Shqipëri, pas gati 3 vitesh Gjykata Kushtetuese u bë funksionale

Në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese dje u bë me anëtarin e saj të gjashtë pasi presidenti Ilir Meta, firmosi në kohë rekord emërimin e juristit të njohur Përparim Kalo, vetëm pak orë pasi Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i dërgoi atij listën e kandidatëve. Me këtë emërim, numri i anëtarëve të Gjykatës, arrin kuorumin minimal për t’u mbledhur në seancë e plenare dhe për të nisur me shqyrtimin e çështjeve.

Ndërkohë, duket se është hapur rruga edhe për emërimin e shpejtë të anëtarit të shtatë, duke qenë se për vendin bosh të shpallur po nga presidenti, tanimë ka mbetur vetëm një kandidaturë. Një ditë më parë, u betua anëtari i zgjedhur nga parlamenti, Altin Binaj. Praktikisht, ajo çka nuk u arrit të bëhej në më shumë se një vit, po përmbyllet, mesa duket, brenda vetëm pak ditësh, shkruan VOA.

Menjëherë pas vendimit të Presidentit, ambasadorja amerikane Yuri Kim foli për “një lajm të madh. Sapo Kalo të bëjë nesër betimin, arrihet kuorumi. Shqipëria do të mbyllë vitin 2020, me një Gjykatë Kushtetuese funksionale, që mungonte prej thuajse tre vitesh. Presidenti, KED-ja dhe Parlamenti, meritojnë një vlerësim të madh”, shkruajti ambasadorja Kim, duke shtuar se “ky është rezultat i një veprimi urgjent nga ana e udhëheqësve, në linjë me opinionin e Komisionit të Venecias. Me një Gjykatë Kushtetuese funksionale, Shqipëria përmbush kushtet për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ky është një hap shumë i madh përpara”, vlerësoi ambasadorja amerikane.

Edhe ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë Luigi Soreca theksoi se “ky vendim shumë i rëndësishëm siguron tani funksionalitetin e plotë të Gjykatës. Ne përgëzojmë Presidentin, Parlamentin, KED-në dhe institucionet e tjera për arritjen e një rezultati kaq të rëndësishëm, i cili është një arritje e konsiderueshme për Shqipërinë, qytetarët e saj dhe për Reformën në Drejtësi. Ai gjithashtu përfaqëson një hap kyç për të kompletuar listën e kushteve të nevojshme për të patur Konferencën e parë ndërqeveritare për bisedimet e pranimit midis BE-së dhe Shqipërisë”, u shpreh ambasadori Soreca. Në të njëjtën linjë me ambasadorin Soreca, Komisioneri Evropian për Zgjerimin Oliver Varvelyi e cilësoi vendimin “një lajm të shkëlqyer”.

Përveç Kalos, në garë për vendin e shpallur nga Kreu i Shtetit, ishte dhe Aleksandër Toma, i cili u rendit i dyti sipas vlerësimit të bërë nga KED, me një diferencë të ndjeshme, prej gati 15 pikësh më poshtë. Në njoftimin e tij Meta, shpjegoi se në vendimin e marrë me shpejtësi, ka pasur në konsideratë dhe “nevojën jetike që ka vendi për plotësimin dhe funksionimin sa më parë të Gjykatës Kushtetuese”.

Si ambasadorja amerikane Kim ashtu dhe homologu i saj evropian Soreca, kanë theksuar në mënyrë të përsëritur se janë të gjitha kushtet që Gjykata Kushtetuese të bëhet funksionale brenda këtij muaji.

Po sot në mbrëmje, Këshilli i Emërimeve bëri të ditur se kandidatja Zhaklina Peto, ishte tërhequr nga gara në momentet e fundit. Peto, u skualifikua dy herë nga KED-ja, por të dy herët, ajo u rikthye me vendime të gjykatës Administrative. Sot Këshilli i Emërimeve kishte në rend të ditës dhe vlerësimin e kandidaturës së saj. Tanimë, duket se KED-së, i ka mbetur vetëm që të përmbyllë procesin për kandidaten e vetme të mbetur në garë, Sonila Bejtja dhe t’ja dërgojë atë presidentit. Me gjasë, pritet që kjo të ndodhë në ditët e ardhshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button