SPROVË PËR PORTRETIN E NJË PROMETEU

Dëshmia e parë serioze për vlerën e një vepre artistike është mbijetesa e saj përtej kohës së krijimit. Këtë fat e kanë vetëm veprat e veçanta si ajo e njërës prej figurave më të shquara të letërsisë e të kulturës shqiptare – Faik Konicës, që arrin e freskët edhe në kohën tonë, madje, çuditërisht, më e freskët dhe më aktuale se një pjesë e shkrimeve publicistike e letrare të së sotmes. Mjafton veç leximi i pasazheve të veçanta të shkrimeve të tij për të konstatuar se ato janë të gjithkohshme, shkrime që mbetën të qëndrueshme jo vetëm kur trajtuan temën e dhimbshme dhe të koklavitur shqiptare, por edhe kur iu rrekën çështjeve që kapërcejnë përtej gjeografisë sonë.

I rritur e i formuar nëpër qendrat më të njohura të Evropës, i paprekur nga hatri i rremë dhe konformizmi ballkanik, Konica pati guximin të shkruajë mbi temat e gjalla dhe të nxehta të kohës së tij, duke sfiduar prapavitë e pushtuesve të huaj dhe mendësinë delikate të parësisë së atdheut dhe të disa bashkëkohanikëve. Jo rastësisht pushtetarët e kërkonin ta dënojnë me vdekje, kurse kundërshtarët e shumtë që e gjenin veten në ato shkrime të guximshme ia denigronin personalitetin, që, asokohe, nuk kishte objekt krahasimi ndër shqiptarët.

Guximi, erudicioni dhe stili i të shprehurit të gjërave, ironitë e holla dhe sarkazmat therrëse… e bënë për një kategori njerëzish shumë të dashur, kurse për një kategori tjetër, atë të heronjëve të tij – levantinëve, të urryer e të kontestueshëm. Për disa, edhe pas vdekjes fizike, mbeti sinonim i mendjes së zgjuar dhe frymës së lirisë, për të tjerët figurë e urryer dhe e rrezikshme që vazhdon të prishë keq notën mesatare të mesatares së atdheut.

Konica i urrente të pasinqertit, ata që i fshehnin të vërtetat dhe i mbështillnin me akrobatikat e shumëkuptimësisë. Pikëpamjet mbi rëndësinë e mendimit të lirë, debatit dhe polemikës, ku mund të lexohen dhe shkaqet e rebelimit kundrejt personave dhe ngjarjeve të caktuara, i ka sqaruar më shumë se një herë në shkrimet publicistike dhe letërkëmbimin e papërsëritshëm, si në letrën që i dërgon Asdrenit në vitin 1902, ku, mes tjerash shkruan: Të thotë njeriu çiltas ç’ka në mëndie, edhe në qoftë se një mik a gjithë miqtë mendojnë ndryshe, është një mirësi, një ‘qualité’, gjë e rallë nër ne… Sikur gjithë shqipëtarët të jenë si ti e si unë, të thotë sicilido mëndien e tija, të shkruaj, të përgjigjet, të rahë çështjet, të marë pjesë në polemika, – ahere do të jetë një shënjë ngjallje për Shqipërinë…

Konica i ka fshikulluar më fort se çdo krijues tjetër të metat e kombit të vet, duke prekur kësisoj përjetësisht në sedër midelijntë, të cilët, hiq ca përjashtime të njohura për publikun lexues…, janë bërë kritikë, jo të veprave letrare, po “të metave” njerëzore të tij. Në letërsinë shqipe, për asnjë letrar tjetër nuk janë shkruar e nuk shkruhen kapituj të tërë mbi gabimet e bëra në planin e përditshmërisë njerëzore. Përjashtim të përhershëm bën vetëm Faik Konica.  Dhe, si për të dëshmuar tendencën e pashpjegueshme dhe energjinë negative ndaj tij, nuk mungojnë madje as “studiuesit” që, para se ta thonë një fjalë të mençur për veprën unikate, merren zhurmshëm, madje dhe me përcaktimin seksual dhe shtratin e Konicës, duke tentuar me ankth që edhe në këtë plan të gjejnë dëshmi diskredituese për ta nxjerrë në total të dështuar njeriun më të ditur e më të kompletuar që ka pasur ndonjëherë bota shqiptare.

