Analistët: Pandemia tregoi rëndësinë e lajmeve të besueshme

Pandemia ka ndikuar tek media globale duke shtuar censurën dhe përndjekjen e gazetarëve në shumë vende, por ka rritur gjithashtu ndërgjegjësimin për rëndësinë e raportimeve të besueshme, thonë ekspertët.

Grupe mediatike të falimentuara, sulme dhe kërcënime kundër gazetarëve dhe një “ortek” me dizinformim janë disa nga sfidat kryesore të hasura gjatë 2020, të cilat u veçuan këtë muaj nga një panel në Konferencën për Lirinë e Shtypit në Botë, shkruan VOA.

“Tani më shumë se kurrë na duhen lajme të besueshme,” tha Jesper Højberg, drejtor ekzekutiv i shoqatës jo-fitimprurëse danese Mbështetje për Median Ndërkombëtare (IMS), përmes një videoje të transmetuar gjatë diskutimeve. Por Højberg shton se nevoja për informacion të saktë e ka bërë publikun më të vetëdijshëm për “rëndësinë e informacionit kritik dhe të besueshëm”.

Kur disa nga masat e izolimit filluan të shfrytëzohen më herët këtë vit për të kufizuar aktivitetin e medias, IMS, e cila mbështet mediat lokale në vende të prekura nga konflikti apo mungesa e stabilitetit, kontaktoi partnerët e saj për të mësuar si po shfaqej ky problem.

“Kemi qenë shumë të vetëdijshëm se sa e rëndësishme është të kuptojmë mirëfilltazi ndikimin që ka COVID-19 në mënyra të ndryshme tek realiteti i partnerëve tanë: tek platformat mediatike, mediat me penetrim të gjerë, portalet online, por edhe tek liria e shprehjes dhe aktiviteti i organizatave për lirinë e shtypit,” tha ai për Zërin e Amerikës.

Rezultatet e kërkimeve të IMS tregojnë prirje si negative, ashtu edhe pozitive për median, ndër to rritje të audiencës dhe kërkesë më të madhe për informacion të verifikuar, por ka pasur edhe përpjekje për të censuruar apo për të penguar raportimin kritik.

“Kemi vërejtur se autoritetet kanë bllokuar faqe elektronike që ofrojnë informacion ndryshe, tha Højberg. “Ka pasur ndërprerje të kanaleve të transmetimit në radio, në internet, të cilat po përpiqeshin të përcillnin informacion të besueshëm. Ka pasur anulim liçencash”.

Por Højberg tha për Zërin e Amerikës se IMS kishte vërejtur edhe një shtim gradual të besimit tek media dhe shoqëria civile, pasi qytetarët kërkojnë informacion që nuk e gjejnë në njoftimet e autoriteteve.

Ekzistenca e Medias

Mbështetja për aktivitetin mediatik, i cili ka përjetuar humbje të vendeve të punës dhe mbyllje gjatë pandemisë, është në fokusin e një projekti të UNESCO-s dhe Shoqatës Botërore të Botuesve të Lajmeve (WAN-IFRA).

“Ndërkohë që bota vazhdon betejën me COVID-19 dhe ndikimin e saj, puna gazetareske në shumë vende të botës po kthehet në kërcënim në rritje, duke i rritur në maksimum sfidat ekzistuese,” thonë dy organizatat përmes një deklarate të përbashkët për shtyp.

Guy Berger, drejtor për lirinë e shprehjes dhe zhvillimin e medias pranë UNESCO-s tha për Zërin e Amerikës se projekti u ndërmor në përgjigje të luftës për ekzistencë të shumë grupeve mediatike si rezultat i realitetit të krijuar nga ekosistemi digjital, por edhe nga problemet më urgjente të krijuara nga ndikimi i pandemisë në ekonomitë lokale”.

Këto dy organizata do të punojnë së bashku për të analizuar sfidat ndaj medias, duke diskutuar zgjidhje që do të shërbejnë si rekomandime për politika në vende specifike për të mbështetur më mirë median.

Projekti mbulon një larmi grupesh mediatike, përfshirë organizata transmetimesh në radio dhe televizion dhe do të përqëndrohet në vende në zhvillim në Afrikë, Amerikën Latine dhe Azi, tha Berger.

“Do të analizojmë tregjet, audiencat, rregulloret si dhe praktikat gazetareske dhe të operimit në grupe mediatike individuale,” tha Berger, duke shtuar se kanë në plan ta përmbyllin studimin brenda gjashtë mujorit të parë të 2021.

“Kjo punë do të rezultojë në një seri rekomandimesh për politikat dhe praktikat më të mira për të zhvilluar sektorin mediatik – kushtet dhe praktikat e nevojshme që media të përmbushë rolin e saj në shoqëri si përcjellëse e lajmeve dhe informacionit të besueshëm për popullatën,” tha Berger.

UNESCO-ja do të bashkëpunojë me një grup pune të Forumit për Informacion & Demokraci, një grupim ndërkombëtar i përbërë nga disa organizata të pavarura. Zoti Berger thotë se ka një numër organizatash që po punojnë për këtë çështje, prandaj është me vend që të bashkërendojnë punën.

“Dy grupet do të shkëmbejnë informacion për punën e tyre, si dhe do të informojnë aktorë të tjerë të përfshirë në zhvillimin e medias. UNESCO-ja do të ketë rolin e vëzhgueses në këtë grup pune”.

Pandemia ka sjellë në qendër të vëmendjes rolin e rëndësishëm që luajnë mediat lokale dhe nevojën për ekzistencën e tyre.

“Mendoj se disa nga grupet mediatike me të cilat punojmë kanë përftuar një mendësi krejt të re për rolin e tyre,” thotë zoti Højberg i organizatës IMS, duke shtuar se ekzistenca e medias së pavarur në një periudhë të tillë krize është “tepër e rëndësishme”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button