Pas 20 orëve fjalime, replika dhe kundërreplika deri në mëngjes, sërish u ndërpre debati kuvendor për kontestin midis Qeverisë dhe “Makpetrol”-it

Kuvendi pas më shumë se njëzet orëve, mëngjesin e sotëm e ndërpreu debatin për Propozim-ligjin për zgjidhje të kontestit midis Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe “Makpetrol” SHA Shkup përmes rrugës së marrëveshjes, me procedurë të shkurtuar. Seanca e 20-të në rend dite të së cilës është ky Propozim-ligj do të caktohet në mënyrë plotësuese, shkruan 360 Grade, njofton Portalb.

Kjo zgjidhje ligjore parashikon që t’i njihet “Makpetrol”-it pronësi të 50 për qind nga gazsjellësi në vend dhe t’i paguhet çmim prej 33 milionë eurosh.

Gjatë debatit, i cili zgjati edhe gjatë natës së kaluar, deputetët e opozitës me fjalime, replika dhe kundërreplika përpiqeshin ta pengojnë miratimin e këtij ligji.

Ata konsiderojnë se zgjidhja e propozuar ligjore është një nga seria e ligjeve që e vrasin drejtësinë dhe i shkelin parimet themelore të së drejtës.

Sipas tyre, nuk mund të ketë ligj për kontest sepse ai zgjidhet me ndërmjetësim edhe në gjykata. Nuk guxon, theksuan, Kuvendi të shndërrohet në kuazi-gjykatë, për shkak se ai është kompetent vetëm për ratifikim të marrëveshjeve. Referimi i akteve nga e kaluara nga viti 1987 të cilët mund të shfrytëzohen si përvojë, është e palejueshme, theksuan deputetët e opozitës, ndërsa institucionet nuk duhet të fshihen pas ligjit, por ta zgjidhin kontestin në mënyrë ku dhe si duhet. Ata presin që presidenti ta shfuqizojë dhe të vendosë veto nëse ky ligj megjithatë sërish votohet.

Aleksandar Nikolloski nga VMRO-DPMNE-ja tha se këtë që po e bën pushteti e njëjtë si me ndryshimin e emrit të shtetit.

Në debatin e mbrëmshëm, në replikë, ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi theksoi se duhet të bëhet dallim midis vlerës nominale dhe aktuale të çdo SHA dhe shtoi se në vitin 2006 kur është themeluar SHA GA-MA vlera nominale ka qenë 1.500 denarë për aksion, ndërsa tani për momentin është 12.500 denarë.

“Vetëm gazsjellësi Kleçovcë-Shtip i gjatë 61 kilometra kushton 71 milionë euro. Me ndërtimin e gazsjellësit si shtet do të fitojmë energjens më të mirë dhe do të zvogëlohet ndotja e mjedisit jetësor, ndërsa industria do të bëhet më konkurrente në nivel global”, tha Bekteshi.

Deputetët e shumicës qeveritare në diskutimet theksuan se vlerësimi për vlerën e gazsjellësit është bërë sipas të gjithë standardeve nga një institucion vendor dhe një i huaj dhe është në 300 faqe dhe se krahas gazsjellësit në të janë të vendosur edhe të mira të tjera materiale dhe vegla me ç’rast vlera e përgjithshme është 33 milionë euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button