Mjeti që zgjodhi Konica ta thotë çiltas atë që kishte në mendje e në shpirt ishte shkrimi, ishte vepra e veçantë që u përket llojeve të ndryshme letrare, tharmin e të cilave e përbën eseja – zhanri që ia mundësoi të mbetet përjetësisht në historinë e kulturës dhe letërsisë shqipe, në panteonin e figurave më emblematike të kombit.

Parashtrohet pyetja: përse Konica zgjodhi për të komunikuar me shqiptarët dhe me botën pikërisht nëpërmjet shkrimeve eseistike? Përse nuk veproi si krijuesit e tjerë bashkëkohanikë, që kultivuan me ngulm krijimtarinë letrare në vargje?

Përgjigja është e qartë, e logjikshme dhe e thjeshtë: rrethanat në të cilat nisi të krijojë Ai nuk ishin të favorshme për zhanret letrare si poezia, sepse nuk e kishin forcën e esesë, të cilën Ai e njihte më mirë se cilido krijues tjetër i Rilindjes. Formimi në shkollat më të mira franceze e kishte bërë ta kuptojë në moshë fare të re se qenë eseistët e kalibrit të Montenjit e Volterit ata që hapën dyert e arsyes njerëzore, që propaganduan qëndrimin kritik ndaj fenomeneve e ngjarjeve shoqërore, që nxitën frymën antiklerikale e antifanatike dhe shkundën nga themelet mendësinë mesjetare të Evropës. Po këtë Konica u përpoq ta arrijë në një kontekst tjetër kohor e hapsinor, duke e shfrytëzuar shkrimin si mjet me të cilin iu fut gati i vetmuar lëvrimit të shkëmbit, ndriçimit të mendjes së kombit dhe gjetjes së kodit të humbur evropian të shqiptarëve, që sakaq u bë motoja e jetës së tij dhe e Rilindjes Kombëtare. Përvoja i thoshte se vetëm forca e esesë mund ta xigëlojë ndërgjegjen e fjetur shqiptare dhe ta çlirojë atë nga kllapia e kultivuar me sistem prej turqëve të vjetër e të rinj, më pas dhe prej grekëve e sllavëve, të cilët, krahas planeve për shpëtimin e vendeve të tyre nga kthetrat otomane, kishin përgatitur dhe planet për gllabërimin e Shqipërisë së katandisur nga luftërat e pareshtura dhe prapambetja me përmasa oqeani.

Konica është i vetmi krijues evropian që në dy gjuhë të ndryshme u shërbeu dy kulturave të ndryshme. I lidhur me avangardistët francezë,  ky aristokrat tipik i artit, siç e quan Kadareja, edhe botën shqiptare e shihte përmes kritereve estetike evropiane, gjë që i solli shumë telashe e i hapi shumë fronte polemikash, të cilat, edhe përkundër keqkuptimeve, rezultuan më emancipuese, më vetëdijësuese, më domethënëse e më dobiprurëse se shkrimet e krijuesve të vonuar në kohë e hapësirë…

Thuhet se Konica shkroi me jetën e tij, të ngjashme si dy pika uji me veprën që la pas vetes. Në këtë aspekt ai është shumë i ngjashëm me babain e esesë evropiane – pararendësin e tij të sh. XVI – Montenjin, sipas të cilit secili fenomen i esesë duhet të kristalizohet nëpërmjet qenies së autorit.

Përmes shkrimeve eseistike Montenji u përpoq të pajtojë kundërthëniet e thella ndërmjet mesjetës dhe rilindjes së madhe evropiane, kurse Konica tentoi të ndërlidhë botën e tëhuajsuar shqiptare me atë perëndimore, në një kohë kur kjo betejë dukej donkishoteske. Eseja i përshtatej më së miri natyrës së trazuar të shpirtit univers dhe i përgjigjej betejës jetësore koniciane për të riparuar kontinuitetin e ndërprerë të gjuhës e të kulturës shqiptare nga aziatizimi gati pesëshekullor dhe për t’i kthyer atje ku e kishin vendin – në gjirin e gjuhëve dhe kulturave indoevropiane. Ky ishte synimi më madhor, ndoshta ideali qendror i jetës së tij, të mbetur peng mes frakturës evro-aziatike, mes orientit e oksidentit, mes dy botësh që aso kohe ngjanin të largëta e të papajtueshme. Ndjeshmëria e tij e dyzuar xigëlonte publikun francez, sepse përbënte simbiozën e dy temperamenteve që shpërfaqeshin mu në qendrën sizmike të vlimeve kulturore evropiane. Ky fakt i bënte të dyzuara dhe qëndrimet e tij, që shpesh binin ndesh me njëri-tjetrin.

