RMV, Qeveria sqaroi se si munden qytetarët të marrin 6,000 denarë nëse kanë llogari të bllokuara

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në orët e pasdites ka sqaruar se si qytetarët do të marrin mbështetje financiare prej 6 mijë denarë, edhe nëse i kanë të bllokuara llogaritë bankare, transmeton Portalb.mk.

“Qytetarët me llogari të bllokuara, do të marrin mbështetje financiare prej 6 mijë denarë. Qytetarët që janë më llogari të bllokuara, në përputhje me ligjin, rishpërndahen në një bankë që ka mundësi teknike që të paguan mjetet në një llogari të veçantë”, sqaroi Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Pasi lista e përfituesve vazhdimisht përditësohet, Qeveria rekomandoi që qytetarët të kontrollojnë vazhdimisht faqen www.kupuvamdomasno.gov.mk.

Ndryshe, një numër i madh i qytetarëve kanë alarmuar nëpër rrjete sociale se nuk mund t’i tërheqin nga banka paratë e lëshuara nga Qeveria si pjesë e ndihmës shtetërore, pasi llogaritë e tyre janë bllokuar nga ana e përmbaruesve për shkak të borxheve. Pra, në momentin që paratë kanë hyrë, llogaritë e tyre janë bllokuar

Sipas procedurës, nëse keni borxh për ndonjë faturë të papaguar, kreditorët kanë të drejtë të kërkojnë bllokim të llogarisë tuaj.  Ligji për përmbarim, parasheh që përmbaruesi ka të drejtë të bllokojë llogari bankare dhe prej saj të merr një pjesë që të paguajë borxh për rrymë, ujë, ngrohje, kredi dhe të ngjashme.

Qeveria  më 12 dhjetor publikoi listën, e qytetarëve të cilëve u takon ndihma shtetërore, si pjesë e pakos së katërt të masave ekonomike për ballafaqim me krizën e shkaktuar nga pandemia.

Masat parashohin që 283 mijë qytetarë të marrin nga rreth 6000 denarë apo 100 euro. Këtu përfshihen qytetarët me të hyra të vogla, qytetarët me pensione të ulëta, përdoruesit e ndihmës sociale, të rinjtë të moshës prej 16-29 vjet, artistët dhe personat të tjerë të përfshirë në veprimtarinë e kulturës, punonjësit e filmit artistët e estradës.

Nga Qeveria sqaruan se ndihma për kategoritë e rrezikuara nuk do të shkojë përmes kartelave pagesore, por në mënyrë të drejtpërdrejtë në xhirollogaritë e tyre bankare.

Sipas Entit të Statistikës, që nga fillimi i pandemisë, rreth 15 mijë persona kanë humbur vendet e tyre të punës, por sipas odave ekonomike numri i atyre që kanë humbur punës ka arritur në mbi 40 mijë persona.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button