Studentët kërkojnë dijen jashtë vendit, Albana Kurti tregon pse ka zgjedhur të largohet

Mundësitë e vogla për sukses, jo-profesionalizmi i një pjese të madhe të punonjësve të arsimit, paaftësia e sistemit arsimor në RMV që të bëje të rinjtë ta duan mësimnxënien, janë vetëm disa nga arsyet pse studentja Albana Kurti ka vendosur të studioje jashtë vendit për të mos u kthyer më. Ndërkaq, aktualisht ka 5.704 student të RMV-së në botë, shkruan Portalb.mk.

Mbi 5.700 të rinj nga Maqedonia e Veriut, pasi e kanë mbaruar shkollimin e mesëm, janë larguar jashtë vendit për të studiuar, kështu tregon raporti i një prej organizatave më kredibile në botë, UNESCO, apo Organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara.

E intervistuar nga Portalb.mk, këtë javë është studentja Albana Kurti, ajo aktualisht studion në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), në Universitetin e Minessotës. Kurti nga shkolla e mesme ka braktisur RMV-në për të studiuar fillimisht në Gjermani.

Albana Kurti, studente.
Albana Kurti, studente.

“Ka katër vite që jam larguar nga Maqedonia e Veriut, u shpërngula në Maqedoni për të kryer shkollimin e mesëm. Isha 16 vjeçare dhe vendosa dy vitet e fundit të shkollës së mesme, ti përfundoj në Gjermani, me shpresën që të më hapen më shumë dyer për studime në ShBA” tha Albana Kurti, studente.

Albanës arsimi në RMV i asocon me depresionin, pasivitetin dhe të qenurit i pakuptimtë, ajo përmendi disa nga arsyet pse ka vendosur të studioje jashtë vendit, edhe atë, mundësitë e vogla për sukses, jo-profesionalizmi i një pjese të madhe të punonjësve të arsimit, paaftësia e sistemit arsimor në RMV që të bëje të rinjtë ta duan mësimnxënien.

“Arsimi në të shumtën e rasteve nuk e ka vlerën e njëjtë në nivel global. Megjithatë, unë kam studijuar edhe në shkollë publike edhe private, në bazë të përvojës time në RMV, kam vërejtur se shumë pak mësimdhënës realisht e duan punën e tyre dhe tentojnë të gjejnë mënyra për të mësuar nxënësit. Në një arsim ku shumë mësimdhënës nuk dinë ta përçojnë dijen e tyre, ku gjeneratat e reja nuk kanë prioritet edukimin, është vështirë të arrish sukses. Edukimi në RMV për mua është sinonim i depresionit, pasivitetit dhe i të qenurit i pakuptimtë” tha Albana Kurti, duke shpjeguar se çfarë nuk shkon me arsimin në RMV.

Ajo shtoi se gjatë 16 viteve që ka studiuar në RMV, “askush nuk më kishte mësuar se si të mësoj, këtë dhe metodat e mësimit që më përshtaten mua, si ta dua procesin e të mësuarit, i mësova në Gjermani, menjëherë pasi u largova prej Maqedonisë”.

Studentja Kurti për Portalb.mk tha se nuk planifikon të kthehet në Maqedoninë e Veriut pasi të përfundoje studimet në ShBA, e njëjta thotë se ka punuar shumë për të arritur për të arritur aty ku është.

“Absolutisht që nuk do të kthehem. Unë kam dhënë shumë mund për të arritur këtu ku jam sot, Maqedonia nuk më ka dhënë arsye që unë mundin tim ta investoj atje. Kualiteti i jetës më është përmirësuar pafundësisht në 4 vitet e fundit, pra, me vetëdëshire, nuk do të isha kthyer kurrë, fatkeqësisht” tha Albana Kurti, studente.

RMV investon, shtetet “tjera ua shohin hajrin”: Mbi 5.700 studentë studiojnë jashtë vendit 

Maqedonia e Veriut, nëpërmjet taksave të qytetarëve çdo vit harxhon miliarda denarë për nxënësit filloristë, të shkollave të mesme, por edhe të fakulteteve me qëllim që të sigurojë zbatim të procesit arsimor, ndërkaq pret që nga kuadrot në të cilët ka investuar, nesër të kyçen në sistemin shtetëror ku do të kontribuonin për shtetin amë. Megjithatë, një pjesë e tyre, pasi mbarojnë shkollimin e mesëm, për shkak dëshirave të tyre për hapjen e perspektivave, nëpërmjet bursave të ndryshme shtetërore, të fakulteteve të ndryshme, por edhe me mjete private largohen nga vendi për të studiuar e më pas për t’u punësuar jashtë vendit. Kjo shtetit i kushton humbje financiare, pasi që kuadrin ia ka bërë gati që një shtet tjetër ta shfrytëzojë, pa investuar asgjë në atë.

Studentët nga RMV studiojnë në shumë shtete të botës e më së shumti, në Turqi, Bullgari dhe Slloveni.

Portalb.mk përgatiti një infografik për këtë:

Për çdo student të larguar, shteti humb para

Sipas raportit të UNESCO-s, studentët e larguar nuk dëshirojnë të kthehen në vendin amë dhe kjo shkon në dëm të shtetit, për shkak se shteti atyre studentëve u ka paguar mësues e profesorë për të shkolluar, u ka siguruar libra, mjete për mësim, ngrohje, trajnime e gjithçka që nevojitet për mjedisin arsimor, ndërkaq shteti që ata kanë shkuar për të studiuar, i ka pranuar si kuadro të përgatitur deri në një shkallë të caktuar ku janë të aftë që pas mbarimit të shkollimit të lartë të punojnë për atë shtet që nuk ka investuar në ato.

Arsimi në vend, jo kualitativ

Mbase një ndër arsyet e ikjes, sipas asaj që kemi hulumtuar është dhe mungesa e ofrimit të arsimit cilësor. Këtë e dëshmuan edhe në hulumtimin tonë, ku studentët pa mësuar i blejnë temat e diplomave të baçelorit e magjistraturës – në këtë mënyrë ata nesër kanë diploma të barasvlershme me kuadrin që me dije ka mbaruar shkollimin. Sipas analizave tona, mbi 13.413 shpallje për shit-blerje të tezave të magjistraturës dhe baçelorit janë aktive aktualisht në një nga faqet që merret me tregti në Maqedoninë e Veriut, çmimet dallojnë varësisht prej kërkesës, edhe atë deri në 500 euro, e në qoftë se je me fat, magjistër i shkencave mund të bëhesh për vetëm 150 euro. 

Shteti në gjumë ndaj këtij fenomeni. Asnjë nga këto mijëra shpallje nuk i ka rënë në sy inspektorëve të Arsimit në vend. Një gjë e tillë nuk rregullohet as me ligjet pozitive në vend ndërkaq shoqëria civile dhe njohësit e arsimit, alarmojnë se kjo situatë mund të na çoje deri në degradimin total të arsimit në vend.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button