RMV, Këshilli Gjyqësor shkarkoi dy gjyqtarë për shkak të punës joprofesionale dhe të pandërgjegjshme

Këshilli Gjyqësor shkarkoi dy gjyqtarë nga Gjykata Themelore në Ohër për shkak të punës së pandërgjegjshme. Sipas informacioneve jozyrtare është shkarkuar gjyqtarja Vesna Kiçeec dhe gjyqtari i pensionuar së fundmi Trajçe Skërçeski, i cili është ankuar dy herë, por Këshilli vendosi se ai ka vepruar në mënyrë joprofesionale dhe të pandërgjegjshme, njofton Portalb.mk.

Në ueb-faqen e Këshillit është publikuar një shpjegim i shkurtër, pa detaje të shumta, ku thuhet:

“Është marrë vendim, me çka është shkarkuar një gjyqtar nga kryerja e funksionit gjyqësor për shkak të kryerjes joprofesionale dhe të papërgjegjshme të funksionit gjyqësor dhe në të njëjtën kohë është marrë vendim për largimin e përkohshëm të gjyqtarit nga kryerja e funksionit gjykatës deri në përfundim të procedurës së plotfuqishme”, thuhet në njoftim.

Arsyeja e shkarkimit të Vesna Kiçeec raportohet të jetë procesi gjyqësor kundër turistit serb i cili në natën e Vitit të Ri 2016 rrahu për vdekje Dimitar Matiloski nga Ohri në qendër të qytetit.

Pasi e kishte rrahur deri në vdekje Matiloskin, turisti Bojan Ugrenoviq ishte kthyer në kafene dhe kishte vazhduar të festonte.

Shumë shpejt Ugrenoviq u arrestua dhe u ndalua me kërkesë të Prokurorisë së Ohrit. Por, procedura u zvarrit nga gjyqtarja Vesna Kiçeec, e cila u shkarkua për shkak të kësaj arsyeje. Ajo e zvarriti gjykimin derisa skadoi maksimumi ligjor i paraburgimit, pas së cilës e la të lirë shtetasin serb.

Kiçeec për TV 24 ka paralajmëruar ankesë kundër shkarkimit të saj, duke deklaruar se për rastin në fjalë nuk e di se ku qëndron faji i saj.

“Sinqerisht nuk mund ta besoj këtë informacion. Sigurisht që do të ankohem. Për informacionin tuaj, vendimi im i parë për Ugrenoviqin u soll vetëm pas një muaji e gjysmë nga mbërritja e çështjes në punë, pasi u deklarua fajtor dhe u dënua me 16 vjet. Për Gjykatën e Apelit Manastir, dënimi ishte i lartë, e shfuqizuan gjykimin, dënimi ishte i lartë, përkundër faktit se kishte ende më pak se 4 muaj deri në periudhën maksimale të paraburgimit. Unë përsëri bëra të njëjtin vendim, Gjykata e Apelit e ndryshoi atë në 8 vjet, Gjykata Supreme ndryshoi të tyren dhe përsëpri i shqiptori16 vjet. Me të vërtetë nuk e di se ku është faji im, por kjo është ajo që është, duhet të pranohet”, tha gjykatësja Kiçeec për TV 24.

“Filtrimi në gjyqësor ka filluar. E përshëndes vendimin e fundit të Këshillit Gjyqësor për shkarkimin e gjyqtarëve që penguan drejtësinë”, shkroi Ministri i Drejtësisë Bojan Mariçiq në Facebook, pasi Këshilli shkarkoi dy gjyqtarë nga Gjykata Themelore Ohër.

“Vetëm në këtë mënyrë do të rikthehet besimi në sistem. Ne u premtuam qytetarëve tanë drejtësi dhe do të ketë drejtësi”, shkroi Mariçiq.

Ndryshe, këto vendime vijnë vetëm një javë pasi ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq tha se gjyqësori në vend duhet që të filtrohet, mes tjerash edhe me qëllim që të rritet besueshmëria e qytetarëve në sistemin gjyqësor.

“Procesi i filtrimit të gjyqësorit dhe prokurorisë, mes tjerash, duhet të na tregojë nëse kemi problem serioz me kodeksin joformal të sjelljes. Këtë proces tanimë e kemi paralajmëruar dhe presim që së shpejti ta publikojmë metodologjinë sipas të cilave vlerësojmë se duhet që të zbatohet. Gjithsesi këtë proces do ta udhëheqë Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve Publik. Qëllimi është që të rritet besueshmëria në sistemin gjyqësor nëpërmjet ndarjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët me vetëdije dhe përgjegjësi e kryejnë punën e tyre, prej atyre që atë nuk e bëjnë”, tha Mariçiq.

Reformat në gjyqësor gjithsesi janë ndër parimet kryesore të kryeministrit Zoran Zaev, duke e pasur parasysh se Maqedonia e Veriut duhet t’i fillojë bisedimet – a të njëjtat do të ndalohen menjëherë nëse gjyqësori vazhdon me praktikën e vjetër – jo-transparencë, jo-profesionalitet, anshmëri, pabarazi apo ndikim të pushtetarëve në vendimet e tyre. Gjatë periudhës së mandatit të kaluar, reformat në gjyqësor ndonëse u premtuan dhe vazhdimisht ishte në fjalimet e pushtetarëve se i njëjti do të reformohet, megjithatë përveç ligjeve të miratuara në letër – në terren ishte po e njëjta situatë, madje me një arsye më pak për t’i besuar resorit me më pak besueshmëri te qytetarët, pas skandalit/zhgënjimit me kryeprokuroren speciale, Katica Janeva.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button