MISTIKA NË SHËRBIM TË PUSHTETIT

Profesori francez, Renaud de La Brosse, në studimin »Propaganda politike dhe projekti ‘Të gjithë serbët në një shtet’: pasojat e instrumentalizimit të medias për qëllime ultranacionaliste«, i cili u përgatit me kërkesë të Gjykatës së Hagës, flet për propagandën serbe në shtyp, radio, televizion, art, kinematografi, teatër, letërsi, shkencë dhe religjion.

Luftërat në ish – Jugosllavi (Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë), sipas autorit, u shoqëruan me kontrollin e informatave dhe të komunikimit. Mediat nuk informonin, por indoktrinonin. Pas ndalimit të mediave alternative shumica e njerëzve i pranonin vetëm tezat zyrtare.

Ka studiues që thonë se pa mediat elektronike do të evitohej lufta në hapësirat e ish – Jugosllavisë, por ky konstatim nuk është bindës. Para se propaganda ultra nacionaliste serbe të shtrihej në mediat elektronike, ajo ishte shtrirë në gazeta, revista, libra historie, letërsie, teatër apo në arte pamore.

Propaganda serbomadhe nxiti urrejtje kundër popujve fqinj dhe i përligji krimet e bëra për ta realizuar projektin Serbi e Madhe.

Renaud de La Brosse shkruan se diktatori serb, Sllobodan Millosheviqi, e sforcoi fushatën propagandistike në vitin 1986, kurse ia arriti qëllimit në vitin 1991. Millosheviqi ishte i adhuruari i Akademisë serbe, Shoqatës së Shkrimtarëve, Kishës Ortodokse Serbe dhe eprorëve. Regjimi i tij, pjesë e të cilit ishin Vuqiqi dhe Daqiqi, i shfrytëzoi mediat si armë lufte, duke i bërë pjesë të strategjisë për pushtim territoresh, por edhe për krijimin e identitetit të ri serb, të bazuar në nacionalizëm ekstrem.

Pas rënies së komunizmit ishte krijuar një zbrazëtirë dhe njerëzit kërkonin identitet të ri. Ky identitet i ri serb sërish u bazua në shovinizëm. Serbëve iu servua miti nacionalist i bazuar në fiksion, veçanërisht miti mbi Betejën e Kosovës, pra i “viktimizimit”. Identiteti i ri, sipas La Brosse, u krijua në opozitë “me tjetrin” e demonizuar. U demonizuan kroatët, boshnjakët, shqiptarët, europianët, amerikanët. Në këtë proces luajti rol shumë të madh Kisha Ortodokse Serbe. Lidhja e shtetit dhe popullit serb me këtë kishë të nacionalizuar është e përhershme.

Mitet kanë luajtur rol vendimtar në aktet gjenocidale gjatë shekullit XX. Sipas Branimir Anzuloviqit, gërshetimi i frikës, urrejtjes, ambicieve ekspansioniste me mitet dhe gënjeshtrat, sollën deri tek agresioni nazist e fashist. Përcaktimi i elitave serbe për “mbretërinë qiellore” erdhi në çdo çast të rëndësishëm të historisë serbe. Veçanërisht miti mbi shkatërrimin e mbretërisë serbe. Pavarësisht se propaganda serbe tentoi që mitin ta shiste si “mburojë mbrojtëse” për Europën dhe krishterimin nga shtrirja osmane, legjendat mbi Kosovën kanë kontradikta. Anzuloviqi, në librin Miti mbi Serbinë qiellore, shkruan se në njërën anë heronjtë e kësaj beteje paraqiten si heronj që e kanë zgjedhur “mbretërinë qiellore” dhe luftojnë për të, kurse në anën tjetër veprimet e tyre janë pjesë e etikës pagane – heroike dhe jo të etikës së krishterë. Flijimet e tyre lidhen me mashtrimin dhe vrasjen…

Renaud de La Brosse, në studimin e tij, veçon disa karakteristika të propagandës, sikurse janë: ngushtimi (publiku duhej ta kujtonte vetëm atë që i duhej pushtetit); mesazhet goditëse; thumbimi i programeve dhe ideve të kundërshtarëve politikë; bartja e veseve vetanake tek armiku; instrumentalizimi i lajmeve për dobi vetanake; përsëritja e mesazheve me qëllim që të fiksoheshin në kujtesën e të manipuluarve; theksimi i miteve dhe historisë; damkosja e armiqve; himnizimi i heronjve kombëtarë; tentimi për arritje të konsensusit kombëtar rreth idesë totalitare; shumëfishimi i mesazheve ksenofobe; propagandimi për kinse cenimin e identiteti serb prej armiqve të jashtëm dhe të brendshëm; përligjja e përdorimit të forcës dhe dhunës kundër armikut; ngjallja e paranojës dhe teorive të komplotit (Vatikani, Amerika, CIA, Evropa, masonët, kroatët, boshnjakët, shqiptarët, armiqtë e brendshëm); shuarja e shpirtit kritik në shoqëri; krijimi i ndjenjës së viktimës – vetëviktimizimi dhe shpërndarja e lajmeve të rrejshme.

