Taravari: Bujar Osmani me sukses po zbaton politikën e jashtme pro-ruse të Dimitrovit (VIDEO)

Jemi jashtëzakonisht të shqetësuar në lidhje me mos-harmonizimin e politikës së jashtme të Maqedonisë së Veriut, me atë të BE-së, veçanërisht në lidhje me sanksionet evropiane kundër Rusisë, në lidhje me agresionin rus në Ukrainë. Politika e jashtme dhe e sigurisë së BE-së bazohet në akte ligjore dhe në dokumente politike, siç janë sanksionet dhe restrikcionet, theksoi në konferencën e sotme për shtyp sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari, njofton Portalb.

“Vendet kandidate si Maqedonia e Veriut, kanë për obligim ligjor të rreshtohen me deklaratat e BE dhe të zbatojnë sanksionet evropiane kur kërkohet një gjë e tillë nga Brukseli. Në marsin e vitit 2014, BE ka vendosur masa kufizuese kundër Rusisë, përfshirë masa diplomatike, ngrirje të aseteve dhe ndalesa udhëtimi, si dhe sanksione ekonomike”, theksoi Taravari.

Departamenti për euro-integrime i Aleancës për Shqiptarët, tha ai, ka analizuar të gjitha deklaratat e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për politikë të jashtme, që kanë të bëjnë me respektimin e sanksioneve, ku, sipas tij, rezultatet dhe konkludimet tona janë shumë shqetësuese për RMV-në.

“Që kur Zoran Zaev u bë kryeministër i Maqedonisë së Veriut, Këshilli i BE-së ka marrë 21 vendime për të vazhduar dhe zgjeruar sanksionet ndaj Rusisë. Qeveria e Maqedonisë së Veriut, asnjëherë nuk është rreshtuаr me këto vendime. Pra, qeveritë Zaev I dhe Zaev II, plot 21 herë kanë refuzuar sanksionet ndaj Rusisë. Ky është një trend shumë shqetësues! Në njërën anë kemi Shqipërinë dhe Malin e Zi, plotësisht të rreshtuar me BE. Ndërsa, në anën tjetër kemi Maqedoninë e Veriut të Zoran Zaevit dhe Serbinë e Vuçiçit, që refuzojnë sanksionet evropiane kundër Rusisë, tha ai.

Taravari potencoi se ajo që ata më shumë i shqetëson është edhe fakti se Ministria e Jashtme udhëhiqet nga një shqiptar, i cili po na vë në anën e Vuçiçit, Dodikut dhe të Putinit.

“Më 10 shtator 2020 dhe më 1 tetor 2020, Këshilli i BE vazhdoi dhe zgjeroi sanksionet kundër Rusisë, dhe Bujar Osmani si ministri i ri i Punëve të Jashtme në kabinetin Zaev II, nuk është rreshtuar me vendet e BE. Bujar Osmani, i cili akuzon të tjerët se janë dora e zgajtur e Kremlinit, në fakt me sukses po zbaton politikën e jashtme pro-ruse të Dimitrovit, që kur e ka marrë detyrën. Qytetarët meritojnë të dinë se si një qeveri që deklaron veten pro-evropiane dhe një Ministër që pretendon se dielli i tij lind në Perëndim, nuk i përmbush detyrimet e një vendi kandidat për në BE, por preferon të rreshtohet me Rusinë? A është kjo për shkak se qeveria po mbron pasuritë e njerëzve të Putinit dhe lirinë e tyre të lëvizjes? Apo është për të mbrojtur interesat ekonomike ruse në Maqedoninë e Veriut?”, tha ai.

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kërkon nga Bujar Osmani të harmonizojë menjëherë politikën e jashtme të vendit me atë të BE-së, për të gjitha çështjet ku kërkohet një gjë e tillë.

“BE nuk është lavatriçe për politikanë të korruptuar që mbështesin Putinin dhe agresionin Rus, ndërsa kërkojnë integrim në BE. Maqedonia e Veriut duhet të sillet si një vend kandidat, e jo si të ishte ndonjë republikë ish-sovjetike, sepse këtë gjë e presin qytetarët tanë dhe e imponojnë edhe detyrimet tona ligjore ndaj BE-së”, theksoi në Taravari në konferencën për shtyp.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button