“Monstra” dëshmoi i punësuari në Krim-Teknikë Islam Zekiri, mbrojtja thotë se në emër të tij e kanë montuar një gëzhojë

Në Gjykatën Penale të Shkupit sot është mbajtur seanca gjyqësore për rastin “Monstra” në të cilën ka dëshmuar dëshmitari, i propozuar nga mbrojtja, Islam Zekiri i punësuar në Sektorin e Krim-Teknikës në Shkup, raporton Portalb.mk.

Gjykimi filloi me tensione për shkak se avokati Asmir Alispahiq i cili e mbron të akuzuarin, Haki Aziri, edhe pse kishte paralajmëruar ardhjen e tij, nuk mori pjesë në seancë. Gjykatësi i lëndës tentoi që nëpërmjet ndihmësve të tij ta thirr në telefon, por i njëjti nuk ishte i kapshëm. Ai dha pauzë prej 10 minutave, por Alispahiq nuk u paraqit. Për këtë, gjykatësi ia caktoi Azirit avokatin sipas detyrës zyrtare, Stevo Naumovski.

Ndaj kësaj reagoi avokati Naser Raufi duke theksuar se duhet që të pyetet i akuzuari nëse dëshiron ose jo t’i caktohet avokat sipas detyrës zyrtare, ose dëshiron që të angazhojë avokat privat.

“Asmiri e ka përcjellë lëndën bashkë me mua 9 vite dhe si duket jeni nën trysni dhe po mbani anë”, i tha avokati Raufi gjykatësit, ndaj të cilit gjykatësi ia ktheu: Nuk jam nën trysni.

Pas kësaj vazhdoi gjykimi me dëshminë e Zekirit.

Zekiri në mbrëmjen e vrasjes ka qenë në vendin e ngjarjes me detyrë zyrtare, gjegjësisht ai e ka ndriçuar vendin me reflektorë dhe i ka shenjëstruar pikat e provave me numra dhe shigjeta.

“Më 12 prill, në ditën e ngjarjes rreth orës 23 më kanë thirr që të shkoj në punë se. Shefi më tha se duhet që të shkojmë në terren pasi që ka ngjarje të madhe dhe nevojiten më shumë njerëz. Kur shkuam atje vendi ishte i rrethuar, kishte gjykatës prokuror. Detyra ime ishte që ta ndriçoj vendin me reflektor dhe bashkë me kolegët e tjerë t’i shenjëzojnë me numra dhe shigjeta gjurmët e gjetura. Atë natë kemi ndenjur në vendin e ngjarjes deri në mëngjes”, tha Zekiri.

Ai shtoi se pasi ka shkuar në shtëpi, pas një kohë sërish e kanë ftuar që të shkojnë në vendin e ngjarjes për ta parë terrenin në kushte të ditës. I kanë thënë që kanë gjetur diçka, por nuk e dinte se për çfarë bëhet fjalë.

“Pastaj shkova në shtëpi, pak më vonë, në po të njëjtën ditë, pra më 13 prill, më thirrën sërish që të shkoj në vendin e ngjarjes që ta shohim terrenin në kushte të ditës. Kur shkuam puna kishte mbaruar dhe për këtë unë kam ndenjur në veturë dhe para veturës. Prej atje kemi shkuar drejt në punë. Më thanë që kanë gjetur ndonjë gjurmë, por nuk e di se çfarë gjurme”, shtoi Zekiri.

Mbrojtja thotë se dëshmia e tij është me rëndësi pasi që tregon se autoritetet policore e kanë montuar një gëzhojë që gjoja Zekiri e ka gjetur, a në fakt ai nuk ka parë e nuk ka gjetur asgjë në atë ditë, pra një ditë pas vrasjes më 13 prill.

“Me dëshminë e tij del se jemi në të drejtë kur themi që me të 13-tin nuk është gjetur asgjë tjetër, vetë e pohon këtë ky dëshmitar që ditën e nesërme, pra derisa ka qenë ky prezent. Kemi dëshmitar para këtij që është i punësuar në MPB që thotë se konkretisht ky person ka gjetur diçka, megjithatë ky e mohoi, me këtë u dëshmua se një provë gjegjësisht gëzhojë është e montuar dhe atë gëzhojë e lidhin me rastin tjetër në Belinbegovë, pra gjoja se e njëjta armë është përdorur në të dyja rastet”, tha avokati Naser Raufi

Sipas familjarit të akuzuarve, Bedri Ajdari, Zekiri është marrë që policia të ketë alibi për ta montuar gëzhojën, të cilën më pas e kanë lidhur me rastin në Belinbegovë, që sipas tij edhe ai është i pasaktë.

“Data 13.04.2012 i është bë një aneks shtojcë, për shkak montimit të një gëzhoje e cila ndërlidhet me një rast tjetër që edhe ai nuk është i saktë, gjoja se ka pasur një gëzhojë në lidhje me këtë. Për të pasur një alibi dhe një adut më të fortë ato e kanë marrë zotëri Islam Zeqiri ditën e nesërme i cili paraprakisht është liruar të shkojë të pushojë, por megjithëse është dashur që të gjejnë diçka i cili shkon në vend ngjarje i cili rri në veturë apo del jashtë veturës e ku pastaj i tregohet se është gjetur diçka. Vetë thotë se i kanë thënë se është është gjetur, vetë  thotë se nuk e di se çka është gjetur. Kryetarët e grupit ia kanë montuar se ky e ka gjetur, a ky këtë e mohon. Në dokumente shkruhet se Islam Zeqiri . Këto janë ato manipulimet me të cilat Prokuroria që ta mbajë aktakuzën ende gjallë”, tha Ajdari.

Mbrojtja sot kërkoi edhe rikonstrum të ratit në vendin e ngjarjes, për siç thanë ata të demantohet dëshmia e rrejshme e dëshmitarit të koduar E1.

“7 herë e kemi kërkuar, 7 herë e ka refuzuar, do ta kërkojmë edhe 17 herë këtë rikonstruim i cili është mëse i nevojshëm. Me atë e dëshmojmë se dëshmitari i koduar nuk e tregon të vërtetën, gjykata arsyetohen me ndryshimin e konfirmit të vendit, ndryshimi është bërë që të mos gjenden gjurmët, apo që të pengohet rikonstrumi. Pa marrë parasysh rikonfigurimit të vendit ne na intereson deklarata e rrejshme e dëshmitarit të koduar dhe na intereson distanca mes tij dhe personave që i akuzon gjoja i ka parë atje. Duam që vetë gjyqi ta shohë që prej distancës prej 100 e më shumë metra nuk mund të shohësh dikë nëse ka ose jo ndonjë gjurmë në fytyrë”, tha Raufi.

Sipas tij, motivi i vrasjes ende është enigmë, por shpreson që me kohë mund edhe të detektohet.

Nga seancat paraprake në lidhje me dëshmitarin e koduar E1:

Rasti “Monstra”

Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit 2017 solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri është ende në burg pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegjësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovë”.

Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq
Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu.  Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë në Maqedoni nuk mbajnë.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Për të njëjtët, Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurë për ekstradim, por autoritetet kosovare ende nuk i kanë ekstraduar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button