Renaud de La Brosse është ndalur te të gjitha pikat e mësipërme veç e veç. Ai ka vërejtur se pushteti serb i shfrytëzonte në veçanti mitet dhe historinë për qëllime nacionaliste. Homogjenitetin e grigjës e synonte nëpërmjet manifestimeve kulturore dhe politike. Sipas tij, propaganda serbe ngjan me atë naziste, e cila ishte ideuar nga Gebelsi. Nazistët, duke u thirrur në mite, në fuqinë e pavetëdijes, të frikës, në instinktin e forcës ose humbjes së bashkësisë, i shkrinë gjermanët në masë kompakte. Hitleri e shfrytëzoi propagandën për promovimin e ideve antisemite dhe afirmimin e vizionit të tij për Gjermaninë. Regjimi serb e kopjoi të njëjtën metodë. Për arritjen e bashkimit popullor, propaganda zyrtare serbe u kthye te mistika serbe “mbi popullin viktimë dhe martir”, kundrejt të cilit “historia ishte sjellë në mënyrë të egër”. Mitin mbi Serbinë e Madhe e ndërlidhi me ortodoksizmin. RTS e ndaloi muzikën e kompozuar prej autorëve jo serbë dhe e afirmoi fenë ortodokse. U shfaqën reportazhe dhe u botuan shkrime mbi altarët dhe shenjtorët ortodoksë. Gazetat botonin fejtone me tema historike dhe e himnizonin Serbinë mesjetare. Shkruhej vazhdimisht “për padrejtësitë historike ndaj serbëve”. Sipas elitës nacionaliste serbe, në betejën e Kosovës ishte shuar pavarësia e shtetit mesjetar serb, kurse detyrë e re ishte ringjallja e tij. Njëkohësisht propagandohej për kinse “gjenocidin” e kroatëve dhe shqiptarëve ndaj serbëve.

Renaud de La Brosse i kushton rëndësi propagandës serbe edhe gjatë kohës sa zhvillohej lufta në Kosovë. Në këtë periudhë gazetarëve të huaj iu pamundësua qasja e lirë tek informacionet. Qëllimi: mos dihej se çfarë ndodhte në Kosovë. Ndërkaq, mediat e kontrolluara nga regjimi serb, që e mbizotëronin hapësirën informative kombëtare, merreshin me “armikun e brendshëm” (opozitën politike dhe mediale të Millosheviqit) dhe “armikun e jashtëm” (NATO-n dhe mediat perëndimore). Serbët ishin ndarë në dy kategori: “patriotët” – që e përkrahnin regjimin dhe “tradhtarët” – që e kritikonin atë. Kur filloi bombardimi i NATO-s, regjimi serb i mbylli mediat opozitare dhe nisi fushatë represive kundër “tradhtarëve”. U mbyll Radio B92 dhe Dnevni Telegraf, pronar i së cilës ishte njeriu i afërt me pushtetin, Slavko Quruvija, që “kishte ndërruar anën”. Disa muaj më vonë u vra, pasi RTS e shpalli për “tradhtar” të kombit serb. Në Kosovë, pas mbylljes së “Kohës Ditore”, nuk kishte asnjë gazetë apo medium tjetër.

Renaud de La Brosse shkruan se pas mbylljes së mediave opozitare, qytetarët serbë i shihnin masakrat dhe plaçkitjen e banorëve të Kosovës si “shkatërrim të bazave të UÇK-së në kuadër të operacionit paqësor”, kurse “eksodin e popullatës e konsideronin si ikje të fatkëqijve jo nga dhuna e policisë dhe grupeve të armatosura serbe, por nga bombardimet e NATO-s”.

Mediat serbe, nëpërmjet propagandës, e krijuan bindjen te serbët se Serbia sërish ishte viktimë e komploteve ndërkombëtare. Presidenti amerikan, Bil Klintoni, krahasohej me Hitlerin, kurse bombardimet e NATO-s paraqiteshin si sulm kundër popullit serb. Qëllimi: të krijohej bindja se NATO bënte luftë kundër popullit serb dhe jo kundër regjimit të Millosheviqit.

La Brosse thotë se mediat serbe tërësisht e injoruan dramën e kosovarëve. Përderisa korrespondentëve të huaj iu ndalua raportimi për luftën, regjimi serb organizonte karvanë duke treguar avionin amerikan F-117, i rrëzuar për shkak të një defekti teknik. Qëllimi: krimet ndaj popullatës civile t’ia vishte NATO-s.

Në këtë studim autori e trajton edhe marrjen peng të presidentit Ibrahim Rugova, që autoritetet dhe mediat serbe donin ta paraqisnin si “takim”.  Rugova, sipas autorit, ishte marrë peng nga paraburgimi shtëpiak në Prishtinë dhe ishte dërguar në Beograd, kurse me të bëhej “bisedë e çuditshme dhe surrealiste”. Regjimi donte të dëshmonte se ishte i gatshëm t’i riniste negociatat, pikërisht kur “forcoheshin operacionet për pastrim etnik”.

Sapo filluan sulmet e NATO-s, Serbia e vuri në karantinë edhe shtypin ndërkombëtar. Ua pamundësoi gazetarëve të huaj që të merrnin informacione nga Kosova. Policia serbe burgosi 30 gazetarë perëndimorë. Pas marrjes në pyetje shumica u dëbuan nga Jugosllavia. Në mesin e tyre ishin korrespondentët e Libération, Le Soir, ABC News, Washington Post etj. U pengua edhe shpërndarja e lirë e imazheve. U mbyllën transmetuesit satelitorë të BE (UER/EBU) dhe u pengua CNN. I vetmi gazetar që arriti të përvidhej ishte Paul Watson nga Los Angeles Times. Ai raportoi nga Kosova për 78 ditë, aq sa zgjatën bombardimet e NATO-s. Korrespondentët tjerë u tërhoqën në Maqedoni, Shqipëri dhe Mal të Zi, prej ku mund të raportonin vetëm për problemet e refugjatëve, por jo edhe për pastrimin etnik në Kosovë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button