Tetovë, janë “ftohur” gjakrat mes komunës dhe zjarrfikësve: Të hënën vendoset për hapat e mëtutjeshme (VIDEO)

Pas dy protestave dhe “ultimatumit” për radikalizim të të njëjtave në qoftë se nuk ftohen në takim, komuna e Tetovës sot u takua me zjarrfikësit e pakënaqur të Tetovës. Ristevski nga Sindikata e Pavarur e Punonjësve Publik, pas takimit për Portalb.mk tha se kryetarja Arifi ka pranuar të gjitha kërkesat e tyre, megjithatë, se sa do të mbaje kryetarja, ngelet të shihet të hënën në seancën e këshillit komunal, shkruan Portalb.mk.

Goran Ristevski potencoi se të gjitha kërkesat e tyre janë pranuar nga kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi. Bëhet fjalë për gjithsej katër kërkesa të cilat kryesisht kanë të bëjnë me shtesat në pagë, që është obligim ligjor i komunës së Tetovës.

“U morëm vesh që diferencat në përqindje të nivelohen në përputhje me marrëveshjen kolektive të përgjithshme si dhe të shtohet një grafë për punën pas orarit. Kryetarja u pajtua dhe e dha fjalën që do të ndërmarre masa që në buxhetin e vitit 2021 të komunës së Tetovës të vendosen të gjitha obligimet e parapara për shtesat e punës gjatë natës, punës pas orarit dhe të paguhet ushqim për punën gjatë natës” tha për Portalb.mk, Goran Ristevski, kryetar i sindikatit të pavarur të administratës publike.

Megjithatë, marrë parasysh se “pranimi” i kërkesave nga ana e kryetares ka qenë vetëm gojarisht, pa nënshkruar diçka në formë dokumentacioni, Ristevski tha se kanë dyshimet e tyre për mundësinë e mos realizimit të të njëjtave, të hënën sipas tij, do të merret vesh gjithçka.

“Të hënën ka seancë të këshillit në lidhje me buxhetin e komunës së Tetovës. Shpejt do të mësohet se a do të mbahet fjala e dhënë. Mendoj se e hëna është kjo ditë, dhe shpresoj që punëdhënësi ti plotësoje kërkesat tona. Duhet patjetër të kaloje në këshill që të mundësohen mjete për pagesë, të hënën do të dihet se a do të ketë protesta ose jo” shtoi Ristevski.

Në qoftë se në këshillin komunal nuk votohen shtesat e kërkuara, zjarrfikësit paralajmërojnë protesta

“Trupi koordinues i organizatës sindikale të hënën do të vendose se a do të vazhdohet me protestat apo jo, gjithçka do të dihet pas mbarimit të seancës së këshillit” tha Ristevski për Portalb.mk.

Ndërkaq, seanca e ardhshme e këshillit komunal të komunës së Tetovës është paraparë të mbahet me datë 28 dhjetor (e hënë) në ora 11:00, ku mes të tjerash, në rend të ditës është votimi i buxhetit për vitin 2021, ku pritet të jenë edhe shtesat e zjarrfikësve.

Cilat ishin kërkesat e zjarrfikësve që u pranuan sot nga kryetarja Arifi?

  • Sigurim kolektiv.
  • Korrigjimi i të ardhurave të pagës për punën gjatë natës, festave dhe gjatë vikendit. Të paguhet puna shtesë jashtë orarit të punës.
  • Korrigjimi i pagës bazë për 20%.
  • Pagesa e të ardhurave në të holla, në bazë të vendimit të ligjit, të paguara janë vetëm 20 mijë dënarë në vend që të paguhen 60 mijë denarë.
Protestat e zjarrfikësve në Tetovë.
Protestat e zjarrfikësve në Tetovë.

Ndryshe, rikujtojmë se dy ditë më herët zjarrfikësit i dhanë “ultimatum” kryetares së komunës të Tetovës, Teuta Arifi, se në qoftë se nuk do ti ftonte në takim, të njëjtit do të radikalizonin protestat e tyre edhe atë duke u shfaqur para dyerve të objektit të komunës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button