabartë me elementet tjera, të cilat për ne krijojnë histori. Ajo (gjuha) njihet nga të tjerët sidomos kur fillon të shkruhet, ngase vetëm atëherë e merr fizionominë e vet dhe në historinë e kulturës së njerëzimit zë vend të veçantë.

Dihet se larmia e gjuhës dallohet në të folmet e saj, të cilat janë të larmishme dhe pranohen nga vetë folësit që ato edhe i vënë në përdorim. Historia e çdo gjuhe të folur fillon gjithmonë e në çdo kohë me dialektet. Ato për gjuhën janë një pasuri e madhe dhe si të tilla duhet të ruhen nga të gjithë, në mënyrë që e kaluara të jetë një relikt i çmuar dhe pjesë e rëndësishme e së ardhmes sonë, për të mos harruar kush kemi qenë dhe në ç’rrugë kemi ecur për të arritur deri në ditët e sotme. Sepse ashtu siç dimë se bijë të kujt jemi, ashtu duhet të dimë edhe pasurinë dialektore.

Jo më kot gjithë letrarët dhe gjuhëtarët tanë, shkrimin dhe krijimet e veta, të natyrave të ndryshme, i kanë filluar në gjuhën popullore (pra, shkrime në dialekt), sepse siç ka thënë edhe Fishta, realisti ynë, tharmi i gjuhës shqipe ruhet në të folurit e popullit. Ndërsa, më vonë edhe Kadare, një ndër prozatorët më në zë e më të rrallë të letrave shqipe, në romanin e tij “Spiritus” thekson se: “Në gjuhën e një populli mund të gjesh kyçet për të zbërthyer misterin e tij”.

Të folurit e një gjuhe të një populli, përmbledh në vete elemente, të cilat kanë karakter dallues dhe karakter të përbashkët me një gjuhë tjetër. Por, pavarësisht se ka një gjuhë standarde dhe të përdorur nga të gjithë, dialektologë dhe studiues të shumtë janë marrë me studimin e të folmeve të caktuara, si pjesë e dialekteve përkatëse. Të tillat i kanë parë si elemente pasuruese dhe ndërtuese edhe për gjuhën letrare e artistike, falë së cilave ajo del më e plotë para lexuesve.

Një punë të tillë dhe me vlera të mëdha kanë bërë edhe shumë dialektologë e studiues të njohur shqiptarë, duke u nisur nga thënia e lashtë, se: “Ai njeri që nuk ka hulumtuar me kujdes dialektet dhe të folmet e gjuhës së vet, nuk njeh as gjysmën e saj”.

Kjo thënie mbetet aksiomë edhe sot. Sigurisht se si e tillë dhe nxitëse për çdo kohë, nuk kishte se në ç’mënyrë tjetër t’i shtynte në punë dialektologët, përpos që ata të fillonin hulumtimet dhe me studime të kuptonin rëndësinë e dialekteve, ngase është pranuar mendimi, se ata (dialektet), janë faktorë kryesorë në pasurimin dhe forcimin e një gjuhe.

Një pohim të tillë bënë edhe dialektologët shqiptarë, të cilët me punën dhe hulumtimet e tyre pasuruan fondin e fjalëve të shqipes letrare dhe përpara lexuesit sollën karakteristikat që kanë të folmet shqipe të gjuhës së përbashkët standarde. Puna e tyre dëshmon se historia dhe kultura e popullit mund të kuptohet vetëm me të shikuarit e së kaluarës, sepse ajo përpos që tregon rrugën dhe zhvillimin e shqipes si gjuhë, dëshmon edhe pasurinë e madhe që ka trashëguar shqipja standarde nga e kaluara.

Dialektet flasin edhe për larminë e madhe që populli ynë ka krijuar dhe gjatë tërë historisë i ka ruajtur me fanatizëm, pa mos përjashtuar edhe rastet kur në to, dhunshëm kanë hyrë e janë bërë pjesë të pandara edhe fjalët e sunduesve të tokave shqiptare (duke mos harruar edhe rastet e huazimeve të ndryshme, të cilat kanë qenë të nevojshme, jo vetëm për ne, por për të gjithë popujt). Por pavarësisht tyre, sot shqipja njeh shumë fjalë, është e pasur dhe nga krijues të ndryshëm letrarë është pasuruar edhe me fjalë të reja, të cilat tingëllojnë bukur dhe janë kuptimplota.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button