Shqipja në ueb-faqen e Antikorrupsionit, arsyetohen se s’ka përkthyes, Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve: S’na kanë kontaktuar

Komisioni për Antikorrupsion tashmë ka edhe versionin shqip të ueb-faqes, të cilën nuk e ka pasur deri para 9 dhjetorit- Ditës Ndërkombëtare të luftimit të korrupsionit. Pavarësisht se në të ka vetëm një pjesë të dokumenteve në gjuhën shqipe, por jo të gjitha vendimet që merr ky organ gjatë seancave të saj apo dokumente të tjera, sërish duket një hap i mirë drejt zbatimit të ligjit të gjuhëve nga një institucion që ndëshkon dhe heton shkeljet e ligjeve veçanërisht në fushën e korrupsionit, njofton Portalb.mk.

Por, nga Antikorrupsioni vlerësojnë se është i vështirë implementimi i ligjit të gjuhëve për aq kohë sa nuk ka përkthyes. Anëtari i Antikorrupsionit, Nuri Bajrami konsideron se përkthyesit janë kuadër deficitar, pasi sa herë që kanë shpallur konkurs për përkthyes ose nuk është paraqitur askush ose janë paraqitur një ose dy veta edhe ato nuk kanë ardhur në intervistë.

Në pyetjen nëse kanë pasur mbështetjen apo komunikim me Agjencinë për Zbatimin e Gjuhëve, Bajrami thotë se punën e deritanishme e kanë bërë vetëm me mbështetjen e OSBE-së, ndërsa me Agjencinë për Zbatimin e Gjuhëve kanë pasur komunikimi, por se kanë konsideruar se atëherë ata akoma kanë qenë në konsolidim.

Nuri Bajrami, anëtar i Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit
Nuri Bajrami, anëtar i Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit

“Kemi pas komunikim prej kur është adresuar tek ne kërkesa për implementimin e ligjit, prej në fillim të vitit të kaluar dhe kemi formuar grup pune dhe dalë-ngadalë kemi arritur të bëjmë këtë qe kemi bërë. E kemi informuar se në cilën fazë kemi arritur për implementimin e ligjit, por ata tek tani e formojnë Inspektoratin. Ne iu kemi thënë se brenda kohës që mund të kemi nevojë do t’ju drejtohemi, kaq ka qenë komunikimi, por unë i kam ditë rrethanat se nuk do të kemi prej atje ndonjë ndihmesë, pasi ata vetë ishin në konsolidim e sipër dhe jemi mbuluar me përkthim, përmes mundësive tona. Nuk zgjidhet puna e një institucioni me asistencën e tyre, pasi ata duhet të disponojnë aq shumë përkthyes sa të na i plotësojnë nevojat neve dhe institucioneve të tjera për ta implementuar ligjin”, shprehet Bajrami.

Bajrami shprehet se Agjencisë i kanë thënë do t’i drejtohen po qe se do të kenë nevojë, por nuk ishte sigurt pasi duhet ta verifikojë nëse kanë pasur kërkesë direkte me shkrim.

Gjithsesi, ai shprehet se kjo vonesë e implementimit për aq sa mund ta implementonin, ka ardhur për shkak të shmangies së harxhimeve të dyfishta pasi plani ka qenë që të dalin në hapësira të reja, por që në fund nuk u realizua, prandaj edhe erdhën në përfundimin për t’i bërë mbishkrimet në gjuhën shqipe kudo në institucion. Megjithatë sipas tij, faji nuk qëndron te institucionet, por te politika.

“Këto problematika duhet t’i adresohen politikës përpara institucioneve. Pasi është e lehtë të gjendet përgjigjja te institucioni pse nuk implementohet ky ligj. Para se ta sjellin ligjin askush nuk i ka bërë analizë paraprake se ku do t’i gjejnë përkthyesit dhe sa kushton e gjithë kjo. Partia në pushtet i la 10-11 vite njerëzit në shtëpi, thjeshtë ka mundur prej atyre të rekrutojë dhe ka pasur plot fonde. Të paktën të  1/3 e atyre të arrinte t’i bënte 500 përkthyes, t’i shpërndante nëpër institucione do ta kryente punën e vet”, thotë Bajrami.

Sipas tij politika i ka futur hundët kudo dhe nuk vepron në drejtim të lehtësimit, por veç në drejtim të ngatërrimit të situatës dhe del përpara njerëzve, thotë e sollëm ligjin dhe në fund deklarojnë se nuk e zbatojnë institucionet.

“Përkthyesit kanë ardhur si kuadër deficitar, mund t’i barazosh me IT-të. Ato tani janë shumë të kërkueshëm, për arsye se kur do të vij një përkthyes me status të nëpunësit shtetëror dhe kur një institucion do t’ia vendose titullin e nëpunësit shtetëror bashkëpunëtor i ri, ai do marrë 21.000 denar. Nuk vjen për arsye se ai vetëm si “tezgaxhi” po të punojë do të fitojë shumë më shumë. Kemi ardhur në një situatë shumë problematike, përkthyes të mirë ta marrësh me 20 ose 25 mijë denarë nuk mund ta mbash në institucion, ndërsa sikur të ishin bërë gjithë ato përkthyes nuk do të punonin të gjithë në projekte, por një pjesë e madhe do të kishin qenë dakord të punojnë në institucione”.

Ai thotë se ekziston mundësia me tenderim, mirëpo shërbimet janë shumë të shtrenjta dhe se nuk kanë kushedi sa buxhet.

Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve: S’na kanë kontaktuar asnјëherë

Nga ana tjetër drejtori i Agjencisë për Zbatimin e gjuhëve Ylber Sela mohon të ketë mungesë përkthyesish dhe se Antikorrupsioni nuk ka pasur asnjë kontakt me Agjencinë.

Drejtori i Agjencisë për Gjuhën Shqipe, Ylber Sela

“Përkthyes ka, por duhet të hapë konkurs ose të kontaktojnë Agjencinë, pastaj ne iu sugjerojmë që të paraqiten në konkurs. Ne i lekturojmë, nuk mund t’i përkthejmë çfarë kanë ato nëpër ueb-faqe, se Agjencia nuk është organ përkthyesish. Ne nuk kemi marrë deri sot kërkesë nga Antikorrupsioni që duhet t’i ndihmojmë, as nuk kemi pas takim”, shprehet Sela.

Por, sipas ligjit “Agjencia është kompetente për dhënien e mbështetjes institucioneve në realizimin e obligimeve që burojnë nga ky ligj, duke përfshirë përkthimin dhe lekturimin e dokumenteve; lekturimin e të gjitha akteve që botohen në Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë;  promovimin dhe marrjen e masave për avancimin e përdorimit të gjuhës që e flasin së paku 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë; hartimin e raporteve për informimin e Qeverisë të Republikës së Maqedonisë për zbatimin e kompetencave të saj, etj.

I pyetur sa përkthyes kanë ata si Agjenci, ai shprehet:

“Ne kemi diku 43 të punësuar dhe deri më sot nuk ka institucion që mund të thotë se Agjencia nuk na ka kryer shërbim. Nëse ka dikush, le të dalë me fakte”.

Sipas tij, ata si Agjenci japin ndihmë terminologjike, nëse ndonjë përkthyes institucioni ka ndonjë vështirësi.

“Kam listë të përkthyesve që janë pa punë, që kërkojnë punë. Ndoshta nuk janë aq me përvojë, por çfarëdo vështirësie të kenë ju ndihmon Agjencia. Pse nuk kanë kërkuar ata takim deri sot nëse nuk kanë pasur mbështetje. As takim dhe as kërkesë nuk është bërë, se çfarë mundemi t’ju ndihmojmë. Kur është sjellë ligji, institucionet për një vit duhet të përgatiteshin, para dy vitesh këta institucione a janë përgatit? A kanë dërguar ndonjë kërkesë kur kanë bërë buxhetin se duhen mjete financiare edhe për këtë, nuk e ka dërguar, pse? Secili që nuk e ka zbatuar ligjin, tani mundohet të gjejë ndonjë arsyetim. Janë bërë dy vite dhe nuk ka arsyetim”, shprehet Sela.

Edhe pse, siç shprehet ai, kompetente për zbatimin e ligjit është Qeveria, Inspektorati dhe Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve, Sela thotë se çështja duhet trajtuar në rrënjë dhe jo nga degët dhe se Qeveria duhet të bëjë program për zbatimin e tij.

“Zbatimi i gjuhës duhet të fillojë prej te i pari i shtetit, te kryeministri, nëse i pari i shtetit nuk e zbaton, atëherë pse duhet ta zbatojë Antikorrupsioni apo ndonjë institucioni tjetër?. Qeveria duhet të krijojë mekanzima”.

Drejtori i Agjencisë për Zbatimin e gjuhëve, premtoi se do bëj kërkesë te Antikorrupsioni për takim dhe se do t’ju ofrojë ndihmë.

Ndërkohë Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve akoma është në trajnim e sipër të inspektorëve. Këta të fundit tani kanë përfunduar fazën tremujore të trajnimit dhe deri në licencim do të duhen edhe 9 ose 10 muaj të tjerë.

Përndryshe, vetëm katër inspektor janë duke u trajnuar, të cilët nuk janë të mjaftueshëm pasi, siç shprehet kreu i këtij Institucioni Fatmir Iseni, në bazë të sistematizimit ka paraparë 32 inspektorë për katër njësi rajonale, por për shkak të buxhetit kanë planifikuar vetëm katër inspektor. Deri në konsolidimin e këtij institucioni, nuk mund të gjobitet asnjë institucion për mos-zbatimin e gjuhës shqipe. Gjobat sipas ligjit, variojnë nga 4.000 deri në 5.000 euro në kundërvlerë me denarë për mosrespektimin e dispozitave të këtij ligji.

Ndërkohë, Qeveria e Republikës së Maqedonisë dhe të gjitha institucionet kompetente për zbatimin e dispozitave të këtij ligji, duhet të miratojnë masa për promovimin e zbatimit të të gjitha gjuhëve zyrtare, si dhe për garantimin e mbrojtjes së gjuhëve të bashkësive tjera, gjuha amtare e të cilave nuk është gjuhë zyrtare.

Portalb, para më tepër se një muaj raportoi se Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë, dy institucionet më të rëndësishme të cilat njoftojnë për masat, protokollet në fuqi, raportet ditore për pandeminë Kovid-19, nuk e kanë respektuar ligjin e gjuhëve, i cili parashikon që gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj është edhe gjuha shqipe, që aty përmendet si gjuha që e flasin 20% e qytetarëve të RMV-së. Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhën shqipe që kanë të bëjnë me korona virusin, në këta dy institucione nuk ka qenë i paralelshëm me gjuhën maqedonase edhe pse të dy këta institucione dhe të gjitha institucionet tjera publike, janë të obliguara me ligj t’i njoftojnë edhe qytetarët shqiptar, ashtu siç informojnë në gjuhën maqedonase.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button