Faik Konica u përpoq me tërë forcat që t’i modifikojë për kushtet shqiptare dhe më pas t’i bartë në Shqipëri renesansën evropiane dhe iluminizmin e sh. XVIII, për t’i ndërlidhur me lëvizjen rilindase. Për këtë i duhej një mbështetje serioze dhe e fuqishme, të cilën, sipas konicologëve më të shquar, e gjeti në idenë e themelimit dhe botimit të revistës “ALBANIA – kësaj enciklopedie të madhe me karakter letrar, filologjik, historik e politik, që për figurë qendrore pati Shqipërinë dhe që justifikoi të gjitha sakrificat koniciane e rilindase bashkë. Përmes saj Konica u përpoq dhe në masë të madhe ia doli ta zhbëjë diskontinuitetin e shtrirë në të gjitha segmentet e jetës shqiptare, prandaj gjurmoi thellë në strukturat e gjuhës, që kishte mbetur si dëshmia më e madhe e gjenialitetit të kombit të stërlashtë ballkanik.

Përgjatë 12 viteve të botimit (1897-1909), ALBANIA qe vepra më madhore e Rilindjes, arena më e madhe e betejave për ndrëlidhjen e sërishme të hallkave të shpirtit të kombit me shpirtin dhe frymën evropiane. Revista u bë agorë debatesh të rëndësishme dhe tribunë polemikash të zjarrta me teh volterian. Kjo flet për gjenialitetin e drejtuesit të saj 20 vjeçar, i cili, në dallim prej rilindasve të tjerë, betejën për shpëtimin e kombit e bëri në qendrat më të mëdha evropiane, aty ku propagandat satanizuese antishqiptare ishin më të zëshme dhe më të kobshme.

Konica kishte kulturë të gjërë linguistike. Këtë e dëshmoi me kyçjen në polemikën e madhe ndërkombëtare në “Européen” ku mbrojti interesin e gjuhëve dhe kulturave të popujve të vegjël, karshi ekspansionit të kulturave e gjuhëve të mëdha të Evropës, që shtrinin gjithandej hegjemoninë e tyre. Sipas konicologut të shquar Luan Starovës, në këtë polemikë Konica u inkuadrua me tërë fuqinë intelektuale, të shtresuar nëpër universitetet evropiane të kohës, me  logjikën për të drejtën e ekzistimit natyror të popullit dhe gjuhës shqipe, që përballej me  rrezikun e  asimilimit dhe zhbërjes...

Faik Konica nuk shkroi shumë libra, por çfarëdo që shkroi pena e tij, ka brenda vetes aromën e artit të mirëfilltë, figurën artistike dhe dellin e mjeshtrit të spikatur të fjalës së shkruar. Po të kategorizoheshin ato shkrime sipas përmbajtjeve e temave që ka trajtuar do të bëheshin një mori librash shumë interesantë. Një i tillë do të mund të bëhej mbi gjuhën shqipe, dielektet e saj dhe nevojën e një gjuhe të shkruar për të gjithë shqiptarët. Disa libra do të mund të bëheshin nga epistolari i tij unikat e i begatshëm. Një libër i rrallë do të bëhej me letrat dërguar baronit austriak Golluchovskit; një tjetër me letrat dhe shkrimet për Nolin e drejtuar Nolit; një për raportet tejet kontraverze të Konicës me mbretin Zog; një me esetë që demaskojnë tendencat tinëzare të fqinjëve tanë (serbëve, malazezëve e grekëve…); pastaj, mbi religjionet në Shqipëri, mbi fuqitë e mëdha (Austrinë, Italinë, Rusinë, Turqinë)…, sepse ai kishte njohuri të mëdha në shumë fusha të jetës. Do të ishin ata libra të përzier (mikstë) brenda të cilëve lexuesit do të gjenin prozën letrare, filozofike, historike, politike dhe, natyrisht esenë e kudondodhshme në shkrimet e tij.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button