Një arsim i reformuar

Reforma më e madhe që duhet bërë në arsim është të vendoset një herë e përgjithmonë zhvillimi i mendimit kritik. Për fat të keq, edhe pse në të kaluarën kjo çështje shpesh është paraqitur si prioritet, mendimi kritik në realitet, në të shumtën e rasteve, mbetet tërësisht i pazhvilluar në shkolla tona, duke i bërë ato të ngjajnë ende me shkollat e skolasticizmit mesjetar, dhe aspak me shkollat modern ku mendimi kritik është baza e studimit. Është koha të dilet nga ajo mesjetë dhe të ecet përpara. Është koha që fëmijët të kenë një shans të mendojnë në mënyrë kritike për botën që i rrethon dhe ta perceptojnë atë nga më tepër këndvështrime dhe jo vetëm nga një definicion i thjeshtë në një libër të vetëm.

Shumë njerëz u shqetësuan kur Ministreja aktuale e arsimit dhe shkencës paraqiti idenë për reformimin e arsimit fillor. Frika e parë që u paraqit ishte lidhur me lëndën e historisë. Kishte dezinformata se kjo lëndë hiqet tërësisht nga planprogrami, fshihet si e tillë. Por në fakt, është shumë e natyrshme, që gjatë arsimit fillor historia të mësohet së bashku me shkencat tjera shoqërore dhe si e tillë të dallohet nga shkencat natyrore. Poashtu është shumë normale që gjatë arsimit fillor kimia, biologjia dhe fizika të mësohen së bashku si shkenca natyrore. Duhet pasur parasysh që bëhet fjalë megjithatë për arsim fillor, ku edukimi është qëllimi kryesor, para ngarkesës me njohuri. Bëhet fjalë për atë cikël të arsimit kur fëmija krijon perceptim për botën që e rrethon. Bëhet fjalë për atë stad të zhvillimit kur fëmijët kanë nevojë për krijim të mendimit të lirë dhe të mënyrës kritike të shikimit të sendeve. Fëmijët janë kureshtarë për nga natyra dhe kjo kureshtje e tyre duhet zhvilluar dhe jo topitur me definicione të mërzitshme që ata detyrohen ti mësojnë përmendësh ashtu si shkruan në libër, fjalë për fjalë. Assesi të dalim jashta atij mësimi përmendësh që na ndjek nga pas që nga shekujt e mëhershëm. Assesi të ecim para drejt mendimit të vërtetë kritik. Ka ende arsimtar që fëmijës i thotë se e ka gabim definicionin nëse të njejtin nuk e ka dhënë identik si në libër, edhe pse fëmija mund të ketë kuptuar në mënyrë krejtësisht të saktë se çka përkufizon ai deficinion. Është e dhimbshme të shohësh zhgënjimin e fëmijës gjatë kësaj topitjeje të trurit të tij. Nga një qenie që për nga natyra është kureshtar dhe i zgjuar i njëjti shndërrohet në njeri që nuk e do shkollën, nuk e do arsimtarin, nuk e do mësimin sepse i njejti është shumë i mërzitshëm për të. Kjo është situatë e cila urgjent duhet reformuar. Të mos mbesë më asnjë gjurmë e mësimit përmendësh të njohurive të cilat harrohen pas dy javësh. Fëmijët duhet të krijojnë aftësi për të kuptuar njohuri të reja e jo aftësi recitimi faktesh të cilat mbeten të pakuptueshme për ta.

Ofrimi i lëndëve zgjedhore të cilat do të krijojnë mundësinë e mësimit të gjuhëve të ndryshme për të gjithë nxënësit por edhe një sërë të lëndëve tjera zgjedhore mes të cilave edhe gatimi, joga dhe edukata seksuale do të jetë diçka vërtetë e mirëseardhur për fëmijët në qoftë se paralelisht krijohen edhe kushte për mbarëvajtjen e këtyre lëndëve. Të mos harrojmë që kemi shkolla infrastruktura e së cilave nuk mundëson mbarëvajtje të procesit arsimor dhe në ato kushte është e kotë të flitet për mënyra të reja të arsimit karakteristike për shekullin 21, në një infrastrukturë karakteristike për shekujt e mëparshëm.

Në mënyrë që arsimi ynë vërtet të hapërojë drejt së ardhmes moderne duhet që mendësia jonë dhe infrastruktura e shkollave tona të dalë një herë e përgjithmonë nga mesjeta.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button