Në Shkup filloi pastrimi i njërës prej deponive më problematike në vende

Kryetari i Qytetit të Shkupi, Petre Shilegov, i shoqëruar me ministrin e mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor, Naser Nuredini, përcjellën sot punimet për pastrimin e deponisë që gjendet ndërmjet komunës së Shuto Orizarës, Butelit dhe Çuçer Sandevës, transmeton Portalb.mk.

“Qyteti i Shkupit sot filloi aksionin e madh për pastrimin e deponisë së egër në Vizbeg, e cila paraqet një problem mjedisor me dekada për Shkupin, veçanërisht për banorët e komunave përreth, Shuto Orizare, Butel dhe Çuçer Sandevë. Nga deponia e cila përfshin sipërfaqe prej 10 hektarëve, rreth dhjetë fusha të futbolli, do të pastrohen rreth 50 mijë metra kub mbeturina dhe mbetje komunale”, deklaroi Shilegov, duke kërkuar nga qytetarët që të kujdesen për qytetin sikur të jetë shtëpia e tyre e madhe, pa harruar të theksojë se tashmë inspektorët e Qytetit dhe Komunave kanë rritur inspektimet.

“Portalb.mk” dhe “Meta.mk” tashmë dy vite me radhë po shkruajnë për problemin me deponinë në Vizbeg, me ç’rast në një nga raportet vetë banorët e vendbanimeve përreth thanë se nuk kishin probleme me hedhjen e mbeturinave në atë vend para viti 2016. Përkundër përpjekjeve për të pastruar deponinë në vitet e fundit, posa të pastrohet një pjesë e saj, pas disa kohësh mbetjet e reja janë grumbulluar përsëri në vend, duke përfshirë mbeturinat që sillen ng Komuna Shuto Orizarë.

Shilegov përkujtoi se kjo deponia është vazhdimësi e pastrimit të deponive, sikur ato në Gjorçe Petrov, Miçurin dhe Kisella Vodë, ndërkohë falënderoi ministrin Nuredini për përkrahjen në këtë iniciativë.

“Pres që në 30-të ditët e ardhshme të pastrojmë këtë sipërfaqe”, vlerësoi Shilegov, duke theksuar se kjo do të jetë një oazë e gjelbër.

Ndryshe, me rishikimin e aprovuar të buxhetit të shtetit, Ministrisë së mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor iu ndanë 20 milionë denarë (325,000 euro) për pastrimin e deponisë ilegale në afërsi të fshatit Vizbeg-Shkup.

Qyteti i Shkupit bashkë me dhjetë komunat e Shkupit nga 1 janari do të kenë shërbim të përbashkët inspektorati. Kjo do të thotë që të gjithë inspektorët edhe të Qytetit Shkup edhe të komunave, do të mund të intervenojnë gjithandej dhe të dënojnë për kundërvajtje nga sfera komunale dhe ndotje. Për gjithë Shkupit tani do të ketë gjithsej 115 inspektorë dhe kujdestarë komunal, ndërsa do të jenë të koordinuar nga inspektorati i Qytetit Shkup